Të blertat e shpitërave të liqenit

0
115
Flutura Açka  Mund të jetë një imazh i 1 person, i ulur dhe ambiente të brendshme

N’Shirokë bën gjithnjë

kohë e bukur, sepse edhe kur ka furtunë, është aq bukur, sa s’mund të rrish pa ndalë. Sa herë shkoj në Shkodër, shpesh fare vetëm – ndër të paktët ishuj të paqtë të padhunuar nga histeria e betonit – kthehem më parë nē Shirokë të shijoj bregun e liqenit. Shkoj deri në fund, ku nuk ka më rrugë, diku në shkurrishtet e fundme të Zogajt.
Shpesh ndal në rrugën e ngushtë të këtij fshati mahnitës dhe sodis shkallaret tejet të rrëpirta ku ngjiten çdo ditë banorët e tij. Ka diçka mahnitëse në to, që të josh të gjesh se deri ku përpjeten. Ndal aty dhe ëndërroj se si në një botë tjetër, ato janë shkallë për te mali i zhveshur i Taraboshit, a shkallë për në qiell. Shpesh një dorë punëtore i lyen ato me gëlqere dhe sakaq rrebeshi i parë zë sërish të krijojë hartat e ronitjes.Mund të jetë një imazh i 4 persona
Është e shtunë, fryn shumë erë, por liqeni është po aq i blertë në smerald. Para se të shkoj në Zogaj, ndal në qendër të Shirokës, atje ku tani nis shëtitorja dhe bankina e re mban dallgët. Për shkak të cilësisë së keqe të punimeve, edhe pse ështē një vepër e re publike, bankina e Shirokës ka filluar plagët e prishjes.Mund të jetë një imazh i 2 persona
Në sheshthin e qendrës përballë ambulancës, duke përdorur si shtrojerë njërin nga stolat e drunjtë, një zonjë së cilës nuk ia përcaktoj dot moshën, ka radhuar të blertat e kopshtit të saj. Në krye mban napën e saj të bardhë, kindat e së cilës vërtiten nga era e fortë.
Mua nuk më duhen të blertat, pasi deri në kthimin tim në Tiranë, ato do të fishken. Por ngaqë çdo zonjë me napë të bardhë në kokë, më shëmbëllen me gjyshen time të viteve të fundit të jetës së saj, i afrohem. Zgjedh mes gjërave të freskëta të zonjës nga Shiroka dhe, siç e kam zakon, i lë ca para më shumë se ç’duhen.
Nuk e di në është përngjasimi me gjyshen, a mirënjohja për njeriun punëtor apo mahnitja që kam nga përqendrimi i natyrës në të blertat e zonjës, që më shtyn ta bëj këtë. Një herë, tek ecja rrugës së Blireve në Elbasan, ndala dhe ia bleva të gjithë arkën me banane një zonje që i ngjante aq shumë gjyshes, e cila kishte dalë t’i shiste një ditë të ftohtë dimri.Mund të jetë një imazh i 2 persona Kjo nuk e shpëtonte atë nga rituali i përditshëm, por mua nga dhimbja për gjërat e dashura.
Pasi i vendos në makinë blerjet, kthehem sërish pranë bankinës që të fotografoj liqenin, dhe e munduar nga sindromi i kureshtjes, afrohem dhe e pyes zonjën për emrin e njërës prej të të blertave të kopshtit. Më duket një gjë që nuk e njoh. Ja: pazia, lëpjeta, lulëkuqi, kopra, majdanozi, sallata, por këtë jo? “Perime”, më thotë zonja nga Shiroka, dhe më shpjegon që i ngjan majdanozit dhe përdoret për t’u gatuar me byrekët. Sa çudi, të mësoj që një bimë aq e brishtë të marrë simbolikën e gjithë asaj bashkësie të natyrës që ne i themi perime.Mund të jetë një imazh i 1 person
Zonja me napë në kokë m’i ngul sytë e qeshur të saj dhe më pyet se ku punoj, pasi unë i shëmbëllej me dikë të njohur për të. Unë këmbëngul të di prej saj se nga më njeh, dhe ajo e thotë me siguri klinike se nga më njeh. Ndjesia ime se politika është një dreqo punë, shembet. Jo, shqiptarët dëgjojnë, madje me shumë kujdes, dhe shënojnë.
Pastaj përqafohemi si të jemi mikesha të njohura prej vitesh. Quhet Tale Muharremi dhe jeton aty pak më tutje, pas një kepi ku bën kthesë të fortë bregu. Aty pranē janë dhe disa fqinj të saj dhe ne na duhet disa minuta të gjata të ankohemi mes vedi se pse kjo partia ku jam unë, është kaq e përçarë. Përpiqem të shpjegohem unë, përpiqen të më mirëkuptojnë ata.
Ashtu, tek jemi duke folur për gjithçka – edhe për Trumpin madje – zonja Tale fut shpejt e shpejt në një qese ca sallatë të freskët të kopshtit të saj dhe e vendos në njërën nga ndenjëset e makinës sime. Unë i ftoj te bari i afër për kafe të gjithë që ta vazhdojmë bisedën, por zonja Tale mendon se është më mirë të shkojmë në shtëpinë e saj dhe na fton të gjithë bashkë, por aty e di, kafe do të pi vetëm unë, pasi ata agjërojnë. Ndaj e lëmë të takohemi një herë tjetër, kështu që këmbejmë telefonat. Takimi është ky: unë do ta telefonoj më parë që ajo të bëjë një drekë të mirë, pse jo, të fle në shtëpinë e saj, dritaret e së cilës i buzëqeshin përmëngjes liqenit.Mund të jetë një imazh i liqen
Largohem me një copëz dashurie më shumë dhe e shënoj këtë takim në Shirokë në arkivën e mirësive që kam takuar e më kanë ndihmuar në jetën time. Edhe Talen, këtë zonjë të Shirokës, e cila, nga thellësinë e kujtimeve të shkuara familjare, më solli në botën e shpirtërave që përgjojnē këtë liqen të bukur çdo ditë, do ta kem nga tani e tutje mikeshë të dashur. Një ditë të afërme do të kthehem, të hap nga shtëpia – dhe zemra e saj – dritaren që i buzëqesh çdo ditë të blertës së liqenit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.