Shpërfillja si mallkim i vetvetes , ndryshe – Trajtimi i veteranëve- testi më demokratik i një shoqërie civile

0
700
Kadri Ujkaj – Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve M.Madhe”Nderi i Kombit”
Shpërfillja si mallkim i vetvetes , ndryshe – Trajtimi i veteranëve- testi më demokratik i një shoqërie civile .

Aspak si mitomani, apo si nostalgjik i historisë në posthistori, por si kulturë dhe qytetari, madje si vlerë dhe standart demokratik, e kam parë dhe do ta shoh gjithë jetën time nderimin dhe vlerësimin ndaj atyre që kontribuan apo dhanë jetën për lirinë e kombit shqiptar në çdo pëllëmbë të Shqipërisë Natyrore, gjatë tërë historisë sonë vijuar me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare deri tek Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndryshe qoftë si aleatë dinjitozë të koalicionit progresist botëror, anglo-sovjeto-amerikan gjatë Luftës II Botërore, po ashtu të atij evro-atlantik, prej të cilit, falë investimit të SHBA-ës dhe Natos, erdhi çlirimi i Kosovës nga regjimi gjakatar , millosheviçian, më 24 mars 1999. “Nderimi dhe vëmendja ndaj atyre që sakrifikojnë gjakun deri edhe jetën për çlirimin nga cilado lloj shtypjeje dhe shfrytëzimi, kundër çdo lloj zgjedhe dhe mallkimi politik, siç ishte edhe ai i shqiptarëve të Kosovës nën robërinë diktatoriale, millosheviçiane, nuk është tjetër, sipas meje, veçse obligimi i përhershëm i cilitdo që, si demokrat i vërtetë, ndershmërisht, e do këtë vend, e do Evropën e Re, do të Ardhmen e lirë të popullit të vet dhe të popujve tjerë.Dhe, në kompleksin e kontributeve që shqiptarët kanë dhënë për liri dhe dinjitet kombëtar, kam vlerësuar dhe do të vlerësoj, krahas kontributit gandist rugovian, kontributin e luftëtarëve të lavdishëm të UÇK-ës, aleatët me fisnikë të SHBA dhe të Perëndimit për shpëtimin e një populli të vogël, si ai kosovar, nga thundra genoicidale serbe, sidomos, gjatë viteve 90-të, maskaradë që mori fund me Çlirimin e Kosovës. Me vetëdijen e dyshimit metodik, si kodi i komunikimit evroatlantik, , se historia dhe posthistoria vazhdojnë të jenë fare pranë njëra- tjetrës, si vëllezërit siamezë, për ata që dehen nga sindroma e entuziazmit postmodern, sidomos për popujt e vegjël si yni, që ende nuk kanë arritur të zgjidhin Çështjen e tyre Kombëtare, injorimi, shpërfillja apo cinizmi vulgar me vlerat dhe kontributet historike vinë si mallkimi më i madh, ndaj vetvetes , në posthistori. Ndërsa po blija pranë një tregu ambulant, në qytetin e Koplikut, ,afrohet pranë meje një burrë rreth të 60-tave, me shikimin e përqëndruar tek libri monografik,”Bislim Kadri Bajgora” të Asllan Istrefit, ish-ushtar i UÇK-ës, që e mbaja në dorë. Me falni se nuk u njoh, -i drejtohem, por më bëri përshtypje përqëndrimi juaj tek libri. “Ju nuk më njihni, por unë u njoh “profesor” Kadriu”,- plotësoi komunikimin tregtari ambulant. Lexoni libra, u pëlqejnë, e pyeta? “Ashtu me raste, -u përgjigj bashkëbiseduesi.Unë e njoh autorin e këtij libri, kemi qenë së bashku në UÇK në pranveren e “99-tës”,- vijoi.Me të vërtetë, po e thoni këtë, e pyes?!?”Po,po këmbënguli me qetësi dhe dinjitet,madje me gradën e gjeneralit, por që përballë përndjekjes prej UDB-ës serbe, komunikoj edhe sot vetëm me pseudonimin “komandant Skifteri”, si ish- anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës në Prishtinë. Komandant shtabi kishim Agim Çekun e Kosovës dhe zv.komandant Dilaver Goxhajn nga vendi amë.Kam njohur atje edhe Artan Sali Manin nga Reçi i M.Madhe, lindur në Koplik, efektiv i Brigadës nr.154, i cili jeton në kushte ekonomike mjaft të vështira, në një apartament, me qera, në Prishtinë,vetë i pesti, pa kurrfarë ndihme ekonomike,vetëm me një pension lufte prej 179 evro.Gjithçka detyrohet ta sigurojë me djersën e ballit, , askush nuk do t’ia dijë se ishte njëri ndër luftëtarët e UÇK-ës.Ndërsa Admir Brahimi, një djalë i ri, nip në Koplik i Sipërm, u vra në luftën e Koshares, për çka shyqyr, më në fund iu lidh një pension lufte prindërve të tij në Shkodër”.”Për veten time, -vazhdoi ish-komandant “Skifteri”, -pas 27 vitesh shërbimi në ushtrinë shqiptare, edhe pse me Akademi Ushtarake të kryer, u largova vullnetarisht nga ushtria.Nuk kam pranuar pension lufte, sepse nuk shkova atje si mercenarët e sotëm, që shkojnë në vendet tjera, por iu përgjigja Thirrjes së UÇK-ës, kundër diktaturës gjakatare të Millosheviçit, sepse më thirri shpirti, shpirti i Kosovës së lirë.Me këtë ndjenjë dhe përkushtim do të jem gati tanë jeten time, në emën të bashkimit të trojeve shqiptare, por ajo që më shqetëson është fakti se vazhdoj të jem shumë i keqardhur për vëllavrasjet mes ikonave të UÇK-ës, të cilët po vriten fatkeqësisht nga shqiptarfolësit e UDB-ës serbe”- përfundoi fjalën e tij bashkëbiseduesi. Ndërkohë Ç.SH,me pseudonimin “komandant Skifteri” më tregon një sërë fotosh në celular, me liderë kosovarë të ditëve tona, asokohe, liderët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si me: Ramush Haradinajn, Agim Cekun etj.etj. sikurse edhe me ish-presidentin Fatmir Sejdiu. “Unë me gruan dhe tre fëmijët të moshës shkollore jetojmë, thjesht, me bisnesin tonë, por në Kosovë kam shokë e shoqe, shqiptarë kosovarë, a shqiptarë e shqiptare nga Shqipëria që jetojnë shumë keq, krejt të shpërfillur në fatin e tyre. Me ta komunikoj shpesh, por po vuajnë edhe sot në paqe,prandaj nuk i harroj dot”,- vijoi fjalën e tij.”Ju jeni shkrimtar dhe gazetar profesionist, “profesor”Kadriu, ju ndjek me shumë simpati,prandaj dua t’u tregoj njërin nga rastet më të dhimbshme, sepse ndoshta edhe nuk po më besoni plotësisht”,- më drejtohet mua me një shikim të thekshëm, drejt në sy.Ndërkohë ndërpret bisedën dhe më ofron receptorin e celularit: “Foli këtij gazetarit”,-i thotë-, shokut të vet të luftës,Hasan Began Halitit,bashkëshorti i një vajze tiranase, Valentinës, që, si u njohën në shkollën e mesme “A.Z.Çajupi” në Tiranë, martohen me njëri-tjetrin po aty,Valentina 17 vjeçe,kurse Hasani 26 vjeç, duke përfunduar që të dy, së bashku, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”Jam nga fshati Brojë, komuna “Skenderaj”, fshati i Hashim Thaçit”,- dëgjohet, nga ana tjetër e receptorit, Hasani.Nuk lamë pëllëmbë të kësaj zone pa e shkelur në luftë ,nga Kosharja deri në Drenicë së bashku me Valentinën e cila u plagos në Klogdarmicë në 1999-tën, sikurse unë në 1996-tën, në dorën e djathtë për çka më shtruan në Spitalin Ushtarak në Tiranë duke mbetur kështu që të dy invalidë, megjithatë askush sot nuk po do me ditë për hallin tonë.Edhe pse ishim në frontin e luftës, unë isha edhe komandant batalioni, me pseudonimin “komandant Kasemi”, prej ditës së Çlirimit të Kosovës, 24 marsit 1999 deri në vitin 2001 mbetëm me një asistencë sociale prej 102 evro e 50 cent, prandaj në 2009-tën, së bashku me gruan ishim në krye të një proteste kundër qeverisë” Thaçi” për të na njohur statusin e veteranit të UÇK-ës si dhe të Invalidit të luftës, president ishte Fatmir Sejdiu. Megjithatë as protesta nuk na solli asgjë: as trajtim, as vëmendje, asnjë mbështetje.Vijuam të mbetemi me 170 evro për person nga statusi i veteranit, kurse asnjë perfitim si invalidë.Kam tre fëmijë, që ndjekin shkollën, i madhi per arkitekt në një shkollë norvegjeze, i dyti shkollën e mesme profesionale , kurse i treti atë fillore po në Skenderaj.Gruaja si e sëmurë kronike, vuan nga hipocarcemia, në atë gjendje të rëndë aq, sa kur e kap kriza i duhet të qëndrojë, kudo të ndodhet, 3.5 -5 orë e shtrirë.Ditën apo natën detyrohem ta dërgoj në spital,në Skënderaj a në Prishtinë.Vetëm gjatë 2017-tës jam detyruar ta dërgoj 3 herë brenda dy muajsh në sallën e reminacionit. Shpenzimet për shendetin e saj shkojnë 230 evro në muaj. Asnjë ndihmë në rastet më emergjente: as taksi, as ndihmë mjekësore, as ambulancë.100 evro na kushton vetëm fatura të cilën mund të na e jap komuna Skënderaj për dy muaj, megjithatë, edhe pse jemi dy invalidë me tre fëmijë të moshë s shkollore, as këtë faturë nuk na e përballon komuna, po nuk ia bëmë me kohë kërkesën për 6 muaj.Të tjerat shpenzime janë: 60 evro për energjinë elektrike,12.80 evro për ujin e pijshëm dhe 5 evro për mjedisin.Ky është fati i veteranit dhe invalidit të UÇK-ës. Qeveria e Kosovës nuk do t’ia dijë asnjërit këtë sakrificë duke na lënë në mëshirën e fatit, apo të ndihmës që dikush, si rasti i Samil Lustakut, në vitin 2009, na jep në këtë gjendje të braktisur, të shpërfillur, të mjeruar..Por mjerimi ynë nuk ka të sosur,-vazhdon gjithë indinjim të ligjshëm Hasani: “Këtij mjerimi po i shërben edhe sjellja korruptive e vet kryetarit të shoqatës sonë, i cili pasi ka hedhur në plehra, në Matiqan, kartelat tona ka shënuar veteranë të rremë, kundrejt 3000-5000 evro shpërblim për një kartë veterani. Pra në injorim të plotë të të drejtave tona të ligjshme. Edhe mediat tona ,përjashtuar RTK/21 , nuk kanë ngritur zërin ndaj kësaj situate të pafalshme. Kështu,siç shprehet, më 7 mars 2018, Radio- Sharri,Dragash: ”Arti i burrneshës nga Tirana,nuse Drenice, të cilën dashuria per Hasanin e çoi në Drenicë,kurse dashuria për Kosovën e lirë e rrjeshtoi pranë Brigadës 154 të UÇK-ës, në frontin e luftës për Çlirimin e Kosovës”,megjithatë, nëse Kosova e lirë, qeveritarët dhe institucionet e saj,mjerisht, po bëjnë veshin shurdh e syrin qorr përballë fatit të mjerë të këtij çifti të dashuruar sa pas njëri-tjetrit, po aq pas lirisë së Kosovës,Valentina nuk harron të pohojë me dhimbje:”Jam bija e dikujt, jam motra e dikujt, jam nëna e dikujt, por mbi të gjitha i përkas Atdheut”.Me këtë gjuhë atdhetareje dhe artisteje, gjuhë shpirti dhe dinjiteti, ka pozuar fotografinë e saj unike, Valentina Haliti,e veshur gjysmë zonjë e gjysme ushtarake për t’i nderuar të gjitha femrat që kishin guximin të vishnin uniformën e UÇK-ës.Valentina tashmë nuse në Skenderaj, siç kishte ndarë fatin e jetës me drenicarin Hasan Began Haliti,po ashtu do të ndante edhe fatin e vet me luftën për çlirimin e Kosovës.Vërtet Shqipëria sot, e në veçanti Kosova, janë në ditët më të vlerësuara historikisht, koniunkturalisht, falë mbështejes së jashtëzakonshme të SHBA-ës, si aleati ynë strategjik,por askush nuk mund të jetë garanti i përjetshëm i kësaj koniunkture,nëse brenda vetes nuk ndiejmë dhe nuk zhvillojmë përgjegjësit tona si komb, ku kreun e vendit e meritojnë luftëtarët, pjesë e panteonit të lirisë.Të tillë luftëtarë e luftëtare mbështet dhe nderon gjithë njerëzimi, çdo shtet demokratik në botë.Kushtëzimi me dorëheqje, nëse nuk do të miratohej formimi i Ushtrisë së Kosovës më është dukur hapi më dinjitoz në jetën politike të Hashim Thaçit, si Presidenti aktual i Kosovës, ish-Komandanti i UÇK-ës, pas aktit historik të firmosjes ,përballë hezetimit të serbëve, në Rambuje, në pranverën e 1999-tës. Por kurrsesi,tek ky politikan progresist, nuk mund ta kuptojë seriozitetin e këtij hapi me indiferencën institucionale ndaj fatit tejet të vështirë të ish-luftëtarëve të UÇK-ës që ai udhëhoqi, si rasti i çiftit Haliti i cili tashmë i takon Panteonit të luftëtarëve për Kosovën e lirë, pa kontributin e të cilëve, pavarësisht kontributit të shkëlqyer të Natos dhe SHBA-ës, Kosova e lirë do të mbetej përsëri një ëndërr e hidhur në memorjen tonë kombëtare.Kush gabon të gjykojë ndryshe, pështyn nga vetvetja, injoron autoritetin tragjik të historisë së popujve të vegjël si yni, “fatet e të cilëve,- siç shprehej diplomati i urtë, Babai i Pavarësisë dhe Shtetit shqiptar, Ismajl Qemali,- dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”. Fuqia dhe legjitimiteti i progresit tonë demokratik si komb, nuk mund të jete ndryshe vetëm si respektim dhe maksimalizim i vlerave tona si komb apo si popull, kurse injorimi apo shpërfillja e tyre, sado vonë, s’mund të jetë tjetër vetëm injorim dhe maksimalizimi i shanseve të humbura të së ardhmes tonë..Nuk besoj se ka shtet serioz në botë, që të mos nderojë panteonin e lirisë ,pavarësisht se jetojmë posthistorinë, epokën e deheroizmit.Amerikanët,bie fjala, i konsiderojnë, heronj të SHBA-ës, të rënët në luftën e Vietnamit në vitet 70-të të shek.XX.Të përjetosh shpërfilljeje, të tilla, në dekadën e parë të Pavarësisë së Kosovës ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-ës, aleate e shkëlqyer e Natos dhe SHBA-ës, në shkatërrimin e njërës prej diktaturave më gjakatare në Evropë, në fund të shek.20-të, shpërfillje të këtij lloji duke sakrifikuar,krahas gjakut të derdhur, deri ardhmërinë e një jete normale në liri, si njeri apo familje, si rasti i çiftit Haliti, personalisht e konsideroj rendje e verbër pas kultpragmatizmit, kurse ajo më e dhimbshmja, fyerje të dinjitetit tonë si komb,ndryshe shpërfillja si mallkim i vetvetes.

Koplik ,me 15.03.2018 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.