Presidenti i Republikës , Ilir Meta , zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Turqisë , Binali Yildirim , i cili gjithashtu merr pjesë në Forumin Global të Baku-së . Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore e vëllazërore , si dhe të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë shqiptarëve ndër vite .
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin e dhënë nga agjencia shtetërore turke për bashkëpunim dhe koordinim , TIKA , e cila është e pranishme dhe e ka shtrirë aktivitetin e saj mbështetës në të gjithë vendin .
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu se Turqia është një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë dhe nënvizoi se , mundësitë e rritjes së këtij bashkëpunimi , si në aspektin tregtar , ashtu edhe atë të investimeve të drejtpërdrejta turke , që po rriten në mënyrë që qendrueshme , janë të mëdha .
Duke u ndalur në çështjet e sigurisë , Meta theksoi se , si dy vende aleate në NATO dhe partnere prej vitesh , Shqipëria dhe Turqia do të vijojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar , organizatave terroriste dhe kërcënimeve të tjera të përbashkëta./GSH/