“SHËNIME” NGA KUVENDI 319 VJEÇAR I DHEUT TË ARBËRIT (1703-14-15 JANAR-2022)! “Populli em u ba rob, se nuk pat dijen”-(Papa Klementi XI)

0
532
Nga NDUE BACAJ
HYRJE
Kishin kaluar 224 vite kur diellin e qiellit të Arbërisë “Skenderbegejane”e kishin mbuluar retë e zeza aziatiko- turko-osmane. Po kaq vite në këto troje mbizoteronte erresira . Rrezet e diellit ishin zevendesuar perdhunisht me ato të gjysemhënes të zbehtë, ndërsa mbi tokën arbënore shprazeshin pa pushim gjamë, vetimë , rrebeshe e stuhi të shoqëruara me acare të pafundme, që shqiptarëve po u “asfiksonin” jo vetem trupin, por edhe shpirtin… Shqiptarët në pergjisthsi e ata të Gegnisë në veçanti nuk ishin nënshtruar asnjëherë , por kishin luftuar me heroizëm të pashoq, ndonse prej më shumë se dy shekujsh u mungonte shpata toksore e hyjnore-Iliro-Arbenore, Gjergj Kastrioti Skenderbeu , “Mesia” që shpëtoi besimin e qytetrimin kristian edhe në Europen e shekullit XV… Në këtë Europë që tashma qendronte e strukur me zemer në dorë , e me sytë nga qielli… Në këto kushte “vetmie” mjaft nga shqiptaret kishin ndryshuar besimin, shumë kishin bashkepunuar me pushtuesin, por nuk mungonin edhe ata që kishin qëndruar besnik të besimit Kristian-katolik, që në keto vite identifikohej me atë shqiptarë… Gjatë këtyre shekujve pushtuesi turko-otoman perveç kërbaçit (dhunës) edhe kulaçit (joshjes me pasuri dhe ofiqe zyrtare), kishte arritur që në themelet e shoqërisë solide të ketyre trojeve (familjes dhe mënyres së jetesës) të fuste dinakerisht “helmin” e veseve, dhe menyren më të keqe të jetesës , që do të gerryenin nga brenda jetën e virtyteshme të shqiptarëve… Tashma grigja kristiane e Arberisë, por njekohesisht edhe “fara” Europerendimore e saj , gjindej në zgrip të mbijetesës. Në keto kushte kishte lindur nevoja e një kuvendi historik ,vendimet e të cilit per t’i venë në jetë në trojet arbënore kishin nevojen e njohjes dhe perkrkrahjes ndërkombëtare e veçanarisht të Selisë së Shenjte.. Kleri më i lartë shqiptare prej kohesh e kishte njoftuar Selinë e Shenjte për gjendjen e grigjes katolike shqiptare me anën e relacioneve, letrave e dokumenteve të ndryshme, si dhe i kishin kerkuar Selisë së Shenjte ndihmë per mbjatjen e një kuvendi historik…
PËRGATITJET DHE NJOFTIMI PËR KUVENDIN E DHEUT TË ARBËNIT.
Vetë Krijuesi kishte bërë emër që në krye të Selisë Shenjte në vitin 1700 të vinte Papa Klementi i XI , prej mishi e gjaku Arbënor , familja e të cilet nga fundi i shekullit XV, ishte detyruar të largohej në drejtim të trojeve italiane, per ti shpëtuar pikrisht mizorisë turko-osmane.. Ky Papë shqiptar ishte natyrisht mjaft i interesuar për rilindjen politike të atdheut tij të lashtë. Prandaj, tre vjet pas zgjidhjes së tij papë urdhëroi mbajtjen e një kuvendi historik…1. Për të realizuar kuvendin historik me emrin domethënës “Kuvendi i Dheut të Arbënit” u ngarkua figura e ndritur pastoriale e grigjes katolike shqiptare e më gjerë , Arqipeshkevi i Tivarit e Diokles , (1701-1712) At Vinçenc Zmajeviku , (i lindur në Perast të Kotorrit me 1670 ,dikur trevë etnike Ilire ). At Vinçenci mbasi mori bekimin nga kreu i Selisë së Shenjte filloi vizitat baritore për të njohur gjendjën e besimtarëve , famullive , kishave dhe shkollave pranë tyre… Kontaktet e Zmajevikut me shqiptaret “katolik” kishin qënë të përhershme e të aferta edhe më përpara , por tani ato thellohen më teper. Me daten 2 dhjetor At Vinçenc Zmajeviku (me miratimin e Papës ) lëshon leterqarkoren, me të cilen njofton të gjithë klerikët shqiptar për mbajtjen e kuvendit të dheut të Arbënit në katundin Merqi të Lezhes me datat 14 dhe 15 janar të vitit 1703.. Në ketë kuvend ftoheshin drejtuesit kishtar shqiptar si ; kryepeshkopët e Durresit e Shkupit , peshkopët e Shkodrës , Lezhës, Pultit , Sapës , 45 krerë e fumultarë dhe 200 besimtarë të shquar të Arbënisë e tjerë.. At Zmajeviku në letrën që u dergon Kryeipeshkvijve , Ipeshkvijve dhe mbarë meshtarisë të Arbënisë , por edhe Serbisë… ndër të tjera u shkruante :
”…. Gati është duke mbaruar muaji i tretë ,që unë duke e bartur barren e rendë, që më vuri në qafë Shenjti At Pape , pa pushuar jam duke kaluar qytetet, katundet, lagjet e gjithë mbarë kopshtin (bashtinen) e Tenzon. Duke kqyrur vreshtin e Tenzon… Oh ç’mjerim pashë .. E pashë këtë vreshtë të prishur, të shkaterruar, të lënë si një gjë e mbetur shkretë , mbuluar prej ferrmacash , prej ferrash , prej rrozgash , e pashë në vend që të qesin rrush duke qitur larushk. Ketë vreshtë e shkeli me ndihmen e njerzëve të keqij, ai armiku i moçëm i Tenzon (turku..N.B.)…. i cili nuk pushon prej zemëes së keqe për të prishur farën e mirë që është mbjellë në kopshtin e Tenzon…Ndër gjithë këto ngaterrime e peshtjellime çka do të bëjmë o vëllezër ? A do të shkojmë motin duke qarë hallin e zi , apo do të mundohemi ta sjellim mbarë vreshtin e Tenzon ?. Mos qoftë thënë, që puntoret e ketij vreshti të rrinë me duar kryq në brez ; por zelli që do të kenë për të madhin Zot , ti pushtojë zemrat e tyre për tju perveshur punës . Të hyjmë pra ta punojmë vreshtin, që e kemi para syvet, të hyjmë ta dlirim prej ferrave , e ferrat ti këpusim në rrenjë që të mos dalin perseri… Ju pra o vëllezerit e mi, kryeipeshkvij , jeni thirrë prej meje , e ju ipeshkvij që jeni nën mua , dhe meshtarë të tjerë , të paret e kishave , duke ju urdheruar po ju bejë të ditur që të vini e të mblidhemi në Kuvend të Arbënisë që në dashtë Zoti ynë , do ta bejmë të dielen e dytë mbas ujit të bekuar, në Kishë të Shenjtit Shën Gjon Pagzuesi në katund të Merqisë, në Dioqezë të Lezhes….. Vincenc Zmajeviku…Shkruar në të dhjeten ditë të dhjetorit 1702”.2. At Vincenc Zmajeviku njofton edhe Papa Klementin e XI , për permbushjen e urdherit të tij me perkushtim të thellë në viziten apostolike , ku me ketë rast ndër të tjera i shkruan : “…Ti më urdherove, o Shenjti At Pape , ti vizitoj e ti vë re , si vizitor apostolik kishat e Arbënisë, dheut tim. Unë iu permbajta urdherit , iu solla dheut rreth e rreth e gjithë mbarë e kërkova , dhe pashë nevojat e Arbënisë. Pashë vuajtje shumë. Qytetin , që më parë ishte i pari i të gjitha vilajeteve (Shkodren N.B.), venë në haraç , Zojen e njerëzve me futë në krye , kalanë e trimave të rrënuar , murin dhe meterizin e forcës sonë të çartur e prishur ; pashë të pafetë hyrë në vende të shuguruara, kishat përlyer , lteret ndyrë sa mezi pashë një vend ku mund të mblidhej populli në tubim. Pashë pleq duke vuajtur , meshtarë- sherbetoret e Zotit duke qarë e duke lotuar , barinjët e travajuar , dhëntë shperndarë e tretur nëpër pyll ; pashë murtajen që mbyste njerzë e bënte kerdi të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë dhe gjimova. Zemra e bashkuar me mjerimet e popullit tim donte të ndahej përgjysëm , kur i shihja bijët e mi në rrezik të bjerrin fenë… Nën hijen tende , o Shenjti Atë Papë , dheu i Arbënisë po gazmohet …që tash sa mot ka ndejtur i harruar , varfëruar e mbuluar prej mjegulle , por nën një Pape shqiptarë po del në dritë , e mezi pret të fitojë namin e lumninë së moçme…”. 3.
DISA NGA TË ZEZAT QË KISHIN PREKUR OBJEKTET E KULLTIT DHE MËNYREN E JETESËS NDË SHQIPTARËT KATOLIK.
Shqiptarët (katolik) të shquar ndër mote për pastertinë e figurës morale , dhe për shenjtënin e familjes e kunorës ishte mbytur në mëkate e vese të shemtuara, por i gjithë ky mjerim nuk kishte ardhur vetëm per faje të “grigjes” , por edhe per fajin e disa “barinjëve” shpirtërore (prifterinjeve) të cilet me veprimet apo mos veprimet e tyre e kishin lënë grigjën në meshirë të udhes plotë mjegull të perzier me tymin helmues që perhapte pushtuesi turko-osman. Disa nga mëkatet më “kryesore”që behen të ditur në matrialet shkresore të Kuvendit të Arbënit ishin : Marrja për grua e kunatës (motër e gruas , apo nusja e vëllait), grabitja e vajzave e grave të huaja , kurveria edhe brenda farefisit , fejesa e femijeve që në djep , si dhe blerja e vajzave me para për djem.. poligamia (martesa me më shumë se një grua), më të cilat kisha nuk duhej tu bekonte kunoren… Vlenë të cilësohet se deri në shekullin e XVII në Shqiperi ishte (bërë) zakon të vinin kunorë pasi gruaja të lindë djal , zakon që u hoq me 1703 nga koncili kishtar i Shqiperisë…4. Raste të tilla kishte jo pak ,madje kishte edhe prifterinjë që ishin martitirizuar kur kishin kerkuar të ndalonin poligamin. Një ngjarje e tillë tragjike kishte ndodhur edhe në Malesi të Madhe në shekullin XVII , e pikrisht me daten 14 dhjetor 1644, kur dy Etër misionarë Franceskan ; Paolo nga Mantova dhe Salvadore nga Offida (italian) , kishin refuzuar të flinin pranë një familje të njohur në Kelmend, pasi kryefamiljari mbante një grua me kunor dhe një pa kunor. Kelmendasi që kerkonte të strehohen dy meshtaret në shtepin e tij e ndau gruan pa kunorë , por gjinia e gruas së ndarë (nga kastrati) më vonë u zuni prit dhe i vrau dy misionaret..5. Gjithashtu ishte venë re edhe mungesa e regjistrave të kishes, ku priftërinjët nuk regjistronin të dhënat jetësore-fetare për çdo familje e famulltar të famullisë tyre…6. Mjerisht konstatohet se mjaftë priftërinjë ishin edhe të pa kompletuar me arsimimin perkatës , ku kjo padije i kishte çuar deri aty sa kishte priftërinjë që shkruanin edhe hajmalia , dhe në letrat trekëndëshe të cilave shkruanin thënie biblike ose lutje..7. Shpesh për pa-aftesi , por edhe kryeneçsi të priftërinjëve shumë katolik kishin lënë fenë e Krishtit dhe ishin bërë muhamedan. Një rast i till “interesant” tregohet per zonen e Anes Malit , ku një prift ditën e Pashkëve donte të mbante meshën në orën e zakonshme të ditës ,por besimtarët nuk kishin arritur të vinin të gjithë , ndaj i ishin lutur priftit të priste edhe pak , por ai me kokëfortësinë e tij nuk ju a vuni veshin dhe i kërcënoi se do ti shkishëronte nëse këmbëngulin të vonojnë meshën. Në ketë moment banorët e Anës së Malit të verbuar nga zemrimi dhe nga një krenari e rreme të drejtuar nga i pari i tyre, me flamur të shpalosur moren rrugën për te Pashai në Shkodër,dhe atje u shpallën të gjithë musliman..8. Por me e keqja kishte ndodhur kur prifti i Jubicës Dom Nikë Leka (në vitin 1674) kishte braktisur besimin Kristian dhe ishte bërë musliman , dhe turqit në formë përshëndetje u thonin besimtarëve katolik , behuni edhe ju turq (musliman..) si prifti juaj..9. Ndërsa në një relacion (të At Zmajevikut) i cilësuar edhe në dokumentet e Kuvendit të Arbënit, që tregonte për gjendjen e popullsisë së Shkodrës e Malësisë ndër të tjera gjejmë të shkruar :” Vërejmë me të madh hillërim të zemrës sonë si shqiptarë dhe si meshtarë, që ia duam të mirën këtij dheut tonë , që gati të gjithë turqit , (kështu i quanin edhe të krishteret që ishin konvertuar në fenë Islame ,N.B.), që sot kanë zënë vend në Shkodrën tonë , kanë dalë prej malësorve të krishterë , të cilët sidomos në kohë e Mahmud Pashës , që kanë mbetur në Mal të Zi , në kohën e Ibrahim Pashës e të Mahmut Pashës , shumë herë për asnjë send , po prej kryeneçësisë e ndërronin fenë e bëheshin turq. Turqit e Podgoricës , të Pejës , të Gucisë , të Gjakovës gati të gjithë janë bijtë e malësorve të krishterë , që kanë dalë ose prej Hotit , ose prej Grudet , ose prej Kelmendit , ose prej Pultit e sidomos prej Alsiçjet….10. Në këto kohë bënte kërdinë edhe SKIZMA (ortodoksia) ,e cila duke mashtruar me kristianizmin e “përbashkët” kishte arritur ti shkëpuste grigjës katolike jo pak shqiptarë katolik , por edhe i kishte shpallur luftë besimit katolik (që njesohej me kombësin shqiptare)… Në keto kushte të vështira shpesh perftërinjtë detyroheshin të strehoheshin edhe nëpër shpella ,siç mund te shënohet rasti i priftit të Grudes At Bartolomeut..11. Në këto kohë, “fara” katolike e shqiptarisë gjindej në zgrip të mbijetesës, edhe nën peshen e taksave dhe mohimit të të drejtave më elementare të këtij komuniteti , pasi identifikohej me pengesën kryesore për krijimin e një “ishulli” turko-aziatik në Europë.
KUVENDI I DHEUT TË ARBËNIT…
Kuvendi i Dheut të Arbënit siç ishte njoftuar u zhvillua në ditët e caktuara të 14 – 15 janarit 1703 në katundin Merqi të Lezhës dhe u hap me fjalen brilante të At Vinçenc Zmajevikut , ku një pjesë fare të vogel të kesaj fjale po e citoj : “…Fortuna e stuhia e detit, krisma e furia e ferrit janë perpjekur bashkë per t’i perpirë kishat tona , aq sa edhe njerzit e mirë duket se mashtrohen. Shumë janë ndarë prej fesë , mashtruar e tradhtuar prej thenieve të shtrëmbërta të njrëzve ; të rrahur shumë prej tallazeve të tillë…druajnë se mbyten dhe dalin feje. Gjithë duke parë veten në rrezik të birrën , duke qarë e duke dënesur shtrijnë duart prej nesh e kerkojnë ndihmen tonë. Ata që hiqen rrëshan per të vdekur , t’i nxjerrim ,e ata që nisen të mbyten , pa pushim tu shpetojmë barken (Kishen e Shqiperisë) të rrahur prej tallazeve, duke përtritur e duke e goditur , ta sjellim mbarë e ta vëmë në vend të shendoshë, që tallazet të mos kenë më çka ti bajnë…”.12. Gjatë dy diteve të kuvendit folen shumë nga pjesmarresit e kuvendit. Me fjalët e tyre ata treguan gjendjen e mjerueshme në të cilen gjindej kisha katolike dhe famulltarët e saj. Në kuvend u miratuan shumë dekrete , dhe u vendosën apo më sakt u rivendosen mjaft rregulla të detyrueshme per t’u zbatuar nga ipeshkvijtë , meshtarët dhe famulltarët. Ato janë të shumta të shkruara e ndara në kapituj , ku bie në sy detyrimi i zbatimit të shtatë sakramentve të vendosura prej Jezu Krishtit si ; Pagezimi, Krezmimi, Kungimi (Eukaristia) , Rrëfimi o Pendesa, Vojimi i Shenjtë , urdhëri i priftënisë dhe kunora (e bekuar) e martesës..Gjithashtu u vendosen rregulla të forta për të gjithë ata që nuk zbatojnë urdhenimet e Tenzon, deri në shkishërimin e tyre. Rregulla të forta u vendosen edhe per priftërinjët që i neglizhojnë detyrimet kishtare , ku perveç zhvillimit të meshëve dhe zbatimit të sakramenteve , ata duhet të mbajnë regjistrat e sakta të famullive të tyre , ku të shënohej data , dita e viti i çdo martese , çdo lindje , çdo vdekje , çdo pagezimi , çdo krezmimi , të shoqeruara keëo me gjeneralitet që kerkoheshin me emrat e famulltareve , të prindërve (babë , nënë), të kumarve , nunëve , dëshmitarëve e hollesira të tjera të nevojshme.. Vlenë të theksohet se gjithçka shkruhej e shenohej në regjistra e dokumente të tjera kishtare duhej të shkruhej në gjuhen shqipe… Me këtë rast kuvendi konfirmon edhe mirmbajtjen e mjaft shkollave që ishin ngritur pranë Kishave , kryesisht në zonat malore, ku mësohej edhe shqipja e “kohes”, së bashku me dashurinë për fenë e të parëve , atdheun , doket e zakonet me në krye besën ,bujarinë , trimerinë , urtinë dhe bashkejetesën…
DEKRETET E KUVENDIT:
Per të gjitha çfar u folë e vendos në Kuvendin e Dheut të Arbënit , u miratuan dekretet perkatëse , të cilat duhej të zbatoheshin nga meshtarët e famulltarët , si dhe hierarkia e lartë e kishes katolike në Arbëni. Për të mos “merzitur” lexuesit mendova që dekretet t’i rendisë vetëm me titujt e tyre , si vijon:
“-Përmbi besimin e fesë ,
-Përmbi atë që e bënë fenë e Krishtit ,
-Përmbi ata të krishterë , të cilet ndonse kanë mohuar fenë në faqe të dheut mbahen turq dhe tinzisht mbahet të krishter ,
-Për çka do të ndahen të krishterët prej të pafeve ,
-Përmbi detyren që kanë meshtarët per t’i mësuar të krishterët në punë të fesë , -Përmbi detyren që kanë meshtarët të predikojnë Ungjillin ,
-Përmbi të mbajturit e festave ,
-Përmbi agjërimet e urdhëruara e permbi detyrat që kanë të krishterët per t’i mbajtur ,
-Përmbi agjërimet e Kreshmeve perpara Pashkëve ,
-Përmbi be të rrejshme ose të shtrembër ,
-Përmbi sakramentet ,
-Përmbi Pagëzimin ,
-Përmbi Krezmimin ,
-Përmbi pendesën ose të rrëfyerit ,
-Përmbi eukaristinë ose kungimin ,
-Përmbi vojimin e shenjtë ,
-Përmbi sakramenin e urdhërit të priftërisë ,
-Përmbi sakramentin e martesës ,
-Përmbi zakone të mbrapshta të martesave të pakunorë , që janë per t’u hequr e për t’u ndaluar ,
-Përmbi ipeshkvijtë ,
-Përmbi borxhin që kanë ipeshkvijtë të dalin e ti vizitojnë kishat e dioqezat ,
-Përmbi mënyren që ipeshkvijtë do të zbatojnë duke i treguar Kuvendit të Propogandës punët e dioqezit të vet ,
-Përmbi kufijët e dioqezave të Zadrimës , të Lezhës e të Albanit që sot janë nën kryeipeshkvinë e Durrsit ,
-Përmbi kufijtë e dioqezës Pultit ,
-Përmbi dheun e Postribës ,
-Përmbi shtepitë e konaqet e të krishterëve , që prej një dioqezi shkojnë në dioqezin tjeter ,
-Përmbi kishat që do të mbahen me nderë e me devotshmeri ,
-Përmbi lterët që kanë mbetur pambuluar ,
-Përmbi meshët që meshtari ia thotë popullit në famullinë e vet ,
-Përmbi rrobat e shuguruara ,
-Përmbi vorret dhe vendet ku vorrosen të krishterët ,
-Permbi priftërinjët që kanë famulli ,
-Përmbi fitime të priftërinjve , që ketyre u dalin prej gjërave të kishës , dhe përmbi detyrimet që duhet të kryejnë mirë e si duhet ,
-Përmbi shkollarët e Kuvendit Shenjtë të Propogandës (De Alumnis) ,
-Përmbi fretrit misionarë ,
-Përmbi shkollën e Kurbinit e të Lezhës ,
-Si do t’i bëhët mbrapa nevojave që ka dheu ynë…”.13.
PERFUNDIMI I KUVENDIT…!
Në fund të Kuvendit të Dheut të Arbënit , protagonistët e tij paraqesin “perfundimin” me “fjalët” të cilat po i citoj: “Të gjitha ato punë që e kemi bërë , per arësye të detyres sonë e të kohëve të veshtira me sa ligje e dekrete , po i vëmë në gjyq të shenjtit Atë Papë të Romës , që është vikari i Krishtit në tokë , që është urdhëruesi i parë i të gjitha kishave , krijuesi e gjyqtari i pagabueshëm i të gjitha sendeve që i perkasin fesë e virtyteve ; e këtij për shenjë të ndergjegjës sonë , po i bienë me pervuajtëri të madhe në të dy gjunjtë , ne që jemi mbledhur me udhë (të drejtë) në këtë kuvend , ashtu me pervuajtni po ia paraqesim këto vendime Kishës së Shenjte të Romës , që është nëna dhe mjeshtra e të gjitha kishave , kështu edhe kardinalëve të kuvendit të shenjtë të propogandës ; këto punët tona t’i shikojnë , t’i gjykojnë e t’i pastrojnë dhe t’i forcojnë për nderë të Zotit të pushtetshëm dhe për të mirën dhe per të rriturit e fesë katolike:
-Unë Vinçenc Zmajeviku , kryeipeshkëv i Tivarit , i pari i Serbisë , vizitori apostolik i Shqiperisë, kështu urdhëruam e po vëmë dorën (nënshkrimin) këtu në fund.
-Unë , Pjetër Zumi , kryeipeshkëv i Durrsit , pajtohem e po vë doren në fund.
-Unë , Pjetër Karaxhiqi , kryeipshkëv i Shkupit (emruar) , pajtohem e po vë dorën time në fund.
-Unë , Gjergji , ipeshkëv i Zadrimës , pajtohem e po vë doren time në fund.
-Unë , Nikollë Vlladanji , ipeshkëv i Lezhës , pajtohem e po vë doren time në fund.
-Unë , Nue Babi , ipeshkëv i Shkodrës (emruar), pajtohem e po vë doren time në fund.
-Unë , Marin Gjini , ipeshkëv i Pultit (zgjedhur) , pajtohem dhe po vë doren time në fund.
-Unë , frat Exhidio , prefeti apostolik i Misioneve të Arbënisë , pajtohem prej anës sime e prej anës së misionarëve.
-Unë , frat Frano Maria a Lycio , prefet apostolik i Misioneve të Maqedonisë , pajtohem prej anës sime e të misionarëve.
-Unë , frat Mertini a Gionima , i pari i trojeve të fretnëve , pajtohem prej anës sime e të fretërve , që shkruhen de Observantia.
Frat Raimond Gallani Scrivani .14.
Vlenë të cilësohet se si fjala e hapjes së Zmajevikut, po ashtu edhe vendimet e marra në Kuvend u hartuan në gjuhën shqipe. Procesverbalet e takimit, të cilat kanë rëndësi historike , gjuhësore dhe klerikale u dërguan në Romë për t’u parë nga Papa, dhe me ndihmen e Françesko Maria Da Leçes u botuan në shqip dhe latinisht nga propaganda Fide më 1706. 15. Nga botimi i parë dhe botime të tjera “bie në sy” botimi special i vitit 2003 (me rastin e 300 vjetorit..). Kuvendi i dheut të Arbënit, është vepër e pavdekshme fetare e atdhetare e korifejëve të binomit FE dhe ATDHE… Kjo vepër me permasa toksore e hyjnore ka në “qiellin”e tij, yllin “polarë” Papa Klementin e XI dhe pas tij, të perndriturin At Vinçenc Zmajeviku , të rrethuar me yjet e ndritëshme , pjesmarresit në këtë Kuvend, (si ata që iu cilësuam emrat , dhe të tjeret , që nuk pata mundësi t’ua cilësoj emrat)… Vlen të theksohet se nga dhjetë nënshkruesit e vendimeve të kuvendit të Arberit , shtatë janë qartësisht shqiptarë , dhe vetem tre emra “tingellojnë” si emra misionaresh “italian”.. Vendimet e Kuvendit të Arberit pasi u miratuan nga Selia e Shenjte me në krye Papa Klementin e XI u bënë të detyrueshme per tu zbatuar në Dheun e Arbënit e më gjerë… Kleri i lartë katolik për venien në jetë të vendimeve të Kuvendit zhvilloi disa sinode të shenjta në Shkodër, Kasena , Obot , e veçanarisht dallohet sinodi i shenjte i Beltojës i zhvilluar në vitin 1704…16. Kuvendi i Arbënit në pamje të parë dukej se kishte rendesi të madhe vetëm per komunitetin Katolik të Arbënisë (Shqiperisë të asaj kohe), por koha tregoi se ky kuvend dhe vendimet e tij kishin vlera e rëndësi për të gjithë ata që e quanin vehtem me zemer e shpirtë shqiptarë të vertet me orientim nga Perendimi.. Kuvendi i Arberit ishte “balsami” hyjnore që ruajti të pa sterilizuar “FAREN” e shqiptarisë , që është e njejtë me atë Europerendimore , mbi themelet e të cilës është ndërtuar Europa e Bashkuar (BE-ja), që dje e kishim ënderr, ndersa sot shpresojmë…realitet…
REFERENCAT:
1.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.275, Tiranë 1995.
2.Kuvendi i Arbënit 1703 , botues Kryeipeshkvija e Tivarit , Kuvendi Salezian –Prishtinë 2003 , fq.30-33.
3.Franc Nopça , Fiset e Malësisë së Shqiperisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre , fq.386 , Tiranë 2013.
4.Kuvendi i Arbënit , po aty ..fq.12-14.
5.Fulvio Kordinjano ,Shqiperia permes vepres dhe shkrimeve të misionarit të madh italian At Domeniko Pazzi 1847-1914, vll.2. fq.91.Botime “Almeria” 2008.
6.Kuvendi i Arbënit …fq.69.
7.Fulvio Kordinjano ,Shqiperia….vll.I. fq.278.
8.Hyacinthe Hecquard , Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Epërme ,ose i Gegenisë, fq.47.
9.Odette Marquet, Pjeter Bogdani, letra dhe dokumente, fq.142-143.
10.Kuvendi i Arbënit , po aty , fq46.
11.Fulvio Kardinjano..po aty ,vll.I. fq.102.
12.Kuvendi i Arbënit 1703, fq.35 , botim i Shpresa Prishtine 2003 .
13.Nëpër fletët e librit Kuvendi të Arbënit 1703..).
14.Kuvendi i Arbënit , po aty , fq.150-151.
15.Robert Elsie, Fjalori historik i Shqipërisë, fq.355, sh.b.Uegen, Tiranë 2011.
16.Nevila Nika ,Dioqeza e Shkodres gjatë shek.XIII ,sipas doreshkrimeve Arkivore, fq.33-34).
-N.B.-
Shqipëri, me 14 janar 2022.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.