RRETH LIBRIT “ SIRENA E LIQENIT” TË IBRAHIM BERJASHIT

0
Një shikim nga bregu i përtejmë…Ka qenë vërtet një organizim i përkryer nga ana e Komunës së Tuzit dhe e Drejtorisë së shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz i promovimit të librit “SIRENA E LIQENIT” të shkrimtarit Ibrahim Berjashi, të botuar në shqip nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore në Podgoricë. Diskutimin tim e bazova në parathënien që i kam bërë librit si redaktor i tij.
Nga: Dimitrov Popoviç
Kam para sysh librin “Sirena e liqenit” një ndër librat më të mirë për fëmijë në Panairin e librit në Tiranë në nëntor të vitit 2016. Libri është përgatitur me kujdes nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore Podgoricë dhe ka qene libri i dytë pas romanit “Passio” të Anton Gojçajt. Si redaktor i këtij libri kam ndjerë kënaqësi që kemi botuar një libër të tillë.
Jo vetëm sepse simpatia e shokëve me të cilët e ndaj kafen e mëngjesit, për Ibrahim Berjashin është e madhe, por edhe thjesht për t’ i dalë zot fëmijërisë që kam kaluar, vendosa të futem në radhën e atyre që kanë shkruar diçka për shkrimtarin. Ndoshta jo edhe për të theksuar ndonjë konkludim, por duke i lexuar mjaft poezi të tij, e veçanërisht librin “Floçka e liqenit”, vërej se ajo (fëmijëria ime) nuk ka qenë edhe aq e përveçme sa e kam menduar. I lindur edhe unë në një fshat buzë liqenit, i përkëdhelur dhe i lëkundur dallgëve të tij, nuk kam pasur se si të mos e mbaj në kujtesë. Kushedi atje mes Bjeshkëve të Nëmura, më ka munguar ngrohtësia natyrore e tij (se e njerëzve s’ më mungoi asnjëherë) dhe ashtu në kërshërinë e viteve të mëvonshme e kam mbajtur afër, krejt afër zemrës. Kam menduar të shprehem e të shkruaj, por kurrë s’u bëra “aq burrë” sa të hedh në letër diçka që mendoja se më takonte.
Duke u kotë në ëndërrime, jam munduar të gjej diçka që do të ma plotësonte dëshirën. Unë endem rrugëve të botës, kurse fshati ka mbetur aty mes dy ujërave, njëri i thatë – ”Përroi i thatë”, që vjen nga lindja e që veç ndonjëherë e lagu për keq, dhe liqeni i madh e i gjerë, që qe shpesh bardhësia e pastërtia e trupit dhe shtëpive tona, e pse jo… shumë herë sofra e begatë kur ishte më në nevojë jetesa… Më vjen shumë mirë se ç’dëshiroja, e gjej diku në brendinë e vargjeve dhe rreshtave të pendës së autorit përtej liqenit.
Bashkë me poetin e kemi soditur liqenin e përbashkët: unë i kthyer nga perëndimi, ai nga lindje, në një kënd që syrit tim i binte gati paralel me sipërfaqen, e ai prej qielli. Ndaj ai ka të drejtë ta dojë më shumë pulëbardhën, sepse së bashku na kanë parë ne nga lart. Ndoshta se vetëm ajo ja kuptonte të nesërmen dhe ashtu siç prekte valët lehtë – lehtë, i fërkonte ndjenjat e shpirtit.
Pulëbardhë…- Vetëm ti e kupton -/ Ngjyrën e shqetësimit tim…
(Lule prej guri, fq. 75)
Kushedi sa të vegjël i jemi dukur njëri-tjetrit. Sidoqoftë mali përtej liqenit për ne ishte diçka që na e tregonte deri ku shtrihej liqeni, na tregonte se kur do të binte shi fushave tona të thara dhe për hënë, na tregonte se andej ishte… perëndimi. Pra, jo pak.
Kaluan vite dhe veç e kemi kaluar ekuatorin e moshës. Ecim drejt perëndimit. Gishtat tanë, si dikur të mbufatur nga ujët që me zor vinin rrajzat në grep duke u dridhur edhe nga të ftohtit, por edhe nga gëzimi, tani dridhen përsëri duke shkruar. Janë emocionet e pashlyeshme që na përcjellin e jetojnë me ne. Kështu jetojnë bashkë poezitë e prozat e shkurtra. Derdhen në njëra – tjetrën ose më mirë, njëra bëhet farë ose fidani i tjetrës. Pikërisht edhe këtu desha të ndalem. Duke i krahasuar ato mes veti nuk mbetesh jashtë e të mos dallosh se është një stil i të shkruarit, një figuracion i pasur mendimesh, që në formë elipsoide zbërthehet faqeve të tekstit. (Më konkretisht tek përshkrimi i liqenit apo poezia ”Nata në Shestan “ dhe tregimi ”Baresha” etj.)
E kam në dorë librin e tij Floçka e liqenit”. Kopertina e bukur, titulli edhe më shumë. E kam lexuar me kujdes. Më është dashur veç sa të futem në vallen e fletëve dhe ato pastaj më kanë tërhequr, duke më shtruar paktin që të rri aty me ta. Dhe pata pse të rri…
Janë dhënë shumë tregime me motive dhe përmbajtje të ndryshme. Ato të gjitha zhvillohen aty në fshatin e bukur – në Lagjen e Peshkatarëve që me kaq pak fjalë e jep shumë qartë, aty në breg të liqenit, që është aq i bukur sa edhe ëndrra e fëmijëve. Aty është sofra ku do të shtrohet me radhë historia që nga antikiteti i mjegullt e deri në ditët tona. Merita e tij qëndron në atë se ai nuk merret me gjerësinë e gjatësinë gjeografike nga njëri breg në tjetrin, se dallgët i puthin njësoj të gjitha brigjet, por ai merret me thellësinë, nga sipërfaqja e qetë dhe lëmuar e liqenit, që të vjen keq ta trazosh, deri në fund të liqenit, ku ndodhen të pastra ose të shtresëzuara bimë e barishte, por edhe margaritarë, amfora e anije shumëvjeçare. Kurioziteti këtu fillon tek ajo që nuk duket, që është e fshehur diku atje poshtë dhe që do mend e fantazi për ta zbuluar. Këtë material, ai e ka gjetur mënyrën e duhur për ta realizuar bukur; dy personazhe fort të goditura përjetojnë ose më mirë i jetojnë ato ngjarje të këndshme, por edhe të pakëndshme, që u ndodhin në atë qoshe të vendlindjes .
I gjithë libri ndahet në katër pjesë :
Zbulimi; Dita e tratkës; Qyteti i princeshave dhe Ditëlindja e peshkut,
ku secili grupim ka nga shtatë tregime të shkurtra, me përjashtim të të parit që ka dy më shumë. Është interesant dhe shumë domethënës ky numri shtatë në të folurit dhe frazeologjinë e gjuhës shqipe. Shkrimtari në fjalë e ka përdorur shpesh edhe në poezi “pas shtatë bjeshkësh”. Ky është një numër që të kujton diçka mitike (shtatë palë qejfe, shtatë pash nën dhe, shtatë ditë e shtatë net, ia numëroi të shtata, e mbylli me shtatë palë çelësa, shtatë pëllëmbë mjekër etj.). Nuk është ky numër thjesht për të treguar mitiken në libër. Do ta shihni edhe vetë gjatë leximit sa e sa ngjarje të tilla ndërthuren në brendësi dhe bëhen aq tërheqëse sa me zor u ndahesh. Por aftësia e autorit qëndron në kombinimin e qartë të asaj që ka shkruar. Disa herë e tashmja flet nën dritën e së kaluarës dhe kjo e fundit shpesh zgjat kryet nga mitologjia dhe bëhet prezent. Realja me fantastiken ndërthuren kuptimshëm, duke u dhënë shtrat e hapësirë ëndrrave të fëmijëve dhe arsyetimit logjik të tyre që vjen në rritje.
Me bukuri tregohen natyra dhe vendi përreth. Mali dhe qielli, bregu dhe uji, syri dhe dora … jepen thjesht dhe ke endje të vazhdosh të dish ç’ vjen pas tyre. Përmes librit, krahas personazheve mësojmë edhe vetë për “gropën labeate, për anijet e fundosura, për stema e simbole ilire, për Gjergj Elez Alinë, Mujin e Halilin, Fushën e Jutbinës, kalin trojan, për amfora e të tjera. Njihemi dhe na shtohet kërshëria për të ditur diçka më shumë për qytetin e princeshave, për të kaluarën e mjegulluar, ku një dorë e kujdesshme, jo duke fshirë, por duke shkruar sqaron e mëson.
Bota e fëmijëve që veprojnë në libër është shumë e pasur. Ajo pasurohet me shtimin e moshës. Rritet aktiviteti, guximi merr krahë dhe ndjenja
“se edhe ne dimë diçka e jemi dikush”,
i shtyn të zënë vend buzë e midis burrave, të kopjojnë diçka prej tyre dhe të bëjnë punë shembullore. Ata mësohen ta duan vendlindjen dhe ta duan shumë njeri-tjetrin.
Personazhet e tjera e të shumta kapin pothuaj të gjitha shtresat. Ato janë njerëzore: pleq dhe fëmijë, femra dhe meshkuj, shoqërore: të varfër dhe të pasur, refugjatë dhe të dëbuar, të ndarë nga prindërit dhe pa prindër, mitologjikë: Floçka e liqenit, Nusja, personazhe jonjerëzore: ujku, dhelpra, sorra, rosak pikaloshi, gjeraqina (princeshat) sardelja e artë, të palëvizshme: ulliri, rrapi, gështenja…dhe kryesoret: Liqeni, Shkëmbi e Pulëbardha.
Për t’ i realizuar, për t’ u dhënë frymë dhe jetë qenieve që gjallojnë në tregime, autori ka përdorur shumë mjete dhe figura artistike. Krahasimet, ku pjesa e dytë e asaj që krahasohet s’ është thjesht një fjalë, por fjali e plotë si p. sh.
“liqeni dukej si foshnjë që ëndërronte ëmbël në djep” fq. 30,
epitetet e shumta, simbolet e llojllojshme dhe personifikimet e goditura, do t’u mbeten përherë në kujtesë dhe do t’u ndihmojnë, kur edhe vetë ju do të shkruani hartime apo kujtime të moshës.
Më vjen mirë që libri shoqërohet edhe me vlerësimet e recensenteve nga Shkodra. Kanë pasur të drejtë që kanë shkruar dhe vlerësuar ashtu. Ka rëndësi, sepse ata jo vetëm kuptimisht, por edhe nga ana metodike do t’ i vijnë në ndihmë mësuesit, në rast se do ta shfrytëzojë në bisedat letrare të nxënësve e pse jo, edhe në tekstet e letërsisë ose në orët që ka mësuesi në dispozicion.
Njëkohësisht më vjen mirë edhe për redaktorin e Librit, mjeshtrin e tregimeve të detit, shkrimtarin e tematikave të tilla, H. Ulqinaku.
Me dëshirë do t’ i përgjigjesha çdo pyetjeje që do ta dija, por kurrë nuk do të futesha midis tyre, po të më shtrohej pyetja: Cili është më i madh…? Ata e kanë peshën e vet në hijen e përbashkët të gështenjës dhe kurorës së ullirit, rrëzë të cilëve janë lindur, janë rritur e bërë shkrimtarë. Ndoshta këtu fjala” më i madh” bie si vlerësim. Madhësia dhe e madhërishmja janë nocione të ndryshme, pavarësisht se e kanë rrënjën të përbashkët. E para më shumë tregon sasi, ndërsa e dyta, diçka më tepër, cilësi, vlerë. Nuk përcaktohet shkrimtari dhe madhësia e tij nga temat e mëdha apo të vogla, që synon të realizojë, por nga mënyra dhe aftësia e realizimit të tyre. Pena e Hajro Ulqinakut shkruan për detin e madh (respektivisht më i madh se liqeni), ndërsa Berjashi shkruan për liqenin. Kjo nuk është përcaktuese. Ka shkrimtarë të mëdhenj që kanë shkruar për lumenjtë, për përrenjtë, për Drinin, Vjosën, Bunën, Cemin. Mos të harrojmë se gjeniu i poezisë shqipe Lasgush Poradeci na la një perlë të vjershave të tij, duke shkruar për një ujë të vogël, siç është ajo kushtuar ”Kroit të fshatit tonë”.
Të shkruash për liqenin është me të vërtetë diçka e mrekullueshme. Por jo gjithkujt i krijohet kjo mundësi dhe jo gjithkush di ta shprehë bukurinë dhe frymëzimin që të sjell.
Sapo kemi dalë nga dimri.
Liqeni i shtrirë pak përtej hijes së vet nga shirat dhe ujërat pranverore, duket se u është afruar më shumë njerëzve. Sigurisht edhe fëmijëve. Pret me ata të ngrohtin e dëshiruar. Ndoshta ka bërë pakt me shkrimtarin, që ai t’ i përshëndetë fëmijët…
Dhe unë mendoj se ky libër është përshëndetja më e bukur që shkrimtari u jep fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve siç edhe shpreh bindjen se kanë për ta pasur në bibliotekat e veta, jo vetëm këtë, por edhe librin e ri me tregime “Foleja e bilbilit” për nxënësit e shkollave fillore nga një tjetër shkrimtar shqiptar nga Ulqini, Asllan Bisha.
Dhe s’ kanë për t’ u penduar!!
Faleminderit!
Tuz, maj 2021
Dimitrov Popoviq, redaktor i librit
Profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë shqipe

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.