NË PËRGJIGJE, A FALENDERIM MIKUT TIM.

0
63
NGA JUSTINA ALIA Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
U përlota parmbrëmë në takimin tonë i shtrenjti shok, mik, koleg, profesor Josif Papagjoni.
Mora me vete këto emocione e kujtime bashkë.
E këtu ku jam sot lexova shkrimin tand, nji status i qendisun nga ma të amlat kujtime, plot jetë dhe emocion, e prekës si shpirti yt.
I mrekullueshmi Sife.
Sa mirë, sa bukur që u takuam, u shmallëm. Koooohë pa u taku. Ndonëse shkruhemi.
Dhe mrekullija e miqësisë sonë konsiston në atë që e vazhdojmë ku e lamë bisedën, e si e lamë. Asgjë nuk ndryshoi, njisoj miqësija jonë, edhe ma e mbështetun fort madje, që tregon se ka arsye e shpjegime bindëse që na e mbajnë solide këtë marrdhanje, këtë miqësi në mes nesh. Jemi vetvetja. Flas me ty sikur tuj fol me vete! I bardhë qelibar ti Sife, pa asnjë prapamendim, e lumtun me fol me ty shpirt i bukur e plot dije!( pak me qesh o Sife: po këta nuk të lënë as me fol me vete, haaaaa).
I gjithë kursi i degës sonë dramatike të ka dashtë Ty, të gjithë ne konsultoheshim me Ty, ndonëse në një moshë, por ti ishe i dituri, studiuesi i pandalshëm i klasës sonë. E ti pa kursim i falje njohuritë e tua tek ne pa përtesë e hezitim.
E kujtoj kitarren tande Sife tek “Një shok i klasës sonë”.
Kënaqësi e krenari që ne të dy nga klasa jonë ishim të përzgjedhurit nga i pavdekshmi gjigandi profesor, njeriu i madh Kujtim Spahivogli. Fat i madh KUSH ka qenë profesori ynë, ne ishim studentët e Kujtim Spahivoglit,(dritë e diell përgjithmonë)!
Unë kujtoj Sife edhe dramën e Bertold Breht ‘Spiuni’ , ku kemi qenë partnerë bashkë.
Skrupulozi ti miku im, sistematik në punë, duke e ushqyer rolin më tërë dijet e tua rreth autorit dhe veprave të tija e shumë çka…
Por, nuk harrohet etydi i parë fare, në vitin e parë faaare në Institutin e Lartë ku luanim bashkë. Një etyd grotesk, me humor krejtësisht të natyrshëm. A e kujton që profesori na dërgoi ta luanim në Teatrin Kombëtar, në nji studio të madhe atje, dhe erdhën për të na parë aktorët e Teatrit kombëtar. E sa sukses, e çfarë sadisfaksioni për ne fillestarët studentë.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Kurrë nuk e harroi atë moment Sife.
Edhe ajo natë në Teatrin Migjeni duke kënduar, qe lumtuni e madhe që zbrita nga skena për me ardh tek ti, sa lumtuni. Kishin kalu vite e vite, ti në Pukë e unë Shkodër.
Ishim të dy në fije të perit aso kohe, si kushdo që u ‘transferonte’ aso kohe. Mirëpo, kajherë koha vetë kërkon sfida, e unë ashtu bana, zbrita me të nderu ty, ma i miri njeri që pata fatin me kenë mike e jotja.
Një dashamir i artit tim kish fillu me më thanë sa herë më takonte: koha po punon për ty, durim. E në fakt, kishim filluar ta ndjenim edhe ne këtë çlirim si të thuash…
E kështu mik i shtrenjtë Sife, parëmramë u takuam sikur ishim taku çdo ditë, pa as ma të voglin tjetersim, veç si gjithmonë, direkt e në temë për çdo bisedë që hapnim.
Më kish këputur malli për këtë takim, për ty mik i shtrenjtë.
E si për të na e pasuru e zbukurue këtë mramje ishte pikërisht shfaqja që e pamë sëbashku, shfaqjen e Gëzim Kames së madh. Them zbukuruar sepse pamë një shfaqje të rrallë, sipas meje.
Edhe ti u kënaqe shumë, gjithashtu, kritiku i madh i Teatrit Shqiptar.
A nuk ishte bekim ky takim miku im i shtrenjtë Sife, sa më erdhi keq kur u ndamë.
Por, u ndamë me shpirtin plot.
Falenderoj Zotin që kam një mik të tillë.
Sado që të shkruaj, jo unë nuk di Ti shpreh mendimet, kujtimet, përshtypjet, ndjesitë sikurse Ti oratori, elokuenti ynë Josif Papagjoni.
Të dua shumë, e të kam shumë të çmuar NDË jetë.(siç më pëlqen ta them hera herës: NDË jetë).
Të rroku fort me respekt e mirënjohje të gjithmonëshme.
Faleminderit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.