MRIZET

0
Nga:Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI
Në verë, këmborët e tufave ishin të parat që zgjonin fshatrat. Kënga e gjelave të dritës i gjente ato në udhën e kullotave. Bagëtia shpërndahej nëpër shpate e lëndina shumë më heret se rrezet e para të diellit të përthyheshin në pika vese, mbi lule e fije bari. Në freskun e mëngjesit ato kullotnin me shije në barin e njomur nga lagështira nëpër pllaja.
Kur hijet e maleve tërhiqeshin nëpër lugina dhe shpatet i lante dielli, në bregore të sheshta barinjtë matnin hijet e veta me gjurmë. Sa më lart ngrihej dielli, e sa më përvëluese bëheshin rrezet e tij, aq më të shkurtëra bëheshin hijet. Dhe, kur ato mbetnin vetëm tri gjurmë të gjata, barinjtë i nisnin tufat dalëngadalë nëpër mrize. Kjo “orë”e barinjve tanë,edhe ndër orët diellore, mund të jetë ora më e lashtë.
Atmosfera e mrizeve ndjehej kudo në Malësi, sepse ajo ishte atmosfera e vetë jetës fshatare. Vapën e madhe të drekës bagëtia, së bashku me berinjtë, duhej ta kalonin në hije të freskëta dhe me ujin pranë. Gjergj Fishta që e ka vërejtur nga afër jetën baritore të
malësorëve shkruan:
Kur ka dalë njaj hylli i dritës
Mbi ato suka t’Podgoricës,
Ti m’ja vune pushkën krahit
Edhe dole n’derë tee vathit
E m’ia lëshove zanin sqapit
Me i lëshue podit e livaldhit,
Me i mrizue ke mrizi i Rrashit ).
Në këto vargje bëhet fjalë për mrizimin e dhive.Është interesant se edhe Naim Frashërit, në poemën e famëshme “ Bagëti e Bujqësi “,duket se i kanë lënë më tepër mbresa lirike mrizimet e dhive. Ndoshta sepse dhia është një kafshë që s’e zë vendi në vend, po gjatë vapës së ditës ajo mrizon në hije me një qetësi të admirueshme. Ndaj, në sfondin lirik që krijon Naimi te kjo poemë, cjapi me zile mrizon në mënyrë aq impozante
Tek buron ujtë e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija ).
Por këtë atmosferë verore mrizesh e gjejmë në krijimtarinë popullore edhe shumë shekuj para Fishtës e Naimit. Duke shkuar në luftëra e duke kthyer nga luftërat kreshnikët e Jutbinës pushonin në mrize, freskoheshin në gurra, këndonin në hije dhe gjogat u lodronin bregoreve. Ndonjë rast kur, për arsye kohe apo për ndonjë arsye tjetër, nuk mund të ndaleshin për të pushuar, rapsodia e e nënvizon si përjashtim:
As kërkund vend nuk po xanë
As ndër gurra ujë me pi
As ndër mrize me pushue ).
Në moshën qindra vjeçare të “ Eposit të Kreshnikëve” jeta shoqërore e njerëzve të mesjetës së herëshme na paraqitet e mpleksur me jetën dhe veprimtarinë e qenieve mitologjike. Njerëz dhe mite bëjnë të njejtën jetë njerëzore. Pushojnë njerëzit dhe bagëtitë e tyre në mrize të freskta ku rrjedhin gurra e burojnë kroje, po kështu veprojnë edhe “orët” e “zanat”, të cilat kanë mrizet e tyre nëpër bjeshkë. Nganjëherë ato mrize janë vetëm të tyre dhe po të ndalën njerëzit aty, kur ato janë duke u freskuar, i shitojnë. Këto mrize zanash burrat e vjetër e me përvojë i dinë dhe i porosisin më të rinj ët që në udhëtimet e tyre mos të bien viktimë e zëmërimit të zanave. Gjeto Bash e Muji i porositë kreshnikët të mos ndalojnë tek tri mrizet e mëdha, sepse ato janë mrize zanash:
Ka qitë Muji e u ka thanë:
Kur të delni n’maje t’bjeshkës,
Aty janë tri mrize t’mëdha
Njaty ruani se lodroni!
Njaty kangën mos e knoni!
Kini ment e mos pushonii!
Se aty janë tri zana t’idhta,
Tue mrizue ndoshta qillojnë,
Tue u flladitë ndoshta qillojnë,
Me kalue shnosh nuk u lshojnë ).
Zanat dhe Orët, ndonse në përgjithësi janë të mira, kur pushojnë, vallëzojnë e këndojnë nuk mund t’i trazosh. Këtë bindjei popullore përçon kryekreshniku me porosinë e tij.
Mrizet e zanave ishin aq prezent në psikologjinë e malësorit sa edhe mrizet e zakonëshme të fshatrave. Jo rastësisht poeti gjigand i Lahutës së Malcisë, njerit nga vëllimet e tij poetike i vuri titullin “ Mrizi i Zanave”. Madje këtë psokologji të lashtë popullore ai e përdor edhe atëherë kur trojet janë në rrezik dhe trimat shqiptarë ngrihën në këmbë për t’u dalë zot. Qeniet mitologjike, që në muajt e nxehtë të verës gjëndën duke u freskuar nëpër mrize, ai i rrështon në krah të shqiptarëve , të cilët u dalin zot trojeve që u kanë lënë gjyshërit. Kur burrat mblidhën, nën kushtrim, me 1878, në Prizren, për t’u thyer përendorive evropiane vendimet e marra në Bërlin në dem të Shqipërisë, edhe në malet rrotull, sipas poetit, orët dhe zanat kumtojnë njera tjetrën dhe rreshtohen në anën e burrave të urtë shqiptarë. Krahas kuvendit që bëhet atje poshtë në Prizren, Ora e bardhë e Shqiptarisë, nga Mrizet e Lubotinit i lëshon zë zanës së Sharrit:
Vallë ç’piskati n’hije t’blinit
N’ato mrize t’Lubotinit,
Që ushtoi vigma ashtu zalli
Ora e bardhë e s e Shqyptarisë
Paska kenë n’një gurrë t’u la,
Edhe e Mira paska pa
Se atje poshtë në Prizeren
Kenkan mbledhë shqyptart në kuvend,,
Paska pa ajo e kenka gzue,
N’maje t’bjeshks ka fluturue
Edhe n’gjuhë t’ambël t’shqyptarit
Thirrë i paska Zanës s’Sharrit,,, ).
Jeta e thjeshtë e malësorëve është e mbushur me veprine njerëzish e mitesh. Ata janë aq të përzier sa s’mund të bësh fjalë pë kufinj të përcaktuar. Në këtë kuptim ajo është jeta e varfër më madhështore që ka egzistuar në shekuj..
• * *
Mrizet ishin hije të freskta në vende ku merrnin më shumë flladet e grykave.Drurët e mëdhenj të mrizave diku ishin prej bliri, diku prej lisi, diku prej ahu, diku tjetër prej folete apo prej shkoze .Madje Fishta na flet edhe për një mriz lajthije ne kënga për Marash Ucin kur thotë:
Te një mriz, te një lajth
Kishin ndodhun tre bari,
Dy me dhen e një me dhi
Marash Uci e t’bijtë e Calit,
Dy djem t’letë si shpendt e malit ).
Siç thuhet edhe në këto vargje, më së shumti, vapën e drekës dhen e dhi e kalonin në të njejtin mriz. Por delet kishin anën e vet të hijeve dhe dhitë të vetën. Madje edhe vetë tufat e ndryshme rrinin secila në vendin e vet sa që mund ta shihje të qartë kufirin mes dy tufave.
Mrizet ishin zakonisht nëpër bregore të bukura, në krye të pllajave të buta, pranë krojeve të gjalla e gurrave akull. Por atje ku krojet mungonin, meqenëse uji ishte i domosdoshëm për tufat e bagëtive, mrizet ishin pranë brrakave që e mbanin ujin edhe verës. Kështu mund të përmendim mrizet pranë brrakës së Pjetraçiit dhe brrakës së Marvukajve në Zagorë, atë pranë brrakës së Budishës etj. Ndonjëherë brraka ndodhej brenda murit rrethues të mrizeve, siç ishte rasti i Mrizave të Qafës në Goraj të Kastratit.
Çfarëdo që të ishin drurët e mrizeve ( lisa, aha, blinj, foleta apo shkoza) në fshat kishin statusin e tyre të veçantë. Ato ishin të paprekshme. Ligji i maleve dënonte ashpër cilindo që priste qoftë edhe një degë nga drurët e mëdha të mrizeve. Por denimi moral ishte edhe më i rëndë e më i pashlyeshëm për atë që bënte atë veprim të turpshëm dhe ant njerëzor.
Te mrizet, natyra ishte gjithmonë e gëzuar, e pasur me aroma lulesh e këngë zogjësh që hidheshin degë më degë, duke nxjerrë kokat e bukura nëpër fletë. Ndriçimi i mesditës rrotull mrizeve ishte i madh. Dielli praronte e bënte të shkëlqejë gjithçka. Aty-këu mbi bregore përmes hijeve depërtonin copëza të vogla dielli. Drurët e mëdhej dukeshin sikur u vareshin rreze nga të gjitha anët e kurorave të tyre të larta e të blerta. Në mrize e ndjeje veten në mes të natyrës së gjallë, ballë për ballë me pafundësinë e bukurisë së saj.
Në një mjedis të tillë të këndshëm, në hije bliri apo shkoze, lisi apo ahu ,çetine a panje, tufat dhe barnijtë kalonin gjithë zhegun e ditës. Bagëtitë në mrize vinin palë e palë dhe hapsira mbushej me tinguj këmborësh e blegërima. Pinin ujë me rend dhe secila tufë zinte vendin e vet në mriz. Në freskun e hijeve ku nejniku (era e lehtë e maleve) dukej sikur lodronte nëpër lule, fije bari e fletë, bagëtia ripërtypte me endje barin dhe gjethin e kullotur mëngjesit nëpër lëndina dhe pyje
Hija ku rrinin barinjtë ishte në krye të hijeve ku mrizonin tufat. Pasi bagëtitë pinin ujë e zinin vend në hije, fillonte dreka e barinjve në mriz. Ajo ishte drekë e thjeshtë, e shtruar në lëndinën plot kundërmime, por drekë shumë e gëzuar. Para se të shtroheshin në “tryezën” e gjelbër, barinjtë bënin lasmasin me qumësht shtrunge. Kur lasmasi ishte trashur, shtronin çevret mbi bar dhe mbi to vinin bukën e misërt, djathin, qepët e shishet me lasmas, vajzat mbushnin okatoret me ujin e ftohtë të gurrave apo krojeve që të mpinte dhëmbët. Atje ku krojet mungonin barinjtë e merrnin ujin me vete.
Sa mbaronte dreka, barnjtë pleq fillonin tregimet e tyre historike.
Atje te mrizi Marash Uci u fliste barinjëve të rinjë të Hotit për bëmat e shumta të moteve të shkuara::
Prore Mashi djelmve t’Hotit
U kallxonte puntë e motit,
Punët e motit, punë trimnijet
Si shqyptari mbas lirijet )
Në bregoren e hijes së barinjve, gjatë orëve të mrizit, bëheshin lojra të ndryshme: si thyerje duarsh, kala dibrançe, bizë.. etj, Dalëngadalë koha freskohej. Dielli humbte diçka nga forca e tij përvëluese, hijet e drurëve në mrize rrotulloheshin dhe zgjateshin në lindje. Bagëtitë nisnin të lëviznin dhe të tundnin lehtë këmborët. Atëherë barinjtë dilnin në diell dhe matnin përsëri me gjurmë hijet e veta. Kur hijet bëheshin gjashtë gjurmë, tufat dhe barinjtë i linin mrizet e niseshin përsëri drejt kullotave dhe rrinin atje derisa binte mbrëmja…
Mrize të bukura e të freskëta kishte kudo në bjeshkë e në vrrije. Të tilla ishin mrizat e Jeshnicës në Këlmend, mrizi i Çesmes së Koplikut, mrizi i Zare në Gradiskije, mrizat e Poshtëm në Traboin, mrizi i Kronit të R në Kastrat, mrizi i Pleshtit në Bogë, mrizi i Grexhës, mrizat e Ublave në Lohe, mrizat e Pojatës, mrizat e Qafës dhe mrizat e Krojeve në Goraj të Kastratit, mrizi i Kronit të Lotit në Bzhetë e shumë të tjerë.
* * *
Shumë malësorë nga Selca, Vukli e Nikçi, por, ndonse më pak, edhe nga Hoti, Kastrati e Shkreli, ndër vite i kishin lëshuar trojet e veta dhe ishin ngulur kryesisht në Breg të Matës dhe në Gurëz. Madje disa prej tyre kishin arritur të bëhën pronarë të mëdhenj tokash si Sykajt në Grykë të Lumit dhe Cokajt në Markatomaj. Por këto familje nuk i kishin humbur lidhjet me trojet e vjetra. Një pjesë të mirë të vitit e kalonin në bjeshkët prej nga ishin shpërngulur dikur. Kështu ata evitonin sëmundjet dhe veçanërisht malarjen, që në viset bregdetare bënte kërdinë.
Fillimi i qershorit e mbushte rrugën Lezhë-Shodër me karvane të gjata njerzish kuajsh, gjellësh dhe tufash me bagëti të imta. Ata niseshin drejt trojeve të tyre të vjetra, ku pyjet e larta bleronin shpatet e maleve dhe vera ishte e freskët dhe me ujë bore. Para se të hynin në Shkodër, bie fjala Sykajt, nxirrnin tellalin i cili thërriste: “Ej milet, po kalon gjaja e Sykut…Gjaja e Sykut përpjetë, pazari poshtë”.
Këto karvane ecnin me ditë derisa arrinin në bjeshkët e Këlmendit apo të Shkrelit. Kështu që bagëtitë dhe njerëzit e këtyre karvaneve e kishin të domosdoshëm pushimin e vapës nëpër mrizet, që nuk mungonin anës së rrugëve të gjata. Mrizimin e parë Mbishkodër bjeshkatarët e Këlmendit e bënin te Mrizat e Çesmës së Koplikut,, pastaj me rradhë te Mrizi i Qarrit të Zhajes, në Mrizat e Kastratit, të Pojatës e deri sa sosnin në Mrizat e Jeshnicës. Atje bëhej darka e madhe e daljes në bjeshkë për verim. Aroma e këndëshme e djathit tee ziem ndjehej gjithandej dhe këngët përhapeshin në pyjet e ahut dhe tee pishës:
Moj mirë që more bjeshkën,
Kujt ja le lum dada bsën?
Dole n’bjeshkë e më le vetëm,
Dole n’bjshkë e më le n’vrri…
Mu nxiftë bjeshka djalë pa ty!
Mua mu nxiftë e dala n’bjeshkë
Si n’mos ardhsh ndoj natë me fjetë!
S’ta di stanin, hej medet!
Ngjitu djal-o brisë përpjetë,
Në derë tee stanit ke me m’gjetë,
Në derë të stanit dal e rri
Qendisë dada I kmishë për ty… )
Dhe këngët e vallet vazhdonin. Djemtë e ri ishin më aktivët. Ata kërcenin e këndonin, kush e kush me spikatë më në shenjë se shoku. Kënga baritore me doza të mëdha lirizmi nuk kishte të sosur:
Moj e mira te Pojata,
Sytë e zes e flokt e gjata,
Shkurtoi pak tu preftë nafaka!… )
Kështu këndonte një grup dhe grupi tjetër ia merrte:
Moj e mirë që shkon me lopë,
Ka po i çon ka po i kullotë?
Njati shpati, njasaj gropë…
A ke perçe, a ke flokë?
As kam perçe, as kam flokë,
Kam dy molla nën jet xhokë,
Nën jet xhokë, nën jet jelek,
Ik o djalkë ti mos mi prek!
Se me i prekë qesin shërbet.
Ky shërbeti sht i ambël
Si me hangër pshesh me tamel ).
Në të gjitha këto këngë lirike përvijohej një erotikë e këndëshme baritore, me mjetet artistike që ofronte natyra dhe jeta e thjeshtë alpine. Në këto mbrëmje të mëdha të hapjes së verimimit te Mrizat e Jeshnicës sigurisht të do shfaqej natyrshëm erotizmi baritor. Ndoshta në ambjente të tilla ka lindur fillimisht Kulti i Erosit. Në këngët e atyre mbrëmjeve të gëzuara, gjeja që do t’i bënte më shumë përshtypje një njeriu të qytetruar ishte erotizmi i nënkutuar , i thënë me nji finesë të çuditëshme:
Moj e mirë që rrin te blini,
T’kenka shkye kmisha te gjini ).
Një prolog i tillë lirik në Mrizat e Jeshnicës hapte çdo verë. Atje ku dielli edhe në pikun e ditës e humbë forcën e tij para pyjeve të dendur, pëllajave të mëdha, gurrave e kroeve të freskëta dhe shpellave të mbushura me borë gjatë dimrave.
Të nesërmen e mbremjes së madhe në Jeshnicë të gjithë shpërndaheshinme njerëz e me bagëti nëpër destinacionet e veta, ku kishin stanet në bjeshkët e Grebenit, Seferçës, Përbicës, Mujanit .

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.