METAFORA – MUZA FILOZOFIKE E MENDIMIT TË AVANCUAR

0
132
Mund të jetë një vizatim i 1 person dhe tekstiFjala apo shprehja që përdoret me kuptim të figurshëm e që mbështetet në një krahasim, është metaforë, gjithashtu edhe një figurë letrare e cila ndërtohet në bazë të krahasimit, sipas një ngjashmërie. Për ta zbërthyer edhe më tej këtë figurë letrare, e cila është edhe shpirti dhe organika e artit të shkrimit, do të shohim trajtesën e ngritur pikërisht për këtë çështje. Metafora si figurë gjenetikisht është e vjetër edhe sa vet e folmja e njerëzimit dhe evolucionit të komunikimit të njerëzve. Nëse e japim këtë konstatim dhe nisemi logjikisht në zbërthimin e saj, do të shohim se qysh në fillimin e komunikimit ndër-njerëzor, çdo fjalë që është përdorur mund të shihet se ka qenë metaforë. Kjo mu për faktin se gjërave u është gjetur një lloj krahasimi në fjalë në bazë të ngjashmërisë së asaj figure a sendi. Dhe jo gjithmonë ka qenë e kuptueshme për të gjithë. Po kjo i takon evolucionit të zhvillimit të gjuhëve, megjithatë kjo teori qëndron edhe për metaforën. Ndoshta për ne që jemi mësuar, që sa herë shqiptojmë fjalën metaforë, kujtojmë se ajo i takon vetëm artit dhe e identifikojmë me artin. Por në jetën praktike të komunikimit, ajo zë vend të caktuar, dhe si e tillë, metafora ka shtrirje të gjerë edhe në fushat e tjera të artit dhe të jetës në përgjithësi. Gjatë këtij ligjërimi s`do të ndalemi tek përdorimi i saj i gjerë, por nëpër pika të caktuara do të prekim shumë aspekte tjera nga lëmi i artit të fjalës, që pa metaforën as që do të mund të imagjinohej.
Nëse i hedhim një vështrim koloritit të ngjyrave në natyrë, syri ynë do të ndesh në mijëra sosh, por mjeshtëria qëndron në faktin e ndjenjës sonë dhe faktit të perceptimit të tyre për t’i dalluar ato. Ashtu siç është bota e ndërtuar nga ngjyrat e saj të shumta, nga larushia e mijëra gjërave të tjera që e ndërtojnë atë, ashtu edhe për metaforën mund të thuhet se ka mijëra sosh të cilat me kombinimet e ndryshme do të mund të fitoheshin metafora që vështirë t’u përcaktohej numri i tyre. Pra, edhe metafora ka shumëllojshmërinë e vet. Kthehemi prapë tek fakti i ngjyrave për të dalë edhe tek mjeshtëria e krijimit të metaforave dhe aftësive krijuese të gdhendësit të saj.Mund të jetë një imazh i 1 person, trombë dhe teksti që thotë "UDHE, UDHë, UDHỂ Asaj udhe kah u nisën udhët bënë udhë litarin e ikjeve zvarre e tërhoqën ikjet kulle ne kulle u shituan mashtrimet e lakmisë lisat u shkundën e peme S gjethuan mẽ bryme ra mendimit te mire S pipuan shpresat shkretuan endrrat, shkretoi e nesërmja nga koka, nga mendimi u shkund shk lakmia gjithçka mori me vete dhe moskthimet ikjet u bënë mall malli mbeti udhève"
Nga ky kënd, konstatojmë se shumëllojshmëria e metaforave është e pakufishme, falë mundësisë së pafundme të kombinimeve nga imagjinata e krijuesit të tyre. Nga kjo shohim se secili krijues ka mundësinë e krijimit të metaforave të tij të cilat në zhvillimet e sotme të artit, sigurisht se do të jenë të kapshme dhe të kuptueshme. Dhe asnjëherë nuk mund të themi se një krijues me figuracionet e tij metaforike pati të drejtë e një tjetër jo. Apo asnjëherë nuk mund t’i jepet të drejtë njërit autor, e tjetrit jo. Bukuria e tyre, ngjyrat dhe figuracionet që simbolizojnë ngjashmërinë, e bëjnë të dallueshme atë dhe, shija e tyre tek lexuesi e përcakton simpatinë e akceptimit. Nganjëherë më duket e pakuptueshme pra, kur kemi mundësi të bëjmë mijëra kombinime për të nxjerrë mijëra metafora, dhe shërbehemi me krahasimin e pararendësve apo filan poetit. Mendoj se brenda kësaj mundësie, secili krijues duhet të bëjë përpjekje të krijojë figuracione, metafora të reja, të cilat sigurisht se përveç që do të krijonin në veçanti në vargje, do të pasuronin edhe fjalorët dhe gjuhën e komunikimit, por do të krijonin edhe mundësinë e avancimit të gjuhës e të vargut. Dhe sigurisht me pak përkushtim dhe investim në kohë, krijuesi do të arrinte të krijonte metaforat e veta për secilën figurë. Nëse do ta merrnim figuracionin e diellit, hënës, natës, jam shumë i sigurt se do të mund të krijonim qindra metafora që do ta identifikonin atë figuracion për të cilin jemi përcaktuar. Pra metaforat asnjëherë nuk janë fikse dhe të pazëvendësueshme, veç i duhet përkushtimi i krijuesit për gjetjen dhe kapjen e tyre në shumëllojshmërinë e kombinimit të fjalëve. Ka raste kur i gjithë vargu si tërësi përbën një metaforë, e kjo ndjeshëm reflekton kur vargu ndërtohet me gjuhën e fjalëve të përditshmërisë. Në këto raste duhet të harrojmë se të gjitha fjalët dikur kanë qenë metafora. Për shembull, nëse e marrim vargun: Na vodhën udhët, në këtë rast vargu është i ndërtuar me çiltërsinë e fjalëve tanimë të kuptueshme, por kuptimi si tërësi në këtë rast mund të akceptohet si metaforë. Apo vargu tjetër: Mbi urti ngrita durimin, edhe këtu e kemi rastin kur kuptimi i fjalisë mund të perceptohet si metaforë. Pra, ajo që e bën të rëndësishme për metaforën, është fakti se prej lexuesit përjetohet si metaforë. Gjithmonë nëpër vargje e rëndësishme është ajo që lexuesi e ndjen dhe e përjeton si metaforë, në raport me krahasimin dhe ngjashmërinë që i jep krijuesi vargut me simbolikën e synuar. Në këtë rast, sa më hermetike të jepet simbolika krahasuese, ku kuptimi i metaforave do të mund të jetë abstrakt. Një shembull tjetër të metaforave më komplekse: Në kupën e mendimit na e vranë të djeshmen, një shembull ku brenda fjalisë kemi disa metafora, apo rasti tjetër:Mund të jetë një imazh i 1 person Kot i daltojmë kokat sikletojmë me të sotmen.
Në përsosmërinë dhe hermetizmin e fuqisë metaforike, gjithmonë e shohim edhe fuqinë e vargut dhe ngritjen e vazhdueshme, e që kjo do të krijonte privilegje ngritjeje edhe për atë që i krijon ato. Edhe një shembull nga ky lloj i metaforave; Kur kolaborojmë me ligësinë e mendimit, në këtë rast nuk është fjala si veçanti, por zbërthimi i simbolikave të fjalisë merr kuptimin e metaforave brenda saj. Pasi që jemi në kërkim të simbolikave të reja metaforike, ajo fjalë që fiton një lloj transparence në kuptimin e saj të përgjithshëm, zhvendoset në llojin e metaforave të kuptueshme e të lehta, por që brenda fjalisë krijojnë simbolika metaforike, ndaj mbeten të rëndësishme. Sipas saj lind një lloj kategorizimi i metaforave, por ky nuk është qëllimi ynë në këtë elaborim; së dyti nuk është as fuqia apo hermetizmi i metaforës, por ajo që kuptohet si metaforë brenda vargjeve që simbolizojnë një lloj ngjashmërie me simbolikën që synohet në vargje.
Me etjen për ty e ngrij kalanë e vargjeve
Pa çka se mes fjalëve përvëlon zjarrmia
Të paktën të kam në metaforë aty në mes
Të ma freskon ballin sa herë më djeg vetmia
Pra është një ndjenjë që rri diku larg, e lënë peng dhe në këtë rast etja bëhet metaforë në simbolikën krahasuese të atdheut, ndërsa vargu si tërësi na jep të kuptojmë atdheun si metaforë (sepse poeti është i mërguar dhe vargun e shkruan larg atdheut). Me që këtu kemi të bëjmë me vargje të gjata, në pjesën e dytë kemi metaforat: kalanë e vargjeve, si imazhe qetësuese të cilave u paraprin metafora e zjarrmishme e mallit. Vargut teposhtë metaforat vibrojnë si kokrrat e qershisë në pemën plotë fryte, që mbushullon mes gjethesh, dhe sa herë përballen me erën, veç sa shpalosen gjithnjë e më tepër, duke nxjerrë fryte të reja. Në këtë rast simbolika qëndron në faktin, se sa herë i lexojmë e i zbërthejmë këto vargje, veçse i shpalosim metaforat nëpër varg dhe simbolikën e krahasimit të tyre në mallin e poetit si metaforë. Në vargun e fundit: Fjala në varg bëhet freski për poetin dhe sikur ia shuan zjarrin e brendshëm të mallit, si një terapi shëruese nëpër udhët e mërgimit të tij.Mund të jetë një imazh i 1 person
Le të marrim dhe një varg ku koha djeg si një lloj zjarri i brendshëm që askush nuk e sheh, por që simbolikën e vargjeve e zverdhin pamëshirshëm motet e poetit, si një gjethe e harruar vjeshte diku në një skaj të harruar të një peme.
Si gjethe, vetmuar në degën e thyer
Ku të rrahin furtunat pamëshirshëm vazhdimisht
Zverdhemi moteve harruar, me shpirtin e thyer
Dhe digjemi nëpër mall tmerrësisht
Me këto vargje synojmë të sjellim sa më shumë simbolika metaforash. Në këtë rast, mallin si metaforë që shumë shpesh është prekur nëpër vargje të poetëve, por synimi ynë është të paraqesim sa më shumë simbolika metaforash me të cilat e ndërtojmë vargun tonë. Në prezantimin tonë nuk kemi marrë vargje nga krijues tjerë, por me që kemi aq shumë vargje dhe metafora nga krijimtaria personale, duam të mbetemi brenda kornizave tona, sepse në fund të fundit, edhe kjo trajtesë për metaforën si muzë e filozofisë së mendimit, është këndi i ynë personal dhe ajo se si e shohim dhe e perceptojmë metaforën si element bazë i ndërtimit të fjalës në vargje. Le të kthehemi prapë te metaforat dhe të marrim librin: Etje në fjalë dhe të shohim kombinimin e këtyre dy fjalëve apo dy metaforave të cilat brenda një bashkimi, krijojnë një simbolikë metaforash shumë domethënëse dhe filozofike si tërësi. Pra me fjalën e parë për Etjen, në kuptimin metaforik kemi të bëjmë me mungesën e diçkaje që të krijon zbrazëti, dhe në këtë rast brenda kësaj tematike vibrojnë vargjet e mallit, i cili e shoqëron poetin e mërguar dhe sigurisht se kjo largësi me mëmëdheun, krijon etje, por kur kemi të bëjmë me poetin e mërguar që e krijon vargun, etja e tij ndihet mes fjalëve. Dhe metafora e dytë në këtë rast fjala i jep kuptimin edhe të parës, dhe duke i lidhur në mes vete, na japin një metaforë të mrekullueshme me kuptim filozofik nga muzat e mendimit.
Na mbyti etja e fjalës e u thamë në mall
Për pak burim vendlindjeje e këngë atdheu
Ikjes po i zbardhet mendimi koha po plaket
Udhët kryq e tërthor dhe gjeografi e ikjes
Metropolet Evropa dhe ëndrrat shpresat e vrara
Që s`na u fikën, dhe daullja e harrimit që na ndjek këtë udhëtim
Mik i mirë ti atje mes mallit, m`i këndo bukur mungesës
Brenda këtyre vargjeve aq dhimbshëm tingëllojnë metaforat, sa që malli si metaforë është aq përvëlues dhe vrastar për shpresat e kthimeve, vargje të cilat herë herë në kuptimin metaforik simbolizojnë edhe zhgënjimin e poetit, që herë herë nga dekadat e gjata udhëve, e kaplon edhe muzën e mendimit të tij.
Le të marrim një varg i cili ndoshta do të duket ca i rëndomtë, por që nga rëndësia dhe pesha që e ndjen poeti nëpër udhët e tij, për poetin e mërguar ka peshën e freskisë nëpër mall: Në brazdën e këngëve të mia / Mbjellë i kam vargjet / … Vadit i kam / Në kroin e gurrave të vendlindjes/ … / E ngroh me rrezet e diellit të Sharrit / Që të mbushullojë fruta vargjesh / … / Që bima e mendimit për të nesërmen / Të lulëzojë e çiltër ndër breza / … NË BRAZDËN E KËNGËVE TË MIA  Mund të jetë një imazh i 1 person, ambiente të jashtme dhe monument
Dua të përmend edhe disa shembuj të metaforës lirike, që të krijojmë një lloj larushie në prezantimin e metaforave, duke hyrë në botën e ndjeshme të lirikave të dashurisë, të cilat sigurisht se përbëjnë një përqindje të madhe në artin e letërsisë përgjithësisht në botë, e sigurisht edhe tek ne. Shembujt që do të sjellim nga libri: Duhemi sikur… (libër me lirika, i botuar në vitin `14), një lirikë ku vargu poetik në metaforën krahasuese vjen si nostalgji. / Një degë shelgu dua të jem / Në mes të belit të më lidhë / Të të shtrëngoj aty në mes / Pastaj në vdeksha, le të vdesë /, Në shpalosjen e mëtutjeshme të vargjeve, poeti e trazon nostalgjinë e dikurshme në rininë e tij, por brenda vargjeve të shkëputura, ndalemi në ndjenjën e së tashmes. Ndalemi tek ngjarja e poezisë, poeti përcakton një kohë nga rinia e tij në atdhe, ku gjatë fillimit të majit vashat nga vendlindja e tij festojnë Shëngjergjin. Dhe gjatë mëngjesit të gjashtë majit, të gjitha vashat e fshatit mbledhin degë shelgu me gjethe të njoma dhe i lidhin në formën e kurorave në mes të belit dhe mbi kokë. Këto kurora bëhen nostalgji e ndjenjës poetike, përmes së cilave ai shpalos nostalgjinë ndaj bukurisë së gocave të vendlindjes së tij. Në këtë rast metafora Degë shelgu bëhet ndjenja e poetit, për të arritur synimet e etjes rinore. Tek tri vargjet, në këtë lloj të metaforave, ecin drejt një synimi të caktuar, derisa vargu i katërt merr simbolikën e dhimbshme. Në këtë rast, dhimbja bëhet një lloj bindëse të mos themi mashtruese, por një lloj nënshtrimi deri në përjetësi të heroit lirik. Edhe në këto vargje, metaforat që mbushullojnë pranë njëra tjetrës, sikur e plotësojnë vargun dhe i japin kuptimësi krahasimit të tyre me subjektin lirik të prezantuar brenda vargjeve.
Le të marrim edhe disa vargje tjera nga tipi i lirikave, kur ky kapërcim yni nëpër jetën njerëzore i ngjan një ëndrre, nëpër të cilën sikur kalojmë përgjumshëm dhe ikim tej këtij kapërcimi. / Koha e ëndrrave për ty ecën përpara / Si një rreze dielli në mëngjesin e ri / Për mua moti ka perënduar dielli / Ndaj mos ke frikë nga e imja nostalgji /. Nëse ndalemi në këtë formulim të jetës si një ëndërr, realisht duhet mospajtuar, por fakti se për ne e rëndësishme është se ngritëm një metaforë e cila në imagjinatën tonë do të nxiste edhe më shumë kujtesën brenda leximit të këtyre vargjeve. Por kjo është filozofia ngacmuese e metaforës, e cila sikur synon të hapë horizonte të reja të mendimit, për ta ngritur në vazhdimësi dhe për ta pasuruar edhe më tej metaforën. E di se nuk jam i vetmi, sepse edhe letërsitë e tjera njohin këso formulime për jetën, të cilat i japin një lloj ngjashmërie metaforave të shumë kulturave dhe gjuhëve. Por janë simbolikat, ato që e ofrojnë artin e metaforat me gjuhët e ndryshme të botës, ashtu siç ndodh me artin e pikturës, apo edhe në artet e tjera kulturore.
Le të kthehemi edhe pak tek metaforat e mallit, të cilat sikur bëhen urë lidhëse mes dy brigjeve të largëta siç është në rastin konkret atdheu dhe poeti i mërguar në një dhe të huaj larg tij. Sa do që duket e thjeshtë, ajo prezanton një botë të gjerë të jetës njerëzore, sidomos të komunitetit tonë i cili në masë të madhe është i mërguar jashtë trojeve të veta etnike. Malli si një urë lidhëse në mes, është metafora e cila brenda vetes kapërthen dhimbjen, vetminë, largësinë, mungesën, por herë herë edhe një lloj terapie qetësuese për kujtesën e njeriut të mërguar larg atdheut.
.. Malli më merr flatrave e më hedh flladeve diku larg
Dhe m`i mbushullon muzat e kthimeve përtej kësaj zjarrmie
Të mos m`i këputet peri i shpresës së kthimeve
Nëpër motet e vonimit ia plakim motet mallit
E në kronikat e pritjes i shkruajmë pergamenat e vonimit
Derisa mbi kokat tona po qelin lulet e bardha
Nëpër këto fjalë, metafora e mallit vibron si frytet në pemën e trazuar nga era, e që kërkojnë vjeljen. Të tilla janë metafora të trazuara nga dhunti shkrumbuese e mallit, të cilat herë bëjnë flatra për një fluturim të gjatë diku flladeve të atdheut dhe brenda muzave të trazuara të mendimit të shkrumbuar, edhe vargu sikur kërkon të kthehet me mallin, derisa të mos këputet asnjëherë shpresa e lodhur dekadave nëpër pritjen për kthim. Nga kjo që thamë, fjalët e përsëritura (të shkëputura nga tre vargjet e para), përbëjnë simbolikat e metaforave të cilat në një formë vibrojnë rreth mallit. Njësoj do të ndodhte edhe me vargjet tjera më poshtë. Në këtë rast malli dhe largësia janë aq afër sa që do të ndihej e tepërt sikur të thuhej tanimë ai qëndron si një urë në mes largësisë dhe individit të mërguar, sepse me vargun në mes, shkrihen të gjitha notat e dhimbjes për t’u bërë një me vargun. Le ta zbërthejmë pak kohën dhe largësinë e poetit, për ta kuptuar drejtë dhe arsyeshëm metaforën e mallit. Udhët e gjata prej dekadash sikur i brejnë kujtimet që mërgimtari i bart me vete nga koha dhe copëzat e jetës së tij të kaluara në atdhe. Malli sikur e përcjell dhe i bëhet i pandashëm edhe nëpër udhët e tij, si një zjarr që për çdo çast përvëlon në gji. Ky mall rëndon gjithmonë dhe herë herë edhe në fjalë kemi metaforën e zjarrmisë, e zjarrit që djeg. Në këtë rast kemi mallin dhe zjarrminë si dy metafora që në vazhdimësi janë në konflikt të vazhdueshëm me njëra tjetrën. Të dyja këto metafora përbëjnë boshtin dhe organikën e vargut të ndjenjës së mallit, apo vargun e poetit të mërguar i cili krijon vargje për atdheun e munguar.Ist möglicherweise ein Bild von 1 Person
Largësisë sate digjet sa e sa mall
E hijeve të tua flladiten ylberet e shpresave
Brezat që t’i vodhën udhët
Tani je bërë dhimbje e shpirtit
Vargut kudo që na ndjek
Zjarrmi e fjalës
Këngë e lënë përgjysmë
I morëm si shembull edhe këto vargje, për ta argumentuar definimin e fundit që e dhamë më lartë, si argument i cili i gërsheton në varg.
Le të marrim vargun si një notë proteste, si një shpërthim kundrejt kohës dhe robërisë, që mbretëronte përpara dy dekadave në atdheun e poetit. / S`dua të shkruaj në kohë të trazuar / kujtimet e liga do t`i ndrydh në mua / sepse jeta e njerëzve në tytë është mbërthyer /. Janë këto vargje të shkruara në kohën e aparteidit që e bënte okupatori i huaj mbi gjenin e fisit të poetit. Poeti nuk dëshiron të bëhet vrojtues i thjeshtë i ngjarjeve të tmerrshme. Ai rri karshi skenave duke mos dëshiruar të jetë vetëm vrojtues i tyre, por i vë në thumb ata që e zvetënojnë kohën dhe lirinë e një kolektiviteti të tërë. Edhe pse duket se në heshtje i vrojton gjërat, shpërthimi i zërit të tij të brendshëm nuk hesht, prandaj është muza e tij e frymëzimit, e cila shpaloset përmes filozofisë së metaforave në vargje. Nëse e zbërthejmë edhe më gjerë në vargjet e librave: Klithmë malli, Qiellit po digjem, Flakë në plagë apo Kënga e babait, do të ndeshemi me metaforat e ndrydhura të cilat gjithmonë synojnë të shpërthejnë drejtë simbolikës së lirisë, e cila në këto kohë i mungoi poetit dhe atdheut të tij. Pra, sërish kemi dy lloje metaforash të cilat në përmbajtje krijojnë raporte diametralisht të kundërta dhe ndërkonfliktuoze mes vete. Robëria dhe liria, dy nga metaforat të cilat e ndërtojnë gjithë atë universin e brendshëm të vargjeve, si shprehje e shpirtit poetik në vargje. Japim edhe disa vargje të shkruara në kohë robërie, që brenda metaforave shprehet një guxim i cili herë herë brenda vargjeve militon hapur; / Vjen si pranverë e bleruar / me uniformë të gjelbëruar / qëllon me lulëkuqe në tokë, në lumë / martirët s`i le dot në gjumë / … /Nata hesht apo fik pikëllim / ditë e lirisë ç`e ngrys mallkim /. Vargu metaforik krijon mundësinë e mbylljes së qëllimit dhe shprehjes së tij me nota tjera të fjalës, si mesazhe për lexuesin. Zaten kjo është edhe filozofia e shprehjes metaforike.
Një lloj tjetër të metaforave mund ta marrim atë të urtisë që zakonisht është e krijuar dhe e bartur nga gojë e popullit. Sigurisht se kjo lloj metafore që e quajmë ne, është shumë e vjetër dhe se për të mund të thuhet se është e lindur përpara metaforës së shkruar në artin e shkrimit. Edhe ky tip i metaforave e ka filozofin e mendimit e cila filozofi është gdhendur e bartur në popull si një lloj urtie popullore. Por, për ne edhe kjo metaforë është një pasuri e jashtëzakonshme, sepse në vete përmban atë kombinimin e mijëra fjalëve me të cilat ndërtohet ajo, dhe si e tillë larushia e saj brenda simbolikave është e shumëllojshme. Le të marrim një shembull nga urtia: Nata s`ka dëshmitarë. Në këtë rast, jo veç fjalët që mund të merren si metaforë, por lidhshmëria e tyre na krijon simbolika të metaforave imagjinative të ligësisë së natës dhe rrezikut që mund të na sjellë ajo. Së dyti, nga ky definim i shkurtër përmes tri fjalëve, mbështillet në kuptim shumë i gjerë i bisedës mes njerëzve, dhe kuptimi metaforik i saj, sikur i shkurton ato dhe i bën më të ndjeshme e më të kapshme. Marrim edhe një shembull të urtisë për lirinë; / Liria as nuk falet, as nuk blihet, por fitohet /, E gjithë fjalia kur lidhet së bashku, na jep një kuptim metaforik, për të cilin edhe thuhet kjo urti. Megjithatë, edhe fjalitë në vete japin kuptime të ndryshme, të cilat për kah akceptimi i metaforës që bartin brenda mesazhit, flasin shumë. Dhe konstatojmë se lloji i metaforave që lind nga urtia popullore, gati gati prek majat e zhvillimit të metaforës, sepse aty është shkrirë e gjithë filozofia e zhvillimit njerëzor, dhe se të gjitha llojet e metaforave të tjera, janë një lloj rrjedhe e frymëzuar nga ky tip i metaforës. Ja edhe një shembull nga një metaforë e mrekullueshme e cila është gdhendur nga mjeshtëria e gojës së popullit dhe është bartur ndër brezni: Gjuha s`ka kocka, po kocka thyen. Një filozofi e thellë e cila në kuptimin metaforik kapërthen në vete një univers të gjerë të mendimit, në pak fjalë apo metafora fjalësh. Dhe ajo që na intereson – kuptimësia e fjalëve brenda urtisë, apo metafora e mendimit, të cilit i dedikohet, e cila edhe aq më kuptimplotë e bën simbolikën për të cilën thuhet si urti. Këto thënie janë aq të përsosura, dhe se metafora e saj në çdo kohë e ruan kuptimësinë dhe freskinë. Nga ky kënd është frymëzuar edhe letërsia dhe artet e tjera për të vazhduar në krijimin e metaforave të reja. Ka mijëra fjalë të cilat në bashkimin mes vete krijojnë qindra mijëra kombinime metaforash të reja, gati gati të pakufishme për nga numri i tyre.
Duke mbetur tek ajo popullorja, do të ndalemi të një lloj tjetër i metaforave, ato të folklorit, të cilat po ashtu ngjajnë shumë me këto që u thanë më lartë, pasi që janë të frymëzuara nga i njëjti burim i gurrave të mendimit popullor. Le të marrim këngët tona të cilat gjithmonë kanë qenë burim frymëzimi për jetën dhe mbijetesën tonë, për dritën dhe për lirinë: / Hej ç`po i bien era more retë e zeza / vinë prej malit more breza breza / Na ka shkelë hasmi te dera /, janë një tip metaforash që gati rimojnë si në vargje dhe simbolizojnë motive tepër të gjera në simbolikën e tyre. E para se brenda vargjeve ka shumë metafora që lidhen njëra me tjetrën duke na dhënë atë simbolikën metaforike të ngjarjeve me konotacion historik, dhe duke na krijuar imazhe, të cilat brenda imagjinatës metaforike simbolizojnë një kohë dhe bëhen bartëse të tyre nëpër breza. Apo të marrim edhe vazhdimin e dytë të kësaj kënge: / Hej plaka n`votër mor e theu furkën / Fëmija i djepit po e kapi pushkën / Gratë n`llogore po e pjekin bukën /, edhe në këto vargje tipi i metaforave popullore të gjuhës sonë, krijon imazhe të cilat sikur bëhen dëshmi e një kohe historike, brenda një metafore e cila di të kapërthejë brenda pak fjalëve, ngjarje të mëdha, zaten kjo është filozofia e metaforës.
Jemi shumë të vetëdijshëm se në trajtesën tonë për metaforën ka mbetur edhe shumëçka pa u thënë edhe shumë shembuj pa u zbërthyer nga tipat dhe llojet e metaforave, por mendojmë se për këtë studim do të mjaftonin këta shembuj, duke mos i hyrë në hak askujt, pos vetes dhe krijimtarisë sime nga e kamë vjelë pjesërisht.Mund të jetë një imazh i 1 person dhe mal
Dua të kthehem sërish tek filozofia e metaforës së mallit, sepse ajo është edhe brenga e muzës sime dhe e vargut tim. Le të marrim vargun: / E ti mbathim mbathcat e kthimeve, e të ikim. /, jo pa dashje, shkëputëm këtë varg, për të kapur dy metaforat siç janë: mbathcat dhe kthimet, të cilat si të veçanta janë metafora të zbehta, por në një bashkim në varg ato ndërtojnë së bashku një simbolikë metafore e cila merr kuptim shumë domethënës. Pra, ky është ai kombinimi apo bashkimi i fjalëve për të krijuar simbolika e metafora të reja të cilat do të hapnin horizonte të reja në zhvillimin e artit metaforik dhe fjalës në vargje.
Le të marrim edhe një shembull nga dy vargje që kombinimi i metaforave apo ndërrimi i vendeve në përdorim brenda fjalisë nuk pëson shumë ndryshim si në rrjedhën e fjalës, ashtu edhe në kuptimësinë e saj: / Herë i ushqejmë shpresat me kthime / Herë i djegim ato tek na harron harrimi /, në të dyja vargjet në metafora; shpresat me kthime apo harron harrimi, edhe po t’u ndërrohej vendi, metafora si simbolikë e vargut komplet nuk do të pësonte ndonjë ndryshueshmëri brenda ngjashmërisë krahasuese për simbolikën e synuar që kapërthen vargu. Pra, edhe po e përdorëm metaforën; kthimet me shpresa, apo harrimi harron, simbolika nuk do të pësonte ndonjë lëndim, pos rrjedha e fjalisë në varg do të reflektonte në shqiptimin e drejtë apo përdorimin e drejtë të sajë. Një shembull tjetër që duam të japim, do të shohim se forma e metaforës duhet të pësojë ndryshim për një përshtatje brenda vargut, por me një nuancë të lehtë të ndryshimit të kuptimësisë së simbolikës së metaforës.
/ Ti për çdo ditë digjesh nëpër zjarrminë e fjalës /, nëse marrim metaforat: zjarrminë e fjalës dhe i ndërrojmë vendet dhe e shkruajmë: fjalën e zjarrmishme, nuancat e kuptimit të metaforës sikur pësojnë një ndryshim, në fakt në rastin e dytë sikur zbehet vargu, dhe fuqia metaforike për një nuancë të caktuar na e zbeh metaforën krahasuese të cilës i dedikohet vargu. Këtu kemi një lloj ndjeshmërie poetike, apo edhe mjeshtri në vendosjen e metaforave, sikur në lojën e shahut; nëse figurat e lojës i vendosim nëpër vende të gabuara, sigurisht se as loja s`do të kishte efektin e vet. Edhe një shembull nga ky tip i metaforave, ku metafora në fjali nuk bën të lëvizet apo të bëhet ndonjë rrotullim i saj brenda fjalisë: / çatinë e ka mbuluar bari i harrimeve /, apo tjetra: / E ti i mbytur në alkiminë e udhëve /. Në të dy këto raste, metaforat: bari i harrimeve / dhe / alkimi e udhëve /, nëse do t’i transformonim metaforat brenda fjalisë, s`do të merrnin kurrfarë kuptimi, apo në të kundërtën, duhet kërkuar formulime e kombinime të reja që do të mund të kishin ngjashmëri me simbolikën e synuar.
Do të ndalemi pak edhe tek simbolikat krahasuese të metaforave për një objekt të caktuar. Në letërsi, ekzistojnë lloje të ndryshme të metaforave për një send, a objekt të caktuar, të cilat në fund të fundit do të krijonin pasurimin e gjuhës dhe një lloj koloriti metaforash për një send a objekt i cili merret si pikë referimi nëpër metafora.
Në letërsinë tonë, si një popull i cili nëpër shekuj kaloi nëpër robëri, për okupatorët tanë të cilët na qëndruan si korba të zinj mbi qiellin e atdheut tonë, kemi shumë lloje të ndryshme të shprehjeve apo definimeve të shkurta, të cilat për nga simbolikat do të përbënin pasuri në metafora, p.sh: / Korbi i qiellit tonë /, / Korbi i veriut /, / Gjarpri i veriut /, / Satanai i veriut /, / Barbari i veriut /, / Gjakpirësi i veriut /, / Krimineli i veriut /, / Veriu i zi /, etj, etj, e që dihet se në çka aludohet dhe se okupatori i trojeve tona, që na qëndroi mbi kokat tona për një shekull. Në këtë rast, jo veriu, por sinonimet që i dhamë, janë metaforat identifikuese të ngjashmërisë, me të cilat e identifikojnë okupatorin e trojeve tona etnike. Tema e interesimeve tona janë simbolikat e metaforave që nuk janë të pakta për nga numri i krijuar. Përmendëm vetëm disa nga ky lloj i metaforave pa u thelluar shumë në letërsinë tonë, pastaj në folklorin tonë, nëpër këngët tona, ku është krijuar një bagazh i tërë metaforash, në identifikimin e robëruesit tonë. Të gjitha këto lloje të metaforave identifikojnë një okupator që ishte i dhunshëm kundër një populli tjetër, dhe brenda këtyre fjalëve metaforike pasqyrohet edhe mendimi i popullit të shtypur për okupatorin. I dua këto lloje të metaforave, sepse më kujton një kohë kur brenda tyre shprehnim një lloj mllefi të çlirimit shpirtëror, sa herë i shqiptonim ato, dhe se përmes tyre komunikonim mes vete si popull i shtypur. Do të japim këtu edhe disa metafora për robërinë dhe lirinë, të cilat gjithashtu nuk janë të pakta për nga numri: Ditë e bardhë, pranvera e jonë, rrezja e dritës, shkëlqimi i diellit, mëngjesi i bardhë, qiell i bardhë, pëllumbi i dritës, agimet e bardha, ditë e bardhë, ngroh dielli, etj, etj, të gjitha këto metafora të përdorura në identifikimin e lirisë. Dhe ky lloj identifikimi me dritën, me bardhësinë, me ngrohtësinë e diellit, janë tip i metaforave ku përmes dytësisë së fjalëve identifikojnë simbolikën e lirisë. Ashtu siç është e bukur ajo dhe ndjenja për të qenë i lirë, edhe simbolikat janë shkëlqyese, dritëdhënëse, rrezatuese e të bardha. Ndërsa tani si shembull do të japim edhe disa metafora për robërinë: nata e zezë, qielli i nxirë, terri i natës, errësirë, re e zezë, mjegulla verbuese, nata shekullore, dielli i vrarë, drita e vrarë, etj, etj, të përdorura si metafora nëpër gjinitë e artit, por edhe në folklor, e etnosin e krijuar në popull. Me pak fjalë, metafora në të shumtën e rasteve në këto situata është përdorur si mburojë apo maskim në komunikimin mes artit dhe komunikimin ndërnjerëzor, duke e ditur se në të shumtën e rasteve, fjala liri në epoka të caktuara ishte edhe e ndaluar. U ndalëm për pak çaste brenda kulturës sonë në identifikimin e metaforave, por jam shumë i bindur se edhe kulturat e tjera dhe popujt tjerë në situatën që e kishim ne, apo edhe ata popuj që e kanë kaluar këtë fazë të ecjes nëpër histori, thuajse i kanë të përafërta këto lloje të metaforave.Mund të jetë një imazh i 1 person, i ulur dhe ambiente të brendshme Nuk dua të shërbehem me shembuj ashtu siç kam vënë pikë në fillim, se do shërbehemi nga rrethi i ngushtë i artit tim, për të mos i hyrë në hak askujt, apo edhe lartësuar askënd. Arti është për të gjithë dhe i të gjithëve, ashtu siç është edhe fronti i hapur për krijimin dhe identifikimin e metaforave. Por nga kjo që thashë më lartë, dua të identifikoj se edhe metafora shqiptare, ecën lart në zhvillimin e saj, krahas arteve dhe metaforave të kulturave të ndryshme në botë, dhe kjo më bën që të ndalem brenda artit të metaforave të krijuara tek ne. Pa ndonjë synim në lartësimin apo ndonjë qëllim tjetër, por duam të mbetemi tek metafora dhe filozofia identifikuese e saj, si shprehje e së bukurës në art.
Metaforat e robërisë që nganjëherë identifikohen me terrin e natës, si lloj krahasimi identifikues, zbërthen në vete vrazhdësinë që e ka robëria. Ky identifikim me terrin vjen si verbuese e dritës. Dhe në këtë mision, metafora ia arrin qëllimin ta identifikojë vrazhdësinë e robërisë, ligësitë e dobësitë që i sjell ajo, në ecjen e një populli përpara. E tillë është nata, terri verbues që bëhet pengesë e dritës, e që dihet se sa ka nevojë njeriu për shkëlqimin e saj, pa të cilën s`do të mund të imagjinohej evolucioni njerëzor, ashtu siç nuk do të mundë të imagjinohej jeta njerëzore pa lirinë. Në këtë pikë, metafora si figurë letrare e përdorur në varg, arrin kuptimësinë e plotë për ta trasuar atë që krijuesi e synon, ta përcjellë edhe tek publiku i gjerë. Për fund, duam të konstatojmë se ekzistojnë aq lloje të metaforave, ashtu siç janë edhe kombinimet e numrave në matematikë, që japin qindra mijëra e miliona, ashtu edhe llojet e metaforave janë të pakufishme. Me këtë duam të themi se, përveç që ato identifikojnë si të veçantë një send të caktuar, kombinimi i tyre do t’i deshifronte në qindra mijëra e miliona, e që për artin do të ishin pasurim i vazhdueshëm. Por, asnjëherë nuk do të hynim udhës së peshimit të tyre, se cila metaforë është më e bukur më e fuqishme apo më e saktë, sepse kjo do t’i takonte vendit, kohës dhe natyrës së përdorur në varg. Në fund mund të konstatojmë se metaforat bëhen një lloj kandili për imagjinatën njerëzore, duke e ngacmuar dhuntinë e secilit që hyn në botën e tyre, për të krijuar edhe metafora të reja, pse jo?…
Qershor, 2014, Zvicër
__________________
*Arkiva nga librat: Klithmë malli, Etje në fjalë, Mallëngjimi, Nxitoj të kthehem me dritë, Kthimit furtunat m`i bëjnë prita, çaste alpike, Duhemi sikur…, Art Metafora, etj, autor; Gezim Ajgeraj.
*Kënga popullore; ç`po i bien era, retë e zeza ( popullore).

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.