Mësuesi , porta e jetës së secilit !

0
1588

Namik Selmani – USA 

Jo të gjithë mund ta dinë një fjalë të urtë që vjen nga Japonia e largët. Posa ta dëgjojmë, do ta kuptojmë të gjithë se mesazhi i saj është po kaq aktual edhe për popullin tonë. Sidomos në këto ditë kur “presim shiritin e një ndryshimi të ri” “Po qe se do të shohësh veten 10 vjet përpara , atëherë, puno arën. Po qe se do ta shohësh 100 vjet para, aherë mbill pemë, ndërsa po qe se do ta shohësh 1000 vjet më para se të tjerët, ahere MËSO FËMIJËT,”-thotë kjo fjalë e urtë.

Shumë lehtë mund të kuptohet se në sinorët e mençurisë japoneze duhet ta gjejnë veten e tyre politikanët, prindërit, mësuesët, pushtetarët, pse jo edhe fëmijëte çdo vendi. Pra, ka një këndvështrim të gjërë. Është një mençuri që për vendin tonë është më se aktuale. Në udhëkryqe kohërash që të çojnë kah ndryshimi i pritshëm e i ëndërruar padyshim kemi e do të kemi nevojë për mençurinë që nuk njeh kufij kohorë e gjeografikë. ……Çdo qeveri e re që vjen e kupton se arsimi është Thembra e Akilit ku arsimi ku thuhet se arsimi është prioroteti i qeverisjes. Jo me më pak interes dëgjojmë herë pas here për reformat e gjëra që kanë përfshirë arsimin shqiptar në vitin e parë të qeverisjes Po a vazhdon që sot mësuesia të jetë si profesion i lakmueshëm për elitën shkollore shqiptare, në mënyrë që nesër të lindë një elitë të re kombëtare? Të paktën në të dy kahet ku mund të ecë mbarësia e arsimit në këto vite e më tej ka dy fronte ku mund të përqëndrohet politika e opinioni. Motivimi i mësuesve për të punuar dhe ndryshimi i mentalitetit për mirë i opinionit publik shqiptar për punën e mësuesit. Jo thjesht për nostalgji, por është një fakt që në Muzeun e Moshës së fëmijërisë të një brezi që akoma hap dyer klasash e jeton me tringëllimën e emocionin e zileve ende kujtohet loja “SHKOLLASH”. Djem e vajza të vogla vinin pafajësisht duart para gjunjëve dhe dëgjonin fjalët e urdhërat e “mësuesve” që improvizonin orë mësimi në një rrugicë qyteti apo në një shesh fshati. Kënaqësia fëminore shtohej edhe më shumë kur vendin e ‘mësuesit“ e zinin një nga një të gjithë “nxënësit’ e kësaj ‘klase“. E lojëra të tilla sot janë zëvendësuar shpesh me letrat e bixhozit, me pub-et, me lojërat e celularëve apo me makinat e improvizuara të minikartodromeve në sheshe qytetesh. Fushata elektorale mëshojnë me të drejtë problemin e pagave të arsimit. Mirë. Shumë mirë. Ndonëse me vonesë për arsye burokratike apo të tjera, mësuesët morën një pagë të dyfishtë, e cila ka rritur motivimin e nxënësve maturantë për të ndjekur udhën e mësuesisë. Po a fiton sa e si duhet mësuesia si profesion vetëm me këtë “kartë” politike e elektorale? Mendojmë se jo. Për këtë do të pyesja veten, kolegët ,politikëbërësit e arsimit: “Edhe sa kohë do të duhet që e gjithë elita e shkollave të mesme të vraponte së pari drejt dyerve të fakulteteve të mësuesisë e …më tej ç’të tepronte….. të vraponin drejt ekonomikut, juridikut, mjeksisë, gazetarisë, shkencave sociale, inxhinierisë, arkitekturës, etj? Duket pak sa absurde, idealiste pyetja-përgjigje. Përvoja e dhjetra viteve si mësimdhënës i arsimit të mesëm më jep një përgjigje negative (të paktën deri tani). Jo më pak më bind për këtë kundrarrjedhë edhe nga anketat verbale me nxënës të mirë të maturantë të shkollave të mesme me një cilësi rezultatesh në vitet e tyre. Shkurt MËSUESIA nuk është dega e parë për ta. që preferojnë akoma studentët e ardhshëm të Shqipërisë! Janë me mijëra nxënës maturantë që ende kërkojnë mjeksinë, juridikun, ekonomikun, shkencat politike e sociale. Qeveria këtë vit shkollor pretendon se do të liberalizojë shumë degë të shkollave të larta si disa degë të mësuesisë, si disa degë të inxhinierive si inxhinjeria tekstile ajo e minierave etj. Kuptohet se po të kishtë fluks të madh për arsye objektive të paktën tani për tani, nuk mund të merrej ky hap. Shikoni sërish ata kandidatë studentorë e më tej mësues të shkollave shqiptare pas katër viteve! Sërish janë ata që në shkollat e mesme kanë patur rezultate më të ulta në kufirin e notës 5. Kontigjentë prej nga do të dalin mësuesët e pas katër viteve janë ata që nuk e “hanë maloren” e degëve të privilegjuara. Janë ata që e kanë patur realisht mezataren e notës katërvjeçare 5-6. Natyrisht konkurrimi në tregun e punës qoftë publik. qoftë shtetëror pas viteve do ta ngrejë disi cilësinë, por nuk do të jetë premisë që Mësuesia të preferohet masivisht. Kjo ka krijuar probleme të mëdha për cilësinë e mbarëvajtjen e arsimit në zonat rurale ku ka ende mësues të pakualifikuar dhe kostua financiare e shtetit është jo e pakët. E, pra mësuesia mbetet ende një DILEMË. Mbetet një kështjellë që nuk ka luftëtarë të fortë,këmbëngulës e pasionantë e të aftë në bedenat e saj.Mbetet një sfidë për qeverinë e re. Mbetet një sfidë për familjet shqiptare që kanë kohë që e kuptojnë se para një kurbeti , duhet bërë arsimimi i fëmijëve. Është një sfidë që familja ia kërkon shtetit të ri demokratik, por që duhet të bëhet partnere më e aftë edhe në planin politik me institucionet arsimore. ……Që mesazhi i urtësisë japoneze të mos ketë vlerën vetëm në katër vitet elektorale të një legjitimiteti qeveritar, duhet menduar e punuar nga të gjithë. .Që dilemat e arsimimit të mos bien në kthetrat e disa sfidave nganjëherë dorëzuese, duhet punuar nga të gjithë. Të paktën nga ata që hapin e mbyllin klasa dhe e kanë lidhur jetën e tyre sa me rutinën, aq edhe me emocionin e tringëllimës së një zileje shkolle.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.