Ku po shkon Kosova?

0
427

Koplik , më 8 nëntor 2020 

Prof.Kadri Ujkaj                                             

anëtar i Akademisë Sh/Amerikane të Shkencave dhe Arteve – New York

Ndërkohë që, këto ditë, pas shmangies sui-generis të Albin Kurtit, nga kryeqeverisja e Kosovës demokratike vetëm brenda 50 ditëve të mandatimit të tij kryeministror, po ndiqja, në media, arrestimet kolektive të elitës së UÇK-ës, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit etj., partnerët kyç të BE-s dhe SHBA-s, në frontin e përbashkët për shkatërrimin e diktaturës genocidale serbe, në fund të shekullit XX, pas një shekulli robërie mbi Kosovën dhe popullin e Saj, më parakalonin në kujtesë masakrat serbe, nën ombrellën e Fuqive të Mëdha, mbi këtë popull të pambrojtur. Njëherësh, me këto, edhe fakti i pamohueshëm i grabitjes së territoreve shqiptare duke i garantuar“Serbisë -54800 km katrorë, Greqisë -51300 km.katrorë dhe Malit të Zi- 8400 km.katrorë sipërfaqe territori, fill pas Kongresit të Berlinit, të cilin At’Gjergj Fishta do ta denonconte: ”Po a ky është sheji i qytetnisë/ Me nda tokën e Shqipnisë/ Për me mbajtë këlyshët e Rusisë”(Prof.Ksenofon Kristafi, analiza”Sovraniteti dhe tërësia territoriale në fokusin e integrimeve rajonale…”,”Dita”, më 17.07.2020).Megjithatë, pasi nuk u mjaftuan as me gjymtimin prej një shekulli të trojeve dhe të dinjitetit të një vendi të vogël dhe të një populli të martirizuar, duke abuzuar deri me tragjizmin në genin e tij, në vitin 2002, Malit të Zi dhe Maqedonisë ua kalojnë, respektivisht, 8200 dhe 1500 hektarë tokë nga territori i Kosovës, kurse Serbisë, duke ia vënë Kosovës si kusht kryesor për normalizimin e marrëdhënieve me këtë të fundit, i garantohet “mina me sahat”, “Asosacioni i 6 komunave serbe” në tërë Kosovën”, Zajednica, si shtet serb brenda shtetit të Kosovës, identike për nga misioni me Republikën Serpska në Bosnje.
Megjithatë, të pangopur as me këto,Të Mëdhenjtë”bindin”, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, që me duart e veta dhe trurin e mpirë nga diktati gjeopolitik, të votojnë kalërimin e elitës udhëheqëse të UÇK-ës së lavdishme, krenarisë sonë mbarëkombëtare, drejt Gjykatës së Hagës, në funksion të një ekuilibri të ri, si barazpeshë mes agresorit dhe viktimës, përballë krimit genocidal mbi Kosovën, me synimin final të garantohet finalizimi i  interesave serbe.Asgjë aspak rastësisht:”Dhomat e Specializuara”apo Gjykata Speciale në Kosovë, nën diktatin e monstrave të krimit global, Dikë Martinëve e Del Ponteve, falë edhe brishtësisë së gjykatave në Kosovë, ndryshe Kali i Trojës, si kalërim i interesave të Të Tjerëve, po funksionon si instrument i neoskllavërimit të dinjitetit të një populli të vogël, sado i sofistikuar demokratikisht. Në kontekstin e dritëhijeve të frikshme, që po shoqërojnë fatin tragjikomik të 6 kryeqeveritarëve kosovarë, radhazi, ku asnjëri prej tyre nuk guxoi ta gëzonte të plotë mandatin qeverisës,  të cilin, krejt demokratikisht, ia besoi populli i Kosovës, kur Serbia është pranë anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova nuk gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë, si qytetar i Kosovës, në Evropën e Re, krejt natyrshëm të lind pyetja: Ku po shkon Kosova?!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.