KOHË KOVIDIANE

0
295
Nga:Drita Ballo
Lindim, rritemi, ndërgjegjësohemi, punojmë e mundohemi me dëshirën për një jetë të sigurt dhe të lumtur.
Tashmë po jetojme kohën kovidiane, atë me maska të ftohta, ngrohur nga thithja dhe nxjerrja e dyoksid karbonit. Kohën kur edhe natyra lëngon nga pritja e gjatë për të na mbushur me oksigjenin e saj.
Truri ynë endacak nuk di ku të ndalet… Psikovirusi mendjet e kthjellëta i ka futur në analizë të thellë për të kuptuar e qartësuar të vërtetën pa maska.
Jetojmë këtë katrahurë të imponuar ku dashuria dhe respekti kanë humbur lirinë. Virtyte të zbehura padashur, dominon “qerasja”: spërkatje duarsh me dezifektantët në çantë.
Kotësi, kaos mendor. Koha ikën në vetmi, pasiguri, deformim të harmonisë, pjellë kjo e mendjeve të varfëra e të mbrapshta që prodhojnë krizë dinjiteti.
Jetojmë kohën e trishtë të njerëzve larguar nga vetvetja që ngjallin mëshirë, kur pesha e të tatëpjetës ekonomike bie mbi shpatullat e më të dobëtit.
Kohën e frikshme kur nuk zotërohen çastet e bukura, por jeta ngjason si një lule margarita, grabësi ia heq një e nga një petalet në lojën tinzare “të dua, s’të dua”.
Jetojmë kohën e babëzitur të shërbëtorëve të errësirës, që me shpirt të izoluar shkaktojnë drama njerëzore dhe gllabërojnë njerëz të thjeshtë. Njerëz me shpirt të bukur, me dashurinë për jetën anekënd botës i përpin dheu…
Kohë kovidiane, por edhe e ekzistencës së harmonisë së shpirtit hyjnor, premtuesi i së ardhmes.
19 nëntor 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.