Lidhjet e Shkodrës dhe Austrisë janë të hershme dhe të festosh me një shtet mik është përherë kënaqësi. E nisëm ditën plot energji pozitive dhe shembuj motivues që na erdhën nga të rinjtë e Shkodrës, që falë mbështetjes së Ambasadës, Austrian Development Agency dhe Caritasit Austriak, janë përfitues të programeve të punësimit.
Duke shëtitur në pedonalen e qytetit dhe më pas një takim në zyrën e kryetarit të bashkisë, së bashku me ambasadorin Christian Steiner dhe konsullin e nderit të Austrisë Gjergj Leqejza, folëm rreth mbështetjes së vazhdueshme që na ka dhënë Austria. Shumë projekte janë realizuar falë këtij partneriteti dhe shumë të tjera do të punojmë t’i çojmë përpara në të ardhmem.
I lumtur që kjo lidhje mes popujve tanë sa vjen dhe bëhet më e fortë dhe uroj që së shpejti t’i festojmë këto data të shënuara si pjesë e një familjeje në Unionin Europian.