Ndër trashëgimtarët e fundit të lahutës/
Jonuz Delaj , një jetë e tërë me këtë instrument të lashtë.

Edhe pse mbi shpatulla mban 73 vite, Jonuz Delaj nuk resht duke i kënduar e shkruar këngë Malësisë, historisë së saj të lavdishme, traditës, kulturës e personazheve më të rëndësishëm në shekujt e gjatë të Malësisë.Ishte në moshën 7 vjeçare kur filloi ti binte lahutës, në një moshë kur lahuta ishte më e madhe edhe se vetë artisti.
Këtë instrument muzikor e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi që ishin mjeshtra të lahutës.Jonuz Delaj vazhdon të krijojë çdo ditë duke i kënduar Malësisë, figurave të saj, e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së saj.Kënga e parë e kënduar prej lahutarit Jonuz Delaj quhet: “Këta nizamët e shqiptarisë” që i dedikohej djemve shqiptarë të marrë peng prej Turqisë. Jonuzi është ndër të paktët trashëgimtar të Lahutës në Malësinë e Madhe. I lënë në hije prej të gjithë pushteteve, ai nuk u zemërua kurrë, por në zemrën e tij dhe shpirtin e artit kultivoi dashurinë për vendlindjen, atë që nuk e braktisi kurrë.Jonuz Delaj është dekoruar me Dekoratë e Klasit të Tretë nga Kuvendi Popullor si interpretues i vlerave kombëtare, folklorike dhe trashëgimisë kulturore.Ai është një nga rapsodët e shumtë të Malësisë së Madhe që ka dhënë një kontribut të madh në muzikën folklorike.

