“NJË JETË E TËRË KUSHTUAR LETËRSISË PËR FËMIJË E TË RINJ”.

0
172
Rakip Zhguni  Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
(Monografi kushtuar prof.as dr. Astrit Bishqemit, shkruar nga Ibrahim Ibrushi)
Kush nuk e njeh shkrimtarin, studiuesin dhe shkencëtarin Astrit Bishqemi! “Një jetë e tërë kushtuar letërsisë për fëmijë e të rinj”. Ky është titulli i monografisë kushtuar prof.as.dr. Astrit Bishqemit, shkruar me shumë pasion, me shumë dashuri, me përkushtim e devotshmëri, nga Ibrahim Ibrushi, i cili në pak faqe libri, por me peshë të rëndë ia kushton mikut të të gjithëve, i cili për gjysmë shekulli nuk reshti së shkruari dhe ka zënë vendin më të merituar në letërsinë shqipe. Në mënyrë të përmbledhur autori ka renditur meritat e vyera të prof Astritit, duke bërë një analizë të thellë dhe shkencore të tërë veprimtarisë së tij, veçanërisht në pesëvjeçarin e fundit. Tek Astriti Ibrahimi ka ka gjetur shkrimtarin, studiuesin e talentuar, kritikun dhe, mbi të gjitha, vullnetin e çeliktë, zellin e pareshtur, pasionin dhe dëshirën e zjarrtë, nivelin e lartë kulturor e profesional, horizontin e gjerë, vizionin e qartë e largpamës, aftësitë e spikatura intelektuale, krijuese e studiuese.
Ibrushi ka bërë me të vërtetë një monografi të përkryer, duke u renditur krahas studiuesve të tjerë të veprës së prof. Astritit. Duke e njohur prej vitesh, nuk ka se si të mos shkruajë me pasion e dashuri për eruditin e qytetit të Elbasanit dhe jo vetëm. Emri dhe vepra e prof. Astritit janë bërë të njohura brenda e jashtë Shqipërisë dhe shumë autorë kanë vlerësuar ndihmesën e vyer të tij në fushë të letërsisë për fëmijë e të rinj, por edhe në veprat studimore e shkencore kushtuar kësaj letërsie, pa harruar punën e tij si mësues, pedagog, autor tekstesh shkollore, gazetar, vepra skenike etj dhe, së fundi miniguida “ Elbasani e rrethinat”, të cilat janë dëshmi e pjekurisë të tij, e përkushtimit për t’u dhënë brezave, veçanërisht krijuesve, përvojën e tij të gjatë e të shumanshme krijuese e studimore. Siç thotë autori, prof. Astriti e nisi rrugën letrare me një vjershë të thjeshtë, por shumë shpejt ai do të krijonte e do të nxirrte nga mendja dhe dora e tij dhjetëra e dhjetëra libra, duke u bërë kështu një “bibliotekë më vete”. Autori përmend dhe liston veprat e dala nga puna këmbëngulëse e prof. Astritit. Në libër Ibrahimi përmend dhe studiues të tjerë të veprave të prof. Astritit, shkrime të miqve e shokëve të tij, duke e bërë librin tërheqës, gjithëpërfshirës dhe të këndshëm për ta lexuar.
Libri i Ibrahim Ibrushit është një dhuratë shumë e çmuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së prof. Astritit.Me këtë rast i urojmë atij jetë të gjatë, shëndet dhe penë të mprehtë, pasi lexuesi i vogël apo i rritur, krijuesit, studiuesit, dashamirët e letërsisë e të shkencës, lexuesit e thjeshtë presin prej tij vepra të tjera jo vetëm për të pasuruar bibliotekat, por për të mësuar nga përvoja krijuese e studimore e tij. Edhe autorit të kësaj monografie i urojmë suksese dhe punë të mbarë për të na dhuruar libra të tjerë.
2 korrik 2023

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.