Përg: ZIJA VUKAJ
Në prill të vitit 1937 avionët gjermanë në shërbim të gjeneralit Franko bombarduan dhe e bënë rrafsh me tokën qytetin bask të Guernikës. Pikaso e mori lajmin në Paris, ku jetonte. I tronditur nga tragjedia, realizoi për pak kohë pikturën që u bë vepra më e famshme e tij. Në të autori nuk përshkruan ngjarjen: nuk shohim shtëpi të rrënuara, as ushtarë të armatosur, as gjurmë të kuqe gjaku: vepra do të evokojë zemërimin dhe përbuzjen ndaj dhunës dhe luftës, çfarëdo qoftë. Për këtë motiv ajo është plot me vlera simbolike, si pëllumbi, simbol i paqes, nëna që shtrëngon në gji foshnjën e porsalindur etj.
Megjithëse format e copëzuara duken si një grumbull kaotik elementësh, në realitet paraqitja është strukturuar mbi bazën e një organizimi rigoroz, thuajse klasik. Historianët e artit e kanë konsideruar si pikturë që i përket kubizmit sintetik. Drita e ftohtë e llambës jep një hapësirë, në kulmin e së cilës mbizotëron figura e paduruar e kalit të plagosur, koka e të cilit rrotullohet në një britmë dhimbjeje; kafsha me barkun e zgërlaqur, vegël e njeriut në luftë, i ngjan tragjedisë njerëzore. Figura e demit hap kompozimin majtas dhe nën sytë e tij zhvillohet drama: demi (figurë tipike e kulturës spanjolle), që këtu përzihet me hijen e vdekjes, të kujton Minotaurin, emblema e iracionalitetit.
Në vepër mund të vihen re edhe figura njerëzore, si luftëtari i vdekur, i shtrirë në tokë dhe figura femërore: gruaja me llambë që zgjatet nga dritarja, gruaja në flakë, gruaja me fëmijën e vdekur në krahë dhe gruaja e zhveshur në ikje me shikim të ankthshëm drejtuar lart. Figura të paraqitura në shumë forma e të shpërbëra nga rënia evokojnë humbjen e njeriut. Vizioni i njëkohshëm mbi një plan të vetëm sysh, e bën tejet dramatik shikimin e tyre. Vetë gjatësia e telajos, gati 8 metra, nënvizon tragjizmin e lartë të ngjarjes, para së cilës asnjë ndërgjegje njerëzore nuk mund t’i mbyllë sytë.
Pikaso e filloi këtë pikturë më 1 maj dhe e përfundoi më 4 qershor të vitit 1937. Ai shprehej: “Në panelin ku po punoj… dhe në të gjitha veprat e mia shpreh qartazi neverinë dhe urrejtjen time për kastën ushtarake që e zhyti Spanjën në një oqean të dhimbjes dhe të vdekjes.”