Përg MIMOZA STAKAJ
Poeti Hajredin Kovaçi vjen për lexuesin në gjuhën malazeze me përmbledhjen me titull “Maske moraju pasti” (sipas poezisë së tij “Maskat duhen të bien”). Në të janë përfshirë 96 poezi, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga Qazim Muja nga pesë vëllimet me poezi të Kovaçit: “Ecje pa mbarim”, ”Fundi është larg”, ”Vrasja e frikës”, “Zhdukja e heshtur” dhe “Vdekja e fjalës”. Në fund të librit janë botuar fragmente të recensioneve të poetëve dhe studiuesve të letërsisë Salajdin Salihu, Basri Çapriqi, Anton Gojçaj dhe Liridona Sinishtaj – Doçe mbi poezinë e Kovaçit.
Përkthimi i poezive të Kovaçit në gjuhën malazeze i shërben zgjerimit të komunikimit dhe njohjes më të mirë të lexuesit malazias me krijimtarinë poetike të këtij autori, por edhe me letërsinë shqipe që krijohet nga autorët shqiptarë në Malin e Zi. Kjo është pjesë e politikës botuese të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si botues i këtij libri, që krahas botimeve në gjuhën amtare (shqipe), një pjesë e tyre të botohen edhe në gjuhë të tjera me qëllim të komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor me lexuesin joshqiptar.
Redaktor i librit është Dimitrov Popoviq, ndërsa redaktore gjuhësore Sanja Orlandiq. Ai është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë dhe është botim cilësor me lidhje të fortë. Botimin e librit e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.