Ky është oborri I shkollës 9-vjeçare “Branko Kadia” në Shkodër, një ndër shkollat të cilësuara elitare për nga përgatitja e nxënësve të shkollës.
Kjo është pasqyra që serviret në ditët me reshje shiu ku gropat e oborrit hyrës mbushen me ujë duke bërë të pamundur ecjen, pa u lagur këmbët e fëmijëve. Prindërit detyrohen të marrin fëmijët hopa ose t’i kalojnë me biçikleta.
Ndërkohë bashkia e luksit, I servir Këshillit Bashkiak projekt-vendime me miliona lekë të fondeve të rialokuara për të blerë 4 automjete elektrike dhe disa biçikleta elektrike (0 transparencë). Fondi i parashikuar prej 150 milionë lekë të vjetra, e bën situatën edhe më alarmante kur propozohet që kjo shumë lekësh të shkojë ekskluzivisht për administratën e Bashkisë, për blerje automjetesh e biçikletash elektrike të cilat do ndihmojnë në ‘ekologjinë e Shkodrës’, në një kohë që mbeturinat kanë mbuluar qytetin dhe tymi i djegies së mbeturinave helmoi mushkëritë e qytetarëve shkodranë gjatë gjithë verës …por kalojmë tek thelbi…
Imagjinoni çfarë mund të realizohej me 150 milion lekë…
Në vënd të automjeteve elektrike a do duhej që fondet e rialokuara të shkonin në rehabilitimin e oborreve të shkollave, në mënyrë që fëmijët të mos detyrohen të rrinë gjithë dimrin me këmbë në këpucë me ujë?
Në vënd të biçikletave elektrike a do ishte më mirë që 150 milionshi të shkonte për rikonstruksionin e ndonjë rruge lagjeje?
Në vënd të blerjes së automjeteve e biçikletave elektrike, a do duhej të investohej në parqe në blloqet e pallateve, në mbjelljen e ndonjë peme, në rehabilitimi lulishtesh dhe pajisjen e tyre me kënde lojrash ku fëmijët të mund të kalojnë pasditet e lira?
Ky është vizioni I Bashkisë së Re, bashkia e luksit që mendon për rehatinë e vet përpara se të mendojë për qytetarët që supozohet se I kanë dhënë votën!
Nuk është ky I vetmi oborr shkolle në këtë gjëndje, janë shumë të tjerë, por Bashkia s’ka sy për të parë, prioriteti I saj është shpërdorimi I fondeve, pa asnjë transparencë, për mjete luksi ekologjike në një kohë që Shkodra lëngon nga tymëra helmues mbeturinash.
“Prioritet do jenë kushtet në shkolla’ – ka qënë premtimi elektoral I kryetarit të tashëm të Bashkisë Shkodër. Por duket se prioritetet kanë ndërruar rrugës, nga ‘shërbim ndaj qytetarit’ në ‘shërbim ndaj vetvetes’!
150 milion lekë të vjetra do përmirësonin dukshëm kushtet e shkollave, trotuareve të dëmtuara, rrugëve apo rrugicave të pa asfaltuara, parqeve të ‘rjepura’ e shumë nevojave të tjera emergjente që ka Shkodra, por sipas vizionit të Bashkisë Shkodër, problematika më emergjente e Shkodrës është përdorimi I mjeteve elektrike sepse ndryshimi fillon tek luksi ndaj vetes…