JAK RROZHANI
Është përkujtuar në qytetin e Lezhës 20 Nëntori, përvjetori i çlirimit të këtij qyteti nga pushtuesit nazi-fashistë. Është një fakt historik me rëndësi të madhe , që Lezha e ka filluar luftën kundër fashizmit me herët se shumë rrethe të tjera të Shqipërisë, siç dihet me 7 prill 1939 në Durrës dhe në Shëngjin, populli e priti me armë zbarkimin e trupave fashiste italiane. Me ardhjen e brigadave partizane drejt veriut , populli i rrethit të Lezhës, u bashkua me partizanët , duke dërguar djemtë e vajzat më të mira që shtuan radhët e brigadave partizane. Në brigadën e VII Sulmuese u radhitën 54 partizanë e partizane. Po kështu nga rrethi i Lezhës morën pjesë partizanë në brigadat e XXIII -XXIV. Ata vinin kryesisht nga zonat e Bregut të Matës, Ishull-Shëngjinit, Ishull – Lezhës, fshatrat:Kallmet, Rraboshtë, Balldre, qyteti i Lezhës, Zadrimë etj. Kështu , nga rrethi i Lezhës morën pjesë në luftën nacional-çlirimtare mbi 470 partizanë e partizane e aktivistë të tjerë. Çlirimi i Lezhës dhe i Shqipërisë , realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve dhe të lezhjanëve , për çlirimin e vendit . Ajo hapi rrugën për të ecur drejt lirisë e demokracisë për të cilën ëndërruam e punojmë edhe sot . Lufta e Dytë Botërore i shkaktoi Lezhës dëme të mëdha . Forcat gjermane gjatë tërheqjes së tyre shkatërruan dhe plaçkitën 44 fshatra të rrethit të Lezhës, qytetet e Lezhës e Shëngjinit, si dhe hodhën në erë urat mbi lumenjtë Mat (Zogut)e Drin të ndërtuara në vitet 1934 dhe 1929 . Në përpjekje për çlirimin e atdheut dhe të Lezhës dhe për konsolidimin e pushtetit popullor , dhanë jetën bijtë dhe bijat më të mirë lezhjanë . Duke evokuar historinë e lavdishme, ne vlerësojmë të kaluarën tonë, por hedhim vështrimin serioz për të ardhmen ,për detyrat e mëdha që na dalin përpara , për zhvillimin e Lezhës, për çuarjen më tej të demokracisë dhe të zhvillimit të Lezhës dhe për t’u integruar në familjen e madhe europiane.