ARBËRIA NË ZI

0
(Ndahet nga jeta Mjeshtri i shquar arbëresh Pino Cacozza)
Preg: Ndue Lazri
Një lajm i hidhur ka pushtuar jo vetëm arbëreshët e Italisë, por mbarë kulturën shqiptare. Është ndarë para kohe nga jeta një mjeshtër i madh, një gjigand i kulturës arbëreshe dhe asaj kombëtare, Pino Cacozza (Zef Kakoca). Shkrimtar, poet, gjuhëtar, këngëtar e cantautor,aktor, poliglot, njeri me vlera të jashtëzakonshme e të gjithanshme e mbi të gjitha mik i thjeshtë i tërë arbëreshëve dhe i shqiptarëve kudo ndodhen.
Para dy javësh, miku i tij, këngëtari i madh Ilir Shaqiri shkruante për gjendjen e Pinos,që ishte shtruar në spital: Me Pinon nuk arrij të flas, por mesazhet i lexon.
Ishin ditët e fundit të tij. Nuk ia doli mbanë ta mposhtëte sëmundjen dhe u ngjit në qiell, duke lënë pas një trashëgimi të pallogaritshme për kulturën arbëreshe. I Lindur më 27 shtator 1957 në Shën Mitër Corona, pikërisht aty ku kishte punuar i madhi i arbëreshëve, Jeronim De Rada,që kishte lindur 2-3 km më larg në Machia Calabrese, ai u formua me një kulturë të gjerë, duke mbaruar edhe studimet universitare në Universitetin e Kalabrisë për letërsi e gjuhë të huaja. Përveçse i bënte një shërbim të përkushtuar arbërishtes, ai njihte shumë mirë edhe frëngjishten, anglishten dhe gjuhën e të parëve, gjuhën shqipe, për të cilën kishte dashuri të veçantë.
Përveçse krijues e interpretues i talentuar, si cantautor dhe si aktor, ai ishte organizues i palodhur i aktiviteteve artistike në shkallë të gjerë, si Festivali i Këngës Arbëreshe, ku ka qenë 4 herë drejtor dhe të cilin e ka fituar 6 herë me këngët “Ajri i jetës”, “Jemi një kulturë që nuk vdes”, “Me një mik afër”, “Kjo është festa më e madhe që ka Arbëria”,”E bukura vashëz,e bukura gjitoni” dhe “Ishte një herë”.
Njohës, dishepull dhe adhurues i De Radës, ai ka organizuar aktivitete të tilla me vlera shumë të mëdha si “De Rada e Milosao”, “Homazh për Jeronim De Radën”, “Rrënjët e Arbërisë”, “Udhëtimet e Arbërisë” etj.
Mendoj se nuk ka fshat arbëresh në Itali ku të mos ketë shkelur ndonjëherë këmba e Zef Kakocës. E nuk ka arbëresh që të mos e ketë duartrokitur atë në aktivitetet e shumta ku merrte pjesë e ishte protagonist. Ai e ndiqte kulturën arbëreshe e shqiptare edhe jashtë zonave arbëreshe në Itali. Ka marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, në Shkup, Tetovë, Strugë, Ulqin e ngado. Është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani” me titullin “Naim Frashëri”. Është fitues i Çmimit Mesdhetar të Artit dhe Krijimtarisë etj.
Si organizator dhe drejtues i palodhur ai është shquar edhe si president i shoqatës arbëreshe në Rossano, drejtor i botimeve digjitale “Perlat e Arbrit”, drejtor artistik i Arbfestival dhe kultura.
Më ka qëlluar ta takoj disa herë në tokën arbëreshe, në festeën e valleve dhe në shtëpinë e Mjeshtres së Madhe Lucia Martino në Frascineto të Kalabrisë tek këndonte këngën “Na martohet Jurendina”. Zëri i tij ishte i veçantë, i ngrohtë dhe interpretonte me shpirt. Kur i binte dajres dukej sikur mbante diellin në duar dhe rrezet e diellit në të qeshurën e tij. Herën e fundit e takova në hapjen e qendrës së kulturës “Margarita Xhepa” në Asti Piemonte. Ishte jashtëzakonisht i thjeshtë dhe i komunikueshëm me të gjithë.
Me ngjitjen e tij në qiell kultura arbëreshe humbet një nga kolonat e rëndësishme të saj. Por arbëreshët kanë në duar veprat e tij, këngët e tij, zërin e tij, që nuk vdesin kurrë, por do i shërbejnë përjetësisht vitalitetit të kësaj kulture.
Pushofsh në paqe Mjeshtër, mik i gjithë shqiptarëve. Ndriço në qiell si yll i kulturës sonë kombëtare.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.