ANISSA MARKARIAN: JA,LIBRAT QË MË RRITËN

0
913

Bisedë  e gazetarës Monika Stafa , me Anisa Markarian.

Monika STAFA: Anisa, kur prezantova romanin tënd “15 ditë prilli” një vit më parë, ti nuk munde të ishe e pranishme në studio me gjithë dëshirën e mirë. Koha fluturoi shpejt dhe ja ku u “takuam”. Ndonëse bashkëbisedimi ynë po realizohet virtualisht, ndihem e emocionuar sikur të të kisha përballë. Të ndiqja me shumë endje kur shfaqeshe në kinema. Më përçoje një ndjesi të ëmbël. Një portret i qeshur dhe elegant në të cilin përvijoheshin mençuria, talenti dhe një dozë misteri. Si e ardhur prej një bote të huaj e të largët…
Anisa, të ftoj të flasim për librat. Për librat që të rritën e të skalitën personalitetin; për përvojat e leximeve, për aromat dhe shijet që mbart në kujtesë.

Anisa MARKARIAN: Monika, të falenderoj nga zemra për ftesën dhe sidomos idenë e kësaj bisede. Më zhyte në emocionet e leximeve të hershme e bashkë me to, pashmangshmërisht, më risolle në kujtesë përsiatjet fëminore e rinore mbi botën dhe natyrën njerëzore që letërsia di t’i ngacmojë e t’i ushqejë aq bukur. Takimi me një libër është një përvojë njerëzore dhe artistike e përveçme. Nuk shfletohet naivisht e as këndohet mospërfillshëm. I përngjan paksa një ekspedite kërkimore. Po mendove se do të gjesh ekzaktësisht çfarë kërkon, i heq vetes kënaqësinë e befasimit por edhe të drejtën e zhgënjimit. Ka libra argëtues e libra formues; ka libra që të shkundullojnë e libra që të ledhatojnë; ka libra që lexohen me një frymë e libra për të cilët këshillohet një përtypje e ngadalshme, përndryshe nuk do ta tretësh dot kurrë. Vendimtare është “të shkosh në takim” mendjehapur.

M. STAFA: A e mban mend se cili është libri më i hershëm që ke lexuar?

A. MARKARIAN; Mbaj mend me saktësi cili është filmi i parë që kam parë në kinema por, përsa i përket librit të parë, kujtimet i kam paksa të mjegullta. Shumë libra të moshës parashkollore i kisha mësuar përmendësh që kur isha 4-5 vjeç, sepse m’i lexonin në shtëpi ose në kopsht. Ndër ta veçoj sidomos dy libra: “Xhepi i madh” i shkrimtarit rus S. Marshak, përkthyer nga Adelina Mamaqi, dhe “Xhaxha Stefi” i S. V. Mihalkov, përkthyer nga Bedri Dedja. Personazhi i djalit të vogël që kishte maninë të fuste në xhepin e përparëses gjithçka i zinte dora dhe personazhi i xha Stefanit që ishte aq i gjatë sa s’e nxinte asnjë krevat, m’u bënë shumë të dashur falë edhe ilustrimeve fantastike që shoqëronin vargjet e tekstit.
Ndër librat e parë që kam lexuar, pa mundur të vë gishtin mbi të parin ndër të gjithë, mund të numëroj: “Pupagjeli dhe shokët e tij” i Gj. Zhejit, “Piciruku dhe Karlsoni, njeriu që banonte mbi çati” i suedezes A. Lindgren, “Eranda” nga F. Reshpja, “Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij” të N. Nosov, “Aventurat e Gozhdës” nga Parka e Arxhili, “Xinxifilua dhe përralla të tjera” e “Tregime të moçme shqiptare” të M. Kutelit, “Pinoku” të Kolodit, “Djemtë e rrugës Pal” të hungarezit F. Molnar, “Kompania e katërt” e S. Drinit, etj.

M. STAFA: Përveç se i lexoje, ç’marrëdhënie tjetër kishe me librat?

A. MARKARIAN: Fillimisht, librat i kam nuhatur e përkëdhelur. Pastaj i kam shijuar. Dhoma ku ndodhej biblioteka familjare kishte një aromë të veçantë që ndihej sapo hapje derën. Ia jepnin librat e vjetër të stivosur në raftet e saj. Kishte tituj të viteve 30-40 ose edhe më të hershëm, të blerë nga prindërit përpara se të martoheshin. Librat e tim eti ishin kryesisht me karakter shkencor e në gjuhën frënge. Prurja e mamit ishte në shqip e italisht: romane, librete operash, partitura e pjesë teatri. Librat më të çmuar të bibliotekës ishin 6 volumet e enciklopedisë “Larousse du XXè Siècle” të lidhura me lëkurë të kuqe dhe tre volumet e veprës “I Promessi Sposi” të A. Manzonit, të lidhura me lëkurë të zezë. Kopertinat i kishin me germa të arta e të gdhendura në reliev. Në pamundësi për t’i lexuar sepse isha ende e vogël, më pëlqente të shëtisja gishtat nëpër hullitë dhe ledhet e motiveve për të prekur nga afër punën e mjeshtrit libralidhës.
Kur sjell ndër mend librat e rinisë së hershme, ndiej shijen e papërsëritshme që më jepnin leximet fshehurazi. Sikur të kisha kafshuar mollën e mëkatit. E kam fjalën për librat e zhdukur nga qarkullimi, të cilësuar si të papërputhshëm me metodën e realizmit socialist, ose përkthimet e autorëve të ndaluar të letërsisë botërore që kalonin dorë më dorë në formë bocash të pabotuara.

M. STAFA: Cilët janë librat që ndikuan në personalitetin tënd?

A. MARKARIAN: Kjo pyetje tingëllon paksa si: “më thuaj çfarë ke lexuar që të të them çfarë njeriu je”. Mendoj se përtej trashëgimisë së gjakut, personaliteti i çdokujt mbruhet edhe falë përvojave jetësore. Në këto të fundit hyjnë marrëdhëniet me njerëzit, ndodhitë personale e kolektive dhe takimet me letërsinë dhe artin në përgjithësi. Ndër librat formues mund të përmend veprat e Balzakut, të Hygoit dhe Cvajgut, leximin e Kafkës e të Kamysë dhe librat me piktura që kishim në shtëpi. Më ndihmuan të zhvilloj anën më të ndjeshme e më shprehëse të personalitetit tim.

M. STAFA: Cili është libri që të ndryshoi jetën?

A. MARKARIAN: Librat më kanë shoqëruar në çdo etapë të jetës sime. Më ngushëllojnë, më frymëzojnë e më argëtojnë. Më janë bashkudhëtarë peripecish e fitoresh. Por s’mund të them që ekziston një libër që më ka ndryshuar jetën. Më saktë, s’ma ka ndryshuar hovshëm dhe në mënyrë të prerë siç më ndodhi kur mërgova apo kur u bëra nënë. Ndryshimet që sjellin librat janë të një natyre të brendshme e të pabujë. Shtrihen në disa dhjetëvjeçarë dhe më të shumtën e herëve pothuajse nuk i vëmë re. E kuptojmë shumë më vonë. Po të citoj disa libra, leximi i të cilëve, në kahun pozitiv a negativ, farkëtoi opinionin tim mbi botën dhe natyrën njerëzore: “Lufta dhe Paqja”, “Pirati bëhet papë”, “1984”, “Harku i Triumfit”, “E kuqja dhe e zeza”, “Amok”, “100 vjet vetmi”, “Proçesi”, “Pavijoni i kancerozëve”…

M. STAFA: Po libri apo librat që të ndikuan më shumë për të shkruar?

A. MARKARIAN: Dhuntinë dhe kënaqësinë e të treguarit e kam, pa dyshim, të lindur dhe të ushqyer nga rrethi familjar. Në fisin tonë kishte rrëfyes të mrekullueshëm. E përballë tyre, dëgjues po aq të mrekullueshëm. Më kujtohen mbrëmjet në bahçen e shtëpisë së gjyshes ose në plazh. Dëgjoja të rriturit që tregonin librat e lexuar, filmat e parë në kinema apo pjesët e teatrit të dëgjuara në radio dhe miqtë e familjes që përshkruanin udhëtimet e bëra, ndodhitë e pabesueshme të jetës së tyre, ëndrrat…
Besoj se libri që më dha shtysën për të shkruar ka qenë “Kronikë në gurë” e Kadaresë. E kam lexuar kur isha 11 a 12 vjeç. Ndërsa stilin tim them se e gjeta kur lexova Markezin dhe Buxatin – realizmi magjik në shtjellimin epror!

M. STAFA: Ç’libër po lexon aktualisht?

A. MARKARIAN: Kam në dorë librin “Vashëza dhe nata” (La jeune fille et la nuit) të G. Myso. Më tërhoqi intriga për shumë arsye. Ngjarjet zhvillohen në dy kohë. Në vitin 1992, në një gjimnaz të krahinës ku jetoj, zhduket një nxënëse e shkëlqyer. Autorët e krimit janë 3 miqtë e saj më të ngushtë që ritakohen 25 vjet më vonë, në vigjilje të shembjes së ndërtesës së ish-gjimnazit të tyre ku kanë murosur trupin e viktimës… Por edhe po të mos ishte një skelet i vërtetë, a s’kemi të gjithë të fshehtat tona të murosura diku, dikur? S’them asnjë fjalë më tepër.

M. STAFA: Sipas teje, cili është libri më padrejtësisht i mbivlerësuar?

A. MARKARIAN: Do të thoja “Kodi da Vinçi”. Jo vetëm libri por edhe filmi i bazuar mbi të. Zhgënjyes, që të dy.

M. STAFA: Libri i fundit që të ka bërë të qeshësh?

A. MARKARIAN: Të qeshura me lot? “Don Kishoti i Mançes” dhe “Ushtari i mirë Shvejk”. Dje, sot e përgjithnjë!

M. STAFA: Libri që s’ke arritur ta përfundosh?

A. MARKARIAN: Për të qenë plotësisht e sinqertë, do të saktësoja: përfunduar me shumë vështirësi. Janë të paktën 3 libra. “Uliksi” i Xhoijsit (më i vështiri), “Lavjerrësi i Fukoit” nga Umberto Eko dhe “Xhaz” i Toni Morrison. Librin e Ekos m’u desh ta lë 2-3 muaj mënjanë për t’u dokumentuar mbi mitologjinë Celte, sepse s’po arrija ta kuptoja e ta shijoja siç duhej.

M. STAFA: Libri që të vjen shumë turp që s’e ke lexuar ende?

A. MARKARIAN: Asfare! As turp e as pendim. Ndoshta një farë keqardhjeje që jeta s’është aq e gjatë sa të mund të lexonim e të shkruanim të gjithë librat që do të dëshironim. Aktualisht, lista e librave që presin t’i marr në dorë së shpejti është zgjatur paksa. Përgjegjësitë dhe detyrimet profesionale të periudhës që kaluam nuk më lejuan të shkruaj e të lexoj si zakonisht. S’ishte çështje kohe por gjendjeje mendore, fizike e shpirtërore. Kur kthehesha në shtëpi pas një dite apo nate të vështirë pune ndihesha si e mpirë dhe e trullosur. Ja përse lista e kënaqësive është paksa më e gjatë kësaj here. Dhe aq më mirë! Kam sjellë nga Shqipëria rreth 20 libra miqsh e mikeshash shkrimtare dhe mendoj se këtë verë do të lexoj vetëm prozë e poezi shqipe.

M. STAFA: Librin që dhuron më shpesh?

A. MARKARIAN: Më shpesh nga të gjithë dhuroj albume e libra mbi historinë, kulturën dhe modën italiane ose vepra të autorëve italianë. Romani “Përçmimi” i Alberto Moravias është një nga më të shpeshtit mes të gjithëve. Jam e dashuruar pas Italisë! Mundohem me çdo kusht të shtoj radhët e adhuruesve të këtij vendi e populli të mrekullueshëm.

M. STAFA: Anisa, të falenderoj nga zemra për bashkëbisedimin e këndshëm.

A. MARKARIAN: Të lutem, Monika, kënaqësia ishte e imja. Uroj të mos jetë e largët dita kur do të takohemi edhe fizikisht. Një kafe në Tiranën tonë duke vazhduar të flasim për letërsinë. Sepse bisedat mbi librat janë të pashtershme…

Qershor 2020 Kohë virusi me kurorë…

V.O  kjo intgervistë  është nga muri i Anisa Markarian.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.