0

Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik.

Operacioni policor “Maskimi”, i realizuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Vihet në pranga një 19-vjeçar, si dhe procedohet penalisht bashkëpunëtori i tij.

Pas një hetimi disamujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota dhe të shpejta në lidhje me kallëzimin e marrë nga një shtetas, në cilësinë e administratorit të një fondacioni bamirës,

për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, pas konstatimit se një profil në rrjetet sociale kërkonte një ndihmë financiare prej 25.000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për shtetasin:

• J. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi:

• E. P., 22 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas kishin hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim mashtrimin e shtetasve që dëshironin të jepnin ndihma financiare për persona të ndryshëm.

Nga këto profile, ky shtetas kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë.

Gjatë komunikimit, ky shtetas u dërgonte dhe të dhënat se ku do të dërgoheshin këto ndihma financiare.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e dërguara nga ky shtetas i përkisnin një shtetasi tjetër, i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare.

Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.

Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.