Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë , Haki Çako

0
705

Ministri Xhafaj ka shkarkuar ditën e sotme drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Propozimi i ministrit të Brendshëm, ka marrë firmën e Ramës dhe sipas njoftimit zyrtar, arsyeja e këtij vendimi është për t’i dhënë një tjetër ritëm luftës ndaj krimit të organizuar.

Xhafaj, zhvilloi një takim me Çakon, gjatë të cilit e falënderoi për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit si dhe i komunikoi vendimin e kryeministrit Rama.

“Realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.

“Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.

Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.” – thuhet në njoftimin zyrtar.

Përkohësisht është komanduar për të kryer funksionet e Çakos , Rebani Jaupi , zëvendësdrejtori. Një nga emrat që po përflitet për të zëvendësuar Çakon është Ardi Veliu, drejtor i Policisë së Tiranës.

Haki Çako u emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 15 prill të vitit 2015, duke zëvendësuar Artan Didin, i cili u dorëhoq në fillim të muajit prill 2015.

Në qershor 2016, Çako u pezullua nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, ku gjykata vendosi masën ndaluese për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit, ‘’IMSI Catcher’-i. Çako u rikthye në detyrë nga Apeli pak ditë më pas.

Drejtori i ri i komanduar : Rebani Jaupi 

rebanijaupi

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.