Nga: Zana Tako
Jemi në prag Krishtlindjesh, e cila është festë e trashëguar. Por gjithashtu jemi edhe në prag të falimentimit shpirtëror, duke u gjunjëzuar para urdhërave të armikut të njerëzimit. Festat sjellin gëzim, por këtë gëzim duan ta shuajnë me ndjenjën e ftohtësisë, e kur mërdhin shpirti, quhet fitore për armikun e njeriut. Shumë prej nesh, ende nuk e kanë të qartë çfarë po ndodh sot me botën. Kjo padije është varri ku po groposen ose do të groposen për së gjalli. Padija është armiku i njeriut. Fantazma e saj shfaqet përmes informacioneve shterpë, ku përsëritja nuk mund të quhet mëmë e dijes. Kjo përsëritje i mëshon trullosjes që ve në gjumë dembelë. Gjumi i padijes është armik që po e vret dalëngadalë njerinë. Liturgjia e festave ka ndryshuar, e për rrjedhojë edhe ligji i festimit ka ndryshuar. Ky ndryshim nuk vjen për të mirën e njeriut. Zoti nuk e ndryshon Ligjin e vet. Zoti thotë: “Mos vrit!”, e njeriu vret sipas ligjit të vetvetes. Zoti thotë: “Mos vidh!”, e njeriu vjedh sipas dëshirës së vetvetes. Zoti thotë: “Mos bëj dëshmi të rreme!”, e njeriu dëshmon sipas interesit të vet. Zoti thotë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”, e njeriu e lufton të afërmin e vet si të ishte armiku i tij. Zoti thotë: “Më duaj si Zotin tënd!” e njeriu quan Zot vetveten. E derisa të mbërrijmë në Urdhërimin e fundit, do të dallojmë dashurinë dhe drejtësinë e Zotit, nëpërmjet ligjit të përcjellë për ta trashëguar në jetën tonë tokësore, si dhe kundërshtinë që sa vjen e bëhet më e egër në këtë fund kohërash nga qenia njeri, ndaj thyerjes së çdo rregulli e ligji të trashëguar nga i Tejetlarti. Ky falimentim shpirtëror, është ushqyer nga drejtues të mbrapshtë, që me modelin e tyre janë kthyer në përbindsha të kundërshtisë, duke mbjellë farën e keqe të përhapjes së imoralitetit në çdo aspekt njerëzor. Kjo mbrapshti është kthyer në kufomë që kutërbon erë të keqe dhe po mbyt sot jetën njerëzore mbi tokë. Ata që duan të ndryshojnë ligje të krijimit, duke i zëvendësuar me antiligje në krijim, duhet më parë të llogarisin Forcën Hyjnore, e cila nuk mund të blihet me asnjë lloj monedhe tokësore. Këto monedha mund të blejnë shpirtra njerëzorë të manipuluar në udhën e paditurisë, por nuk mund të blejnë e shesin atë dhuratë mrekulli, të cilën Zoti e çmon si thesar qielli. Koha nuk luan me njeriun, por njeriu po luan me kohën! Hapadollapat e tij, janë lojra fëmijësh të parritur ende në tokën e Zotit. Kjo lojë do mbarojë kur njeriu të kuptojë se Zoti është Zot, e jo njeri nën urdhrat e njeriut!