VDEKJA E KALIT

0
345
Timo Flloko 
Vdekja e kalit bëri histori si filmi i parë në periudhën postkomuniste dhe filmi i parë antikomunist. Skenari i shkruar nga Nexhati Tafa, ishte interesant, dramatik. Regjisori Saimir Kumbaro më thotë, shiko, është një rol që do të pëlqejë, e di sa të shkon Timo. I them që do ta lexoj dhe vetëm pasi mbarova leximin i thashë vetes, uroj që Saimiri mos të ndërrojë mendje dhe t’ia japë dikujt tjetër këtë rol. Gjatë bisedës më pas ku i shpreha përshtypjet për skenarin dhe u vendos që rolin do e luaja unë, erdhi Niko Kanxheri dhe u bëmë një ekip shumë i mirë. Më pas dhe Fitim Makashi, Rajmonda Bulku që i dhanë një dimension të madh këtij filmi. Filmit kurrë nuk i dihet. Filmi është një enigmë. Kur kemi bërë Lulëkuqet mbi mure me Agim Qirjaqin kemi thënë, ç’është ky film për fëmijë, dhe nuk e dinim fundin. Ndonjëherë nisesh për diçka të madhe dhe nuk del në nivelin artistik që janë pritshmëritë. Ndërsa Vdekja e kalit u kthye në një sukses imediat gjë që më ka ndodhur në pak raste, si dhe te shfaqja “Pamje nga ura” në teatër. Rëndësi të dorës së parë ka skenari. Kur e pyetën Hitchcook-un se cili është komponenti kryesor në një film, ai tha skenari. Po pastaj i thanë? Skenari. Po pastaj? Sërish skenari tha. Ai ishte gjeni i kinemasë sepse roli behët kur ka skenar të mirë, kur ka dramacitet. Mendoni ti heqim Agronit momentet në burg apo ti heqësh finalen, pra këto janë momentet më dramatike, me peshë emocionale në film, që e lartësojnë lojën aktoriale dhe e anasjelltas. Pa recitimin e mësuesit të vargjeve të Nolit, te filmi Lulëkuqet mbi mure, pra nuk mbetet asgjë. Aktorët shqiptarë ndihen në pozitë të vështirë krijuese me role të dobët në skenar, imagjinoni se sa mundësi dramaturgjike u krijohen aktorëve të mëdhenj në botë, si De Niro, Al Paçino, etj., në rolet e tyre me situata e ndodhi të jashtëzakonshme… Mua, (si dhe kolegëve të mijë), më ka ndodhur që në role ku mund të jem munduar e investuar sa s’ka nuk e kam pasur suksesin e atyre roleve ku dramaturgjia më ka favorizuar. Agronin, sigurisht, e pëlqeva, drama e tij ishte ajo që duhej dhe në një sens ishte një homazh për të gjithë ato njerëz që vuajtën dhe u sakatuan nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Drama e Agronit ishte në një kuptim drama e shumë shqiptarëve, një fatalitet masiv. Nëse nuk e kishe të dënuarin në familje e hasje të komshiu, në mos aty e kishe në shkallë, në lagje a diku më tej, veç faktit se të gjithë shqiptarët nën diktaturë jetonin një izolim të skajshëm e privim të lirisë, si dënim kolektiv. Ky realitet dhe ky dramaticizëm kushtëzoi suksesin e këtij filmi dhe të rolit të Agronit si personazh. Vdekja e kalit mund të mos jetë një film i përkryer nga ana teknike, por nga ana emocionale është tronditës në çdo dimension. Në rastet kur kemi shkuar me regjisorin në festival edhe jashtë, njerëzit e kanë ndjerë këtë lloj emocioni dhe dilnin nga kinemaja të tronditur. (shkëputur nga intervista dhënë Exlibris)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.