Nga BESNIK DIZDARI
Një sentencë thotë se “aritmetika nuk është opinion”. Ndonëse këtu unë do të mundohem ta përdor sadopak edhe si opinion, si një mendim pra, që vetvetiu rrjedh prej aritmetikës.Titulli flet vetë: 12 fitore dhe 11 humbje. Kjo është aritmetika (nuk bindem se i duhet thënë “matematika”), që e vendos trajnerin Edoardo Reja në pozitën e lartë të trajnerit më rezultativ të Kombëtares së Shqipërisë. Jo më i suksesshmi, por më rezultativi. Kjo ngaqë ai është i vetmi që ka një bilanc pozitiv në ndeshjet me Kombëtaren. E kam fjalën për ndeshjet e pjesëmarrjes së saj në turnetë kualifikues të Kampionatit Botëror, atij Europian dhe të Ligës së Kombeve.
Dhe menjëherë lind pyetja: ia kalon edhe De Biazit? Sigurisht. Ndonëse De Biazi është padyshim trajneri më i suksesshëm i Kombëtares, sepse nën drejtimin e tij u arrit që për herë të parë në histori Shqipëria të mbërrinte kualifikimin për në finalet e një Kampionati Europian: “FRANCE 2016”.Kësisoj, po i vëmë vulën përcaktimit “më rezultativ” në raport me “më i suksesshmi”. Qëndrojmë kështu te rezultatet e ndeshjeve. Që dihet se përherë janë vetëm tri: fitore, barazim, humbje. Dhe del që më rezultativi është Reja: 28 ndeshje, 12 fitore, 5 barazime, 11 humbje dhe golavarazhi po pozitiv 37-34. Menjëherë mbas tij vjen De Biazi: 27 ndeshje, 11 fitore, 4 barazime, 12 humbje, golat 27-27.Një gjë duhet pranuar: që në përcaktimin e trajnerit më rezultativ nuk ka rëndësi as niveli i lartë apo i ulët i kundërshtarit, as rëndësia e garës, as fati, as rastësia. Madje as kualifikimi apo skualifikimi prej turneut. Ka rëndësi vetëm një e dhënë “aritmetike”: rezultati i ndeshjeve. Tash, nëse do të shtyhemi pak më tej në opinionin apo mendimin që buron prej kësaj aritmetike, rasti i trajnerit Reja është me të vërtetë i rrallë.Ky është trajneri i parë i Shqipërisë, tek i cili sundojnë gati krejtësisht turnetë kualifikues të cilët zënë pothuajse të gjitha ndeshjet e drejtuara prej tij. Kështu, ngaqë Edoardo Reja e ka drejtuar Kombëtaren në vetëm 6 ndeshje miqësore! Çka tregon se nuk i është dhënë mundësia të eksperimentojë sadopak. Ai nuk i ka guxuar eksperimentet. Ose i ka guxuar krejt pak, kryesisht përmes ndonjë ndeshjeje të rrallë në turnetë kualifikues.Pa përfshirë këtu “guximin” e detyruar për të përtërirë diku skuadrën. E për ta synuar eksperimentin përmes ndeshjeve kualifikuese, çka dihet që kjo kërkon një guxim krejt të veçantë. Nuk mund të themi se ai ia ka rritur ta demonstrojë asisoj. Edhe ngaqë kërkesat për pikë ia pengonin një gjë të tillë.Trajnerit Reja të 28 ndeshjet e tij kualifikuese i janë përshkuar në 4 turne: Në Kampionatin Europian 2020 (Panuçi dhe Bulku nga 1 ndeshje të vetme në drejtim), në Ligën e Kombeve po 2020, në Kupën e Botës 2022 dhe po në Ligën e Kombeve, këtë 2022- sh. Që do të thotë se janë 4 turne kualifikues: dy të rangut më të lartë, 1 EURO dhe 1 Kupë e Botës dhe 2 edicione Ligë e Kombeve.
I gjithi ky “kuartet” i turneve kualifikues euro-botërorë, të çon te pasqyra e një baraspeshe, ndonëse në ekuivoke të nivelit e rëndësisë së tyre. Kombëtarja e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Reja për Botërorin 2022 është renditur e 3-ta në grupin e saj me 6 skuadra, duke mbërritur edhe rekordin absolut në histori: për herë të parë dhe të vetme deri më sot, Shqipëria nën këtë drejtim të tij ka marrë 6 fitore!Kjo edhe me numrin më të madh të pikëve në histori: plot 18 pikë! 6 fitore dhe 18 pikë çka deri më sot nuk e ka arritur pra, asnjë trajner tjetër. Por ka dhe më: Kombëtarja nën drejtimin e Rejës ka arritur edhe vendin parë në një grup kualifikues. Kjo ka ndodhur në Ligën e Kombeve 2020.Është i vetmi rast në gjithë historinë që Kombëtarja e Shqipërisë renditet e para në grupin e saj në të gjitha edicionet pjesëmarrëse euro-botërore. Dhe “papritmas” mbërrijmë tek ana tjetër e medaljes. Kombëtarja nën drejtimin e trajnerit Reja, ka zënë edhe vendin e fundit po në Ligën e Kombeve, këtë të edicionit të vitit 2022. Madje me asnjë fitore dhe vetëm 2 pikë, pra edhe më pak se turneu i trajnerit Panuçi (3 pikë) po në Ligën e Kombeve, edicion i vitit 2018, kur gjithashtu Shqipëria qe renditur në vendin e fuNga të gjitha këto që përshkruam, trajneri më rezultativ i Kombëtares së Shqipërisë, trajneri i mirënjohur dhe i sprovuar nga Italia me emrin Edoardo Reja, është përshkuar gjithsesi në një grafik, të cilit parregullsinë ia ka prishur vetëm një pjesëmarrje: kjo e fundit në Ligën e Kombeve.Në të tjerat ai është një drejtues tejet i denjë për Kombëtaren e një vendi të vogël si Shqipëria. Drejtimi i trajnerit Reja shkëlqen në turneun e Kupës së Botës 2022, duke qëndruar vetëm 2 pikë larg Polonisë së vendit të dytë – çka mbetet një lloj brilanti rezultativ në krejt historinë e Kombëtares së Shqipërisë. Teksa, në pamjen tjetër, ai është pra, trajneri i vetëm shqiptar nën drejtimin e të cilit Shqipëria ka arritur të zërë vendin e parë në një grup kualifikues në turnetë euro-botërorë: Liga e Kombeve 2020.
Ndërkaq, duke u ndalë në 28 ndeshjet e tij, ai ka dhuruar të tilla të pashlyeshme si këto: Shqipëria – Islanda 4-2, Moldavia – Shqipëria 0-4, Bjellorusia – Shqipëria 0-2, Shqipëria – Hungaria 1-0, Hungaria – Shqipëria 0-1. Pak apo shumë? E vërteta është se edhe përgjigjja e kësaj pyetjeje na çon në afirmime, por dhe në luhatje, në kritika apo gjykime miratuese, natyrisht duke e analizuar gjithçka me mend në krye, siç thuhet. Pa harruar asnjëherë se Kombëtarja e Shqipërisë së “vogël” nuk është qendra europiane e futbollit.Kështu apo ndryshe, Edoardo Reja mbetet trajneri më rezultativ në historinë e Kombëtares së Shqipërisë për garat kualifikuese eurobotërore, duke u nisur pra, nga aritmetika e raportit bilancues fitore, barazim, humbje. Po të hyjmë mandej, te ndeshjet miqësore, vetëm 6 të tilla (+1, =3, -2, golat 4-6),kjo nuk është temë e këtij shkrimi. Aq më tepër kur kujton se Xhani de Biazi e drejtoi Kombëtaren në plot 25 ndeshje miqësore – rekord absolut i rangut. Trajneri Reja është “i diskriminuar” në pakësinë e këtyre ndeshjeve.Ndonëse edhe po t’i shtojmë këto 6 miqësore, ai prapë del më rezultativi: 34 ndeshje, 13 fitore, 8 barazime, 13 humbje, golat 41-40. Çka do të thotë se në përqindjen rezultative në tërësi, drejtimi i tij, si askush tjetër, është më i larti: 50 për qind rezultativ. Duke guxuar ndërkaq, të shkojmë te një pasqyrë krejt e plotë e historisë, bindemi edhe një herë se në krahasim me të kaluarën e Kombëtares, sidomos atë të deri në vitin 1990 dhe atë të deri në vitin 2000, kjo e 20 vjetëve të fundit është diçka tjetër. Për shkak të sa e sa arsyeve: liria, lojtarë shqiptarë të shteteve europiane, kushte të tjera pune…E, nëse do të ndalonim mandej te rezultatet e trajnerëve shqiptarë, të cilët në ndeshjet kualifikuese euro-botërore e kanë drejtuar Kombëtaren në 10 ndeshje e lart, bilancet për të mëparshmit janë të pakrahasueshme me të sotmit: Loro Boriçi: 19 ndeshje, vetëm 3 fitore; Shyqyri Rreli: 19 ndeshje, vetëm 1 fitore; Astrit Hafizi: 19 ndeshje, vetëm 2 fitore; Bejkush Birçe: 17 ndeshje, vetëm 2 fitore; Neptun Bajko: 11 ndeshje, vetëm 2 fitore; Zyber Konçi: 10 ndeshje, vetëm 2 fitore. Kjo është ajo, historia aritmetike rezultative e asokohe.Për të cilën nuk mendoj se shkakton ndonjë tronditje për shkak edhe të kushteve të vështira, siç u përmend më sipër. Por që na kujton që të mos harrojmë fjalët thirrëse “pak ma ka dalë, bre burrë”, siç shpreheshin malësorët tanë atje lart dikur, kur dikush harronte historinë e tij dhe kalonte në ndonjë farë euforie. Çka për çudi më ngjason tek e shoh dhe e ndiej sot, sidomos para ekranit “analizues” të televizioneve.Duket qartë pra, epërsia e trajnerëve të huaj, Edoardo Reja (12 fitore), Xhani de Biazi (11), Hans Peter Brigel (6). Janë trajnerë – protagonistë të një kohe tjetër, siç thashë më sipër. Që po më pëlqen ta quaj koha e dytë e historisë, prapë gjithnjë krejt modeste megjithatë, e Kombëtares së Shqipërisë. Duke shkuar, ndonëse paksa me nxitim, te një metaforë, kjo “kohë e dytë” kurrsesi nuk është një “simfoni”. Më duket si një lloj “uverture” që në këto vende të vogla si puna jonë, mbetet gati përherë e tillë dhe kësisoj të pengon të mbërrish te një simfoni, sado amatore që ajo do të ishte.E megjithatë: mos ndoshta na duhet të mbërrijmë me çdo kusht tek ajo që po e quaj “koha e tretë” e Kombëtares së Shqipërisë? Qoftë dhe pa e ditur mirë se çka mund të jetë kjo “kohë e tretë”? Dhe: një Kombëtare shqiptare gjithnjë me trajnerë të huaj? Një Kombëtare Shqiptare që duhet t’u kthehet lojtarëve të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë? Kushedi!… Dhe e fundit: A është e drejtë që “propaganda” (e për fat shpesh te propaganda jemi kthyer edhe në këtë fushë të jetës shqiptare) të ketë pa mëshirë si objektiv kritik vetëm trajnerët, sidomos trajnerët e huaj?Kjo për çudi edhe nga ish-trajnerë shqiptarë – midis të cilëve sigurisht që ka të ditur – te të cilët jo rrallë vërehet një lloj ngushtësie profesionale që i bën të kalojnë te një subjektivizëm “sui generis”, disi të njëanshëm, në të rrallë deri dhe në të papranueshëm. Duket që problemet sa janë “problematike”, po aq janë dhe interesante. Natyrisht, gjithnjë pa harruar se Kombëtarja e Shqipërisë e një suksesi të madh në “EURO 2016”, prapëseprapë nuk është qendra e botës së futbollit ndërkombëtar.
Sado që të rrekemi ajo ende është një Kombëtare modeste, shpesh e mirë, ndonjë herë në ndeshje të veçuara shumë e mirë, por rrallë, shumë rrallë, ajo ia arrin që papritmas të shfaqet edhe e mrekullueshme… Këto qenë tri dukuri në atë që e quajta “cikli im i Kombëtares” – çka duhet nënkuptuar thjesht si mendimet e një gazetari të vjetër, në njëfarë mënyre si mendime të një lloj historiani të Kombëtares. Doemos pa pretenduar se shtjellimi i këtyre tri dukurive janë konkluzione tërësisht të paqortueshme. E paqortueshme është ajo, “aritmetika” e rezultateve të ndeshjeve që nxjerr trajnerin Edoardo Reja si më rezultativin në këto mbi 75 vjet të jetës pa shumë bujë të Kombëtares së Shqipërisë, të një futbolli modest, të një shteti po modest. Këtë apo këto, ma do mendja se nuk na lejohet t’i harrojmë. Vetëm kështu, duke gjykuar disi edhe me krye ulë, do të shkojmë më lehtë tek e vërteta. Prej ku mandej, do të arrijmë të kuptojmë për së mbari se më fort se për Kombëtaren na duhet të shqetësohemi për zhvillimin dhe gjendjen e futbollit kombëtar në tërësi, futboll i cili sot për sot, për fat, është në një krizë, që ende nuk po i kalon…