Teksa e gjithë vëmendja ndodhet te kandidatët që do të prezantojnë partitë e mëdha, edhe partitë e reja janë drejt kristalizimit të listave të tyre. Bindja Demokratike prezantoi sot kandidatët për Shkodrën, duke nisur nga ky qark fushatën. “Ndaj sot më shumë se kurrë është e nevojshme të kemi një ndryshim dhe unë jam i lumtur që ashtu si para 30 vjetëve ky ndryshim ka për të nisur në Shkodër. Do të thonë që çne kjo parti e re po e bën e para këtë hap, përpos vështirësive dhe pse nuk po e bëjnë ata të partive kryesore, të cilat janë bërë veterane. Sekreti është fare i thjeshtë, ne kemi listë të hapur, ata nuk e kanë! Ata janë në ankth, po presin natën e thikave të gjata, dita që kryetari do të vendosë se kujt do i qeshi buza dhe kujt do i qajë. Në qoftë se një votues i Partisë Demokratike apo i Partisë Socialiste, do të shkojë te kutia e votimit ai mund të votojë ose Lulzim Bashën, ose Edi Ramën sepse nuk ka mundësi tjetër. Siç e thashë, lista e tyre do të bëhet në momentin e fundit të skadimit të afatit. Ky është ndryshimi ynë me partitë e tjera. Ne i japim mundësinë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, që të sjellin ndryshimin”, tha Patozi.Patozi deklaroi se beteja e Bindjes Demokratike është ndaj partive të vjetra të cilat nuk i sjell asnjë të mirë vendit. “Do ta nisim nga Shkodra do të marrim mandat këtu dhe kudo tjetër në Shqipëri. Te ne mandatin e merr ai që ka një votë më shumë se tjetri dhe kjo është gjëja më e bukur dhe e vetmja risi e kësaj fushate”, tha Patozi. Kryesuesi i listës, Tonin Uldedaj, një emër jo pak i njohur, për shkak të funksioneve të mbajtura Bashkinë e Lezhës gjatë qeverisjes së demokratëve, tashmë i rreshtuar krah Patozit, tha se kërkon votën për ti shërbyer shkodranëve. “Mandati im nuk do të jetë për xhepin tim dhe të familjes time, por për ata njerëz, të cilët do më votojnë ku Shkodra ka ditur gjithmonë të bëjë zgjidhje në momente kur partitë politike janë kapur prej fyti”, tha Uldedaj. Vetë Patozi pritet të garojë në Tiranë, ndërsa nesër ashtu si forcat e tjera politike, do ti duhet të dorëzojë në KQZ listën me kandidatë për të 140 zonat zgjedhore.