SPARTAKIADA E KELMEND / 2020-TËS EDHE MË TRIUMFUESE SE KURRË

0
626

NGA :RITA SHKURTAJ

Kultura e malësorëve të Kelmendit vazhdon të mbetet shembull për metropolet me inciativat e organizimit fisnor

Jemi mësuar me idenë se gjatë gjithë muajit gusht Kelmendi do marrë vëmëndje të veçantë sa u takon organizimeve kulturore – artistike të gërshetuara me ato etnografike.
E gjitha kjo lidhet ngusht me traditat e lashta të trevës së Malësisë së Madhe e konkretisht me organizimin e Logut, si një aktivitet kulturor që praktikohej në ditë festash, (kryesisht fetare)
kudo në Malësi të Madhe. Jemi koshjent se Kelmendi ishte i vetmi grupfis që iu rikthy traditës menjëherë pas rënies së çensurës politike dhe ardhjes së demokracisë në vendin tonë. Si atëherë edhe tani ka patur dhe ka një rëndësi të veçantë, pasi ky organizim i përvitshëm i quajtur “LOGU I BJESHKËVE TË KELMENDIT” lidhej ngusht me bashkimin e të gjithë malësorëve kelmendas në këtë log, ku aktivitetet jetësore të një Mot – Moti nuk ua mundësonin këtë, pasi kelmendasit duke patur si degë kryesore të ekonomisë blegtorinë gjatë stinës së gjatë të dimrit, ku i gjithë Kelmendi binte nën pushtetin e borës, detyroheshin të shtegtonin me gjënë e gjallë drejt dhenave të nën Shkodrës, në kullosat e Bregut te Matës e zonat përreth. Ndaj, organizimi i këtij logu kishte marrë jehonë të veçantë në Malësi e më gjërë, jo vetëm për peshën sociale që lidhej me çmalljen, shkëmbimin e informacioneve, pleqnimin e punëve të përbotshme, njohjen dhe prezantimin e nuseve të reja, të pamit ndër malsor të shtyrë dhe nga shkuesat (mblesëritë) si nevojë për miqësi të mirë, të gjitha këto të gërshetuara me një krenari të lartë që diktohej në veshje, këngë të reja, valle, duete e deri në lojrat e vjetra popullore (ku u motivua edhe spartakiada), të interpretuara kryesisht nga rinia ndër të cilët nxitej shpirti i garës, por edhe për faktin se falë këtij organizimi mbahej e gjallë dhe trashëgohej kultura e lashtë e banorëve të alpeve në fisin e Kelmendit.
Përvoja e pazakontë sociale që solli 2020-ta me këtë pandemi globale ndikoi për keq edhe ndër këta banore të cilët tashmë prej shumë dekadash u nënshtrohen ligjeve të shtetit shqiptar, megjithatë ajo hija e organizimit fisnorë edhe pse e zbehtë nuk e ka humbur asnjëherë peshën e vlerës në rregullimin e jetës së këtyre banorëve, çka u vu re edhe Ditën e Shna Rrokut në fisin e Kelmendit.
Ditë më parë, me anë të një shkrese zyrtare nga pushteti vendor këta banorë u njoftuan për pezullimin me urdhër të prerë të LOGUT TË BJESHKËVE, ku falë mundësive të shumta të komunikimit u vu re një hatërmbetje, deri edhe në reagim kritik të këtyre banorëve, çka nxiste me të drejtë idenë e shkëputjes së këtij aktiviteti nga vartësia e pushtetit vendor dhe kthimin e tij në varësi fisnore, pasi gjithçka dhe çdo gjë lidhet me Kelmendin dhe vetëm me Kelmendin.
Megjithëse disi të pezmatuar nga ky vendim kelmendasit nuk u ligshtuan pasi kishin edhe aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme që zhvillohen në muajin gusht, të cilat realizohen në bazë të organizimit fisnorë dhe si ndër më të rëndësishmit, për të cilin punohet fort gjatë gjithë vitit, do veçoj spartakiaden e futbollit për djem.
Një aktivitet i mirë organizuar dhe aspak amator, pasi gjithçka flet me didaktikën dhe gjuhën shkencore që përcakton kjo disiplinë kulturore mjaft e dashur për të gjithë, së cilës i janë përmbajtur deri në detaje edhe këta malësor, për çka meritojnë një admirim dhe vëmëndje të shtuar nga instancat shtetërore të këtij sporti, pse jo edhe mbështetje monetare dhe morale, qoftë edhe për t’i stimuluar në punën e tyre mjaft kuptimplotë për kohën dhe realitetin që jetojmë, pasi falë këtij aktiviteti sportiv ne diktojmë shumë çka mbi të vërtetat sociale dhe kulturore të këtij teritori dhe këtyre banorëve.
Në spartakiaden e Kelmednit 2020-të morën pjesë të gjitha skuadrat tradicionale të futbollit, të cilat përfaqsojnë 6 fshatrat kryesore, ku secila skuadër mbart emrin e fshatit përkatës. Tamare, Selce, Lëpushë, Vermosh, Vukel dhe Nikç, si dhe lojtarë atlet nga i gjithë Kelmendi.
Një rol të rëndësishëm në organizimin e këtij aktiviteti sportiv dhe kulturor (pasi në këtë sportakiadë luhen edhe lojra olimpike për të cilat shpërndahen edhe çmime), ka luajtur këshilli sportiv nën drejtimin e z. Prek Vat Vushaj nga Vermoshi, si dhe përfaqsuesit veteran në këtë këshillë, ku secila skuadër kishte perfaqsuesin e saj.
Për Tamaren përfaqsues z. Gjergj Vaçaj, për Selcën përfaqsues z.Gjergj Bunjaj, për Lëpushen përfaqsues z.Nikoll Grishaj, për Vermoshin përfaqsues z.Prek Vata, për Vuklin përfaqsues z.Tomë Nilaj dhe për Nikçin përfaqsues z.Gjelosh Preldakaj.
Sipas ekspertëve të gjitha skuadrat kishin bërë një përgaditje të kënaqshme ku spikatën për një lojë të bukur skuadrat e Vermoshit, Selcës dhe Vuklit, të cilat falë edhe kësaj loje arritën të shkojnë në finale. Dy të fundit kanë edhe një ndeshje paraprake për të përcaktuar finalisten në ndeshje me Vermoshin dhe fituesin e kupës gjë që do realizohet në një tjetër ditë feste.
Ndër lojtarët më të mirë për secilën skuadër u përmenden:
Për Tamaren, kapiteni Taulant Vaçaj dhe lojtarët Renaldo Vacaj e Emanuel Gjelaj.
Për Selcën, kapiteni Endrit Bujaj dhe lojtarët Emanuel Mitaj e Fatjon Mitaj, ku merita të veçanta ka Luçjano Lumaj, i cili aktualisht është edhe anëtar i skuadrës së Veleçikut.
Për Lëpushen, kapiteni Nikollë Grishaj dhe lojtarët Paulin Nilaj dhe Valter Dragu.
Për Vermoshin, kapiteni Kujtim Bujaj dhe lojtari Refael Vukaj.
Për Vuklin, kapiteni Mirush Vuçinaj dhe lojtarët Martin Dacaj eMikel Nilaj.
Për Nikçin, kapiteni Gjelosh Preldakaj dhe lojtarët Pjetër Preldakaj e Valentin Preldakaj.
Ndeshjet u zhvilluan në fushën e futbollit në Qafen e Bordolecit, ku u gjykuan nga sportist me përvojë vendas, në prani të dashamirësve të sportit vendas e të huaj, pasi nuk munguan as pushuesit, turistët, si dhe miqtë e ardhur enkas nga qyteti.
Ky aktivitet u mbyll me gëzimin e fitores së secilës skuadrër dhe fituesve të lojrave olimpike të zhvilluara në atë terren natyror mjaft të përshtatshëm, si një amfiteater i përgaditur enkas për to.
Sipas traditës vlerën e përftuar monetare e shpenzonin të gjithën së bashku në darkën vllazërore të fitores, ku merrnin pjesë të gjithë lojtarët dhe akivistët e kësaj gare.
Një shëmbull për t’u marrë edhe nga metropolet më të cilivizuara!
Një meritë të veçantë për këtë organizim kanë bashkëvllaznit kelmendas me banim në SHBA, ku do veçoja Shoqatën Kulturore “PREK CALI”, Shoqatën Atdhetare “KELMENDI”, të cilët financojnë në mënyrë të pa ndërprerë aktivitetet kulturore dhe artistike që zhvillohen në Kelmend e jo vetëm. Ata kanë merita të jashtzakonshme edhe për ruajtjen dhe trashëgimin e këtyre traditave ndër breznitë e reja që lindin e rriten në mërgim, çka u jep kelmendasve dinjitet dhe fisnikëri të pashoq, ku jo rrallë organizojnë evente kulturore dhe sportive.
Një kontribut individual në këto organizime kanë:
Intelektuali dhe gazetari i mirënjohur z.Rush Dragu me televizionin e tij “Albdrins”, kantautori i mirënjohur z.Luigj Tinaj atdhetari Tomë Smajlaj, këngëtari Ylli Isufaj, valltari Sebi Tinaj e shumë shumë kelmendas të mirë që sy e zemër i kanë të pashkëputur nga Kelmenndi.
Me respekt të veçantë ndaj këtyre malsoreve gjej rastin t’i jap prioritet hipoteza se “Kelmendi ka mend” dhe ka ditë me jetuar e lulëzuar si thotë populli “në rrasë të gjallë”.
Në përshkrimin e kësaj sportakiade ndihmuan znj.Dila Vacaj, aktiviste e shquar e evenimenteve kulturore në Kelmend e më gjërë, si dhe drejtuese e Shoqatës “Jehona e Kelmendit” dhe z.Petrit Vucinaj i cili na mundësoi edhe pamjet.

Gusht 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.