“SHËN MARKU NË KASTRAT”

0
2165

Nga : Ndue BACAJ

(Shenime historike)

Prej qindra vitesh mali , flamuri apo treva e Kastratit të Malësisë Madhe kremton si festen kryesore fetare atë të Shën Markut Ungjilltar. Kremtimi i festes të Shën Markut fillon në naten e 24 prillit dhe vijon gjatë ditës të 25 prillit të çdo viti. Në të vertet nata e 24 prillit në kalendarin e festave kristiane –katolike nuk shenohet , por shenohet vetem dita e Shën Markut me 25 prill. Nata e Shen Markut me sa duket është një “improvizim i nevojshëm” i hershem , që dalngadal është kthyer në traditen e kremtimit si nata e Shën Markut , ndersa data 25 prill është dita (zyrtare) e ketij shenjëtori… Dita e Shën Marku si shenjëtor është festuar e festohet prej shekujsh edhe në treva të tjera nga banorët Kristian , ku perveç Kastratit të Malësisë Madhe , dallohet kremtimi në treven e Mirditës e tjer. Shën Marku apo Sh’Marku siç i thonë malësorët festohet me aq madhështi në Kastrat sa “identifikohet” si Sh’Marku i Kastratit… “Simbolet” kryesore të festes së Shën Markut në Kastrat janë ferliqet , pijet tradicionale e tjera gosti të shoqeruara me mikpritjen e bujarin e mrekullueshme të banorëve kastratas. Shën Markun e festojnë jo vetem kastratasit që banojnë në trojet e tyre të lashta , por edhe kastratasit kudo që i ka detyruar “koha” të jetojnë… Kremtimi i kësaj feste fetare shoqerohet gjithnjë me meshë e lutje në kisha , si dhe duke ndezur qirinjë që ja kushtojnë Shën Markut në çdo shtepi kastratasi… Kremtimin e festes të Shën Markut kastratasit e bejnë së bashku me miq , bija , kumar , dashamirës , shokë e tjer të cilet e kanë deren hapur me të dy kapak siç shprehen malësoret… Kremtimit të festës së Shën Markut ja kanë shtuar madhështinë e bukurinë logjet , që zhvilloheshin në Kastrat pranë kishave diten e Sh’Markut , ku një ndër logjet më famëmëdhaja ka qenë logu që zhvillohej te Shpella e Frashnit në Bajzë. Kengët , vallet dhe lojrat e tjera popullore krijonin një atmosferë festive që zor se mund t’i gjindej kund tjeter , ndersa ketë log e “permbyllte” zgjedhja e femres më të bukur , (por edhe e mashkullit më të hijeshëm) , me fjalet ; Ka da (dallua) te Shpella e Frashnit. Kjo zgjedhje e bukurisë me nje konkurencë të lirë dhe me juri “popullore” mund të themi pa frikë se është pararëndësja e perzgjedhjes të miseve të sotme…

Veçojmë nga “biografia” e Shën Markut

Shën Marku është ungjilltar , i pagëzuar nga Apostulli i Jezu Krishtit-Shën Pjetri. (Shën Marku në ato kohë njihej edhe me emrin Gjon…).Shën Marku (së bashku me Shën Palin) ka bërë disa udhëtime misionare duke predikuar besimin Kristian , si dhe ka shkrua ungjillin sipas tij , i cili në Bibel shkruhet Ungjilli sipas Markut. Ndër misionet më të rendësishme të Shën Markut , njihet ai i vitit 64 kur shkoi në Aleksandri (Egjypt) dhe themeloi Kishen Kristiane atje. Shën Marku do të vijonte me devotshmeri rrugen e Shën Pjetrit , me të cilin pati qendruar per disa kohë në Akuilea (Itali). Shën Marku ishte ipeshkëvi i Aleksandrisë , i cili kur rikthehet (në Aleksandri) , martirizohet me 25 prill të vitit 68… Trupi i tij i vorrosur në Aleksandri qendron deri në vitin 828 , kur sundimtari arab vendos ta rrenojë vorrin-shenjëtore të Shën Markut ku ruheshin edhe reliket e tij. Mermerin dhe kolonat e ketij “vorri” , sundimtari arab i perdori në ndërtimin e një pallati në Babiloni. Nga frika e dhunimit të relikeve , dy tregtarë venedikas , me emrat Buono nga Malamoku dhe Rustiku nga Torçelo vendosën të merrnin tinëz eshtrat e ungjilltarit dhe t’i sillnin në Itali , të fshehur ndërmjet koshave, ku kishin futur zogjë thishë (derrkuca) , me qellim që të shmagnin rrezikun e kontrollit nga ana e myslimanëve… Shën Marku është pajtor i Venedikut (Venecies). Gjatë vitit 1063-1073 ndërtohet Katedralja e Shën Markut në Venecie ku janë të vendosura reliket e tij , që gjenden edhe në ditët e sotme.. (Gjithashtu Shën Marku njihet edhe si pajtori i avokateve, punëtorëve në ndërtimtari, muratorëve, qelqtarëve , bletarëve , burgosurve e tjer…). Vlenë të kujtohet se republika e Venedikut gjatë kohes saje njihej “shpesh” edhe me emrin republika e Shën Markut . Interesant është se mali i Taraboshit “emrohej” mali i Shën Markut , si dhe kishte shoqeri të krijuara në emrin e Shën Markut e tjer… Se kur Shën Marku filloi të kremtohet si festa kryesore fetare e të gjithë Kastratësve kjo nuk konfirmohet me siguri , por ne kemi një trashigimi mjaft interesante , pasi lidhet me ndihmen e dhënë nga ky shenjëtor në një betejë të kastratësve kundër ushtrisë turko-osmane ,”trashigimi” që me këtë rast mendova ta “publikoi” (me referencen) si vijon :

“Kastratasit dhe ndihma e Shën Markut , në një betejë kundër ushtrië turko-osmane”.

Një ndër flamurtarët (bajjaktaret) më të hershem të Kastratit njihet Ul Vuka i biri i Vuk Pal Dedlit (dikun shkruhet Detalit apo Dedalit). Ose më sakt sternipi i të parit të banorve të “ri” Kastratit , Dedal Ndrekalit nga Kuqi (sot Kuçi nën Malin e Zi), shqiptar i ardhur në Katund të Kastratit rreth vitit 1550-1575. Siç dihet banorët me “babë” Dedlin janë shumica e shumicës të kastratësve të sotem. Mbasi Ul Vuka është ndoshta edhe bajraktari i “parë” që permendet në Malësi dhe ka një histori interesante në lidhje me “ndarjen” e Malesisë Madhe me Përrua të Thatë. Per ketë mendova të citoj Johan Georg fon Hahn , që per veprat e tij madhore është konsideruar si dekani i studimeve shqiptare të shekullit të 19-të. : ” Njiherë u ba pashë i Shkodrës njifarë Tahir Beu , nga shtepia e madhe e Çaushëve . Ai vendosi me e nënshtrue fisin e krishtenë të Kastratit dhe me e ba njilloj si rajatë e tjerë. Pra ata duhej të paguanin haraç , kur kishin ndonji gjyq të vinin te kadia si të gjithë qytetaret dhe si ata që banonin rreth qytetit dhe me të tjerë të ketij lloji… Prandaj pasha mblodhi nji ushtri të mirë dhe të fortë dhe marshoi deri te fshati i tyre. Por Dedalët e kishin mendue se nuk mund të delshin ballë per ballë fuqisë së madhe të pashës , prandaj gratë , fëmijët , gjanë dhe plaçkat ma të vlefshme i kishin futë n’atë shpellë ku kishte banue stergjyshi i tyre. Në fshatë kishin mbetë vetem disa pleqë … ndër këta ishte edhe Ul Vuka , i cili per nji kohë të gjatë kishte qenë flamurtari (bajraktari) i fisit . Kur pasha mbërriti në fshat e gjeti bosh , por ndigjoi se banorët ishin ngjitë në mal , prandaj dha urdhën me i ndjekë pas , mbasi nuk i njifte veshtirsitë e vendit. Ai vetë qendroi në shtepinë e Ul Vukës . Sulmuesit hasen në nji kundershtim , sepse kundra tyre nuk luftonin vetem burrat me dyfek , por edhe grate e femijët tue lëshue gurë teposhtë. Në ketë mënyrë ushtria e pashës pati humbje të renda. Kur po luftohej Ul Vuka dilte shpeshherë nga shtepia per me pa dhe pastaj i tregonte pashës që ishte Brenda. Nga frika se mos e humbnin luften të vetët i premtoi Shen Markut me i ndertua nji kishë dhe me festua diten e tij , në qoftë se fitimin do t’ua jepte njerzëve të vet. Kur pa se lufta po shkonte në favor të tyre , hyni Brenda dhe kur e pyeti pasha mbi gjendjen , iu pergjigj :”Zotni , ushtria jote po fiton sepse asht e pajisun me të gjitha mjetet , kurse të mitë janë lakuriq”. Pasha e dergoi edhe njiherë jashtë per me vrejtë zhvillimin e luftës . Pork y tue pa turqit që po arratiseshin dhe të vetët që po i ndiqnin pas me potere të madhe , hyni perseri në shtepi dhe bertiti :”U ba , u ba”. Pasha u habit dhe e pyeti çfar kishte ndodhë dhe kush po fitonte ? Ul Vuka iu pergjigj : ”Ketë do ta shofish tashti” dhe me keto fjalë ia nguli thiken në zemer. Vorri i pashës asht edhe sot. Turqit nuk mujten ma me rezistue dhe Dedalët i ndoqen deri te Përroi i Thatë . Prandaj ky përrua asht deri sot kufini i malit , kështu që ata që banojnë këndej malit paguejnë taksa si gjithë nënshtetasit e tjer dhe i nështrohen gjyqit të kadiut , kurse ata që gjinden pertej malit (gjegjësisht Përroit të Thatë N.B.) jetojnë simbas ligjit të maleve… Kisha të cilën Ul Vuka ia premtoi Shën Markut në Katund të Kastratit , u ndertua nga Dedalët (të parët e shumicës të kastratit të sotëm N.B.) dhe festojnë edhe sot diten e tij…” ( Dr. Jur.Johan Georg fon Hahn ,Studime Shqiptare ,fq.260-261). Simbas një studimi të botuem kohët e fundit , sado që ka të meta në lidhje me atë që quhej “misioni i Serbisë”, dhe tue pasë parasysh raportin dergue Romës në 1669 e per të cilin është shkruar , mund të japim me saktësi edhe emrat e misioneve që qendronin ende në kambë mbas vitit 1677. Në prefekturen Apostolike të Kastratit mvareshin edhe misionet ; Kastrat , Rapshë , Traboin , Bajzë , Grudë , Selcë dhe Vukël… (Italo Sarro , Kontribut për historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme shek.XVII-XIX ,fq.27-29, botime Franceskane ,Shkodër , 2015). Kisha e Katundit të Kastrati vijon të konfirmohet si Prefekturë Apostolike deri në fillimet e gjysmes së dytë të shekullit XIX , kur kjo prefekturë Apostolike drejtonte gjashtë Kuvendet kishtare ,që ishin ; Kastrati , Hoti ,Gruda,Trieshi ,Selca e Vuklit…(Studime Shqiptare ,Dr. Jur. Johan Georg Von Hahn ,1854 ,fq.58 ). Madheshtia e kishës së Katundit të Kastratit ka vijuar deri në vitin 1967 të ateizmit të çmendur komunist , per tu “ringjallur” me madheshtin e saj pas vitit 1990… madheshti që nuk do të kenë mort kurr…

GEZUAR FESTEN E SH’MARKUT KASTRATAS KUDO QË JENI ! 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.