(ATI, BIRI DHE SHPIRTI I SHENJTË)
Njeriu nuk e mendon udhën e gjatë, e mendja e tij i bie shkurt punëve.
Por sa më shkurt të mendojë, aq më të gjata i bën udhët.
Nga: Zana Tako
Projektet e qiellit nuk vizatohen nga mendimet e njeriut, as nuk formulohen dhe as nuk marrin formën e ndjenjave të njeriut, duke bërë kështu dallimin mes tokës dhe qiellit. Ashtu siç ndryshojnë ushqimet në menynë e ditës për njeriun, ashtu ndryshon edhe forma e provës për shpirtin e krijesës. Analiza e provave nuk është punë e një dite, as e një muaji, por është analizë e një vepre, ku shënohen me bojë qielli fitore dhe jo dështime.
Dallimi mes përvujtërisë dhe krenarisë, është rregull i artë i shpirtit në urti. Në urti nuk mund të jesh krenar, në urti nuk flet fjalë boshe, as me dy kuptime, sepse urtia ushqehet nga mençuria, e cila është udhëheqëse e mendimit të njeriut si në ditë të mirë, ashtu edhe në ditë të vështirë.
Njeriu i urtë përcjell atë paqe që rrezaton shpirtin e krijesës qoftë në fjalë, qoftë në buzëqeshje, qoftë në komunikim. Paqja nuk është top që përcillet mes krijesash, por njeriu ende nuk e kupton, se me paqen nuk mund të luash siç luan me topin, ndaj udha e saj bëhet e vështirë, e dallimi ngatërron udhën.
Kur ndryshon drejtimi, ndryshon edhe mendimi. Kur ndryshon mendimi, ndryshon edhe sjellja, e cila është pasqyrë e qartësisë së njeriut, e qartësisë së mendimit të kthjellët ose e mendimit të errët, i cili shfaqet përmes ndjenjës si në të mirë, ashtu edhe në të keq. Ndjenja përball krijesën me veprën, me dashurinë ose me tradhtinë. Ndjenja nuk është litar që nuk këputet, por këputja ndodh në çastin dhe në momentin, kur goditja e sjelljes së njeriut ndan si të mirën nga e keqja, ashtu edhe të keqen nga e mira, dy faktorë tepër të rëndësishëm që përcaktojnë kufirin e dhimbjes dhe kufirin e dashurisë.
Kur ndodhesh në prag të kufirit të dhimbjes, vepra që t’i kryen, të përball me atë çfarë ke mbjellë dhe ke korrur. Por kur ndodhesh në kufirin e dashurisë nuk ka kthim pas, as brejtje ndërgjegje, veç lartësim shpirtëror, i cili ushqehet nga energjia që rrezaton pastërtinë e dhurimit të vetvetes pa dyshuar në udhën që ke ndjekur, pa dyshuar në zërin që ke dëgjuar, pa dyshuar në ndjenjën që ke përqafuar, pa dyshuar në mendimin që ke shfaqur dhe ke pasqyruar.
Njeriut nuk i mjafton një jetë për të kuptuar kufirin e së vërtetës, kufirin e dashurisë dhe kufirin e dhimbjes dhe të lëndimit. Nëse do arrinte të kuptonte dhe të dallonte këtë rrugë që të shpie drejt këtyre arsyetimeve, atëherë mendimi njerëzor do të kishte atë fuqi që furnizon shpirtin e krijesës me dashurinë për Universin, për ekzistencën. Por kjo fuqi është dhuratë e të Tejetlartit në ekzistencë, e cila nuk jepet falas për ata që e përçmojnë dashurinë, por është dhuratë me emrin thesar, për çdo krijesë që e kërkon në rrugët e misterit të shpirtit, rrugë ku nuk prek, por dallon nëpërmjet ndjenjës, nëpërmjet shqisës që përcakton vullnetin e dhurimit në dashuri.
Kjo teori nuk është e përgjithshme, por është e veçantë. Për të dalluar këtë përkufizim, duhet të ngjitesh në atë lartësi shpirtërore, të cilën shumë e përçmojnë, shumë e anashkalojnë, dhe shumë e nënvlerësojnë, por pak e përqafojnë, shumë pak e adhurojnë, dhe shumë pak vetveten e dhurojnë.
Të lumët ata që e kanë fituar këtë thesar qielli!