NAMIK SELMANI – POEZI
Qënkam sot bash si dy Drinat
Sot
Jam përqafur si vëllezër gjaku me të dy Drinat
E dashkam
T’i bëj kordele për mbesën time bukuroshe.
E
Nuk po më tutin ferrat, ortekët dhe vetëtimat.
E
Nuk po ma ndalin tëbanat me prekë të tana trojet.
Sot
Paskam përpirë me sy livadhet ujorë
Jo
Si kuçedra e përrallës nga goja me flakë
E dashkam
Të bëj për nipin një kala mrekullore
Ku
Tre breza sërish bëhen vrik kështjellarë.
Sot
Qënkam bërë i tëri Drin e shkuar Drinit
Me një shall të blertë
Bëhem lavërtar pas parmendës së lashtë.
Falmani
Atë lot që qerpikon si Lumi i ri i Gëzimit
Mos u trishtoni
Kur të ulem në gjunjë te vdekatarët në varr.
Sot
Me Malin e Pikëllimës do gjerboj kafe nën pisha e lisa
Mos u çuditni
Kur ta hedh Vallen e Kuksit si prijatar!
Dëshmitar
Kam Çamërinë time dhe bash këto dy Drina.
E vargu
Ma bronxëron kujtesën si monumenti më i lart