Këtë cikël me poezi nga poetja kosovare Selvije Kadriu ,e përgaditi për botim gazetarja Mimoza Stakaj.Vargjet e këtij cikli poetik sjellin tek lexuesi boten shpirtërore të poetes, duke na dhënë freskinë e vargut, forcen e fjalës, ngrohtësinë e ndjenjes të shprehur mjeshtërisht në ç’do poezi. Suksese poete Selvije Kadriu!
Selvije Kadriu
FANTAZMË JE
Sikur ta dije
ku jam sonte
si ndihem e vetmuar
mes katër mureve
Zemra më qan
e shpirti më dhemb
lotët nuk pikojnë
sepse më nuk kam
Je ti dhimbja
që bredh si fantazmë
me shpirtin shitur djallit
Zogjtë u bënë me krahë
e tash nuk ka rëndësi
ku unë jam
derisa ata fluturojnë
në qiellin e kaltër
pa njerëz të këqij
SK, 13.12.2024, Prishtinë
MË TEPËR SE ENGJËJT
(poezi nga libri im i parë)
E ndjeja melodinë
që vështirë do ta kuptojë
vullkanet zgjonte
nga hiri i ftohtë
pjesë e tyre ishin
duart e akullta
Natë e vonë
e të them
se engjujt në qiell
na e kishin zili
Tash kur re të zeza
mblidhen mbi ne
të të them besomë
nuk më frikësojnë
Ti mbetesh i tillë
në stinën e kohërave
plot epsh
e askund kaltërsi
ÇELËSI I ZEMRËS
Nuk dua të qëndroj
në dhimbjen tënde
derisa ti e humbe
çelësin e zemrës sate
kur unë nuk isha aty
Ata lotët për mua
nuk dalin nga ajo zemër
e lënduar
e cila akoma i takon tjetërkujt
E di ti e do një fillim të ri
të ikësh nga ajo dhimbje
që të rëndon
Andaj të lutem largohu
nuk dua të qëndroj
në atë zbrazëti
SK, 29.11.2024, Prishtinë
PUSHO
Unë nuk të ftova ty
as nuk të mendova kurrë
Ku më gjete mua
ti vdekje tinëzare
që bredh trupit tim
Vjen me atë dhimbje
në mëngjeset e hershme
në netët pa gjumë
Qarkullon në venat e mia
si gjarpër me dhëmb
e si nuk e gjenë dot
këtë zemrën time
të pushoj kjo dhimbje
e pa fund
SK, 21.11.2024, Prishtinë
EHHHH SIKUR
Këtë dhembjen time
që e ruaj nën jastëk
do ta marrë një ditë
të shkoj te shtëpia e vjetër
me lumë në oborr
Të ulem nën atë bli
afêr kroit ku shkëlqente
plisi i gjyshit
E kur hëna ta ndriqoj atë oborr
ku loznin fëmijë të lumtur
nën rrezet e diellit
Ehhh sikur të mundë
ta hudhja këtë dhimbje
në atë lumë
e të lozi sërish me ata fëmijë
SK, 15.11.2024, Prishtinë
PLAGË
E di do ta kërkosh
dorën e vogël
në ballin tënd prush
derisa nuk ndalon
ajo dhembje nga askush
Sytë e tu do të verbohen
nga ai shkëlqim i syve të saj
që tash i takon tjetërkujt
Ndoshta për atë
do të mbetesh vetëm një kujtim
derisa ajo për ty
do të jet plagë pa shërim
Nuk e mendove tradhtinë…
SK, 08.11.2024, Prishtinë
RRUGËTIM
Sonte dua të udhëtoj
me zemrën e shpirtit tim
mos kërkoni të flas
sepse e di që do të qaj
E kokën nuk do ta kthej prapa
derisa bredhë në këtë vend
të panjohur
mes njerëzve të huaj
Afër meje rrahë një zemër tjetër
e unë e mendoj
a thua edhe kjo është
një fillim i një fundi tjetër
SK, 01.11.2024, Prishtinë
VETËM NJË NATË
vetëm një natë
të vij ngadalë
mbi shtratin tënd
Të shndris atë fytyrë
ata sy të mbyllur
ato buzët tua mjaltë
të shkëlqej floku i zi
si dikur
Të përqafoj në heshtje
pa e ditur ti
të bëhem jastëk
i lotit tënd
e jorgan për ty
SK, 25.10.2024, Prishtinë