Pseudorilindja ishte dhe mbeti nostalgjike e diktaturës komuniste

0
250

 Nga: Marash Gilaj

Fjalimi manifest i të ndjerit Dritero Agolli në Kongresin e 10 – të të PPSH- së, 30 vjet më parë, u quajt si kongresi i rinovimit, por kundërshtimet e shumta nga pjesëmarrësit treguan se ata nuk do t’i njihnin kurrë gabimet, fajet dhe krimet që kishin bërë gjatë periudhës diktatoriale hoxhiste, se ata nuk do të shkëputeshin kurrë prej asaj mizorie. “Duhen flakur dogmat e mbyllur ai kapitull turpi, duke ndryshuar mentalitetin, botëkuptimin, dënuar me fjalë e vepra të shkuarën komuniste, izolimin, luftën e klasave, burgosjet e internimet pa faj të mijëra shqipëtarëve, varfërinë e tejskajshme si rezultat i politikave të gabuara, që ndiqeshin atëherë në bujqësi e blegtori”, këmbëngulte Driteroi. Ndersa, më fanatikët i sillnin pusulla, e kundërshtonin, e kërcënonin me fjalë e gjeste, duke bërtitur me sa u hante gabzherri: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë!”
Edhe pse kanë kaluar tre dekada, nostalgjikët, pseudorilindasit e sotëm, mendojnë se duke ndërruar emrin e partisë, kanë bërë metamorfozë të mirëfilltë, por, në fakt, ngjajnë bash me ata, edhe pse kanë ndryshuar emrat disa herë për të fshehur krimet e bëra jashtë apo brënda vendit. Kujtojmë PKSH -në, PPSH -në dhe së fundi PSSH- në. Për ta bërë edhe më interesante këtë lojë me emra të rinj, të sajuar nga ndonjë mendje djallëzore e cinike, tashmë, kemi Rilindjen, një emër fallso, që për nga fjalët e thëna nga ideuesit e saj bashkë me veprat, që kemi parë në tetë vite, ngjan më shumë me diktaturën se me demokracinë. Këtë e vërteton më së miri edhe deklarata e kryeqeveriut, kur tha se ata që sundonin në kohën e diktaturës ishin në anën e duhur të historisë. Këtë e përforcoi edhe deputetja stërgjyshe, kur tha se Enveri kishte më shumë anë të mira se të liga. Pra, kemi të bëjmë me një kthim pas dhe një qeveri antidemokratike, sepse të tillë e bën, në radhë të parë, mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e përsëritur disa herë nga partia në pushtet. Kulmi arriti, kur ajo bëri zgjedhje lokale moniste, në vend që të jepte dorëheqjen dhe të organizonte zgjedhje të lira e të ndershme për pushtetin qëndror. Ambicja për pushtet të pakufizuar si në diktaturë, bën që votimet të mos jenë as të lira e as të ndershme, të mos kesh të drejtë të zgjedhësh njeriun e duhur, të ndershmin, intelektualin e vërtetë me dinjitet e integritet të lakmueshëm, duke deformuar vullnetin e shqipëtarëve
Po të ishte gjallë Tarrasi, do t’i kishte thënë: “Bravo! Ky është guxim prej të marri”. Heshtja e ambasadorëve që na monitorojnë, ishte aprovim. Ky lloj qëndrimi i vuri vulën dhe damkën e zezë asaj që bëri vaki.
Të vish në pushtet me ndihmën “e çunave problematikë’, horrave dhe kriminelëve dhe ta mbash pushtetin bashkë me ta, do të thotë se ti je i paligjshëm. Ky është shembulli më i keq që i jep popullit tend, në veçanti, rinisë. Ti i ngjan atij që sundoi e masakroi këtë popull për afro 50 vjet. Pra, nuk je shkëputur nga Hitleri shqipëtar. Një qeveri si kjo që kemi nuk mund të bëjë asnjë reformë, në asnjë fushë të jetës, pasi kriminelët, edhe kur i votojnë ligjet në parlament, pengojnë zbatimin e tyre në bashkëpunim me mafian. Sepse ato ligje janë edhe kundër tyre. Kur qeveria dhe parlamenti janë kundër zbatimit të ligjeve, kur i shkelin ato në çdo hap, atëherë edhe prokuroritë e gjykatat veprojnë si ato, nën shembullin dhe kërcënimin e tyre. Edhe kur gjykata dënon ndonjërin, ajo, më së shumti është “gjueti shtrigash”, drejtësi selektive ose shantazh. Para 30 vitesh dënimet bëheshin me urdhër partie, qofshin ato me burg, me internim ose pushkatim. Kësaj hyllie i shkohet edhe sot. Është kryeqeveriu që jep opinionin i pari se kush ka faj e kush nuk ka, që na tregoi se zërin e një të akuzuari dhe akuzuesi e kishte verifikuar vetë në laboratorët e fjalës së fundit të teknikës dhe shkëncës. ( Kujtoni Babalen).
Sipas të gjitha të dhënave që vinë nga INSTAT apo organizma nderkombëtare të besueshme, jemi vendi më i korruptuar, ku krimi i organizuar bën hatanë, jemi më të varfërit, prodhues dhe shpërndarës droge, kampion Evrope e më gjërë, me shumë të papunë, me emigrim masiv sikur të ishim në luftë. Nga skllevër të bindur që ishim në diktaturë, tashmë, jemi këthyer në skllevër të shitur e të blerë. Ndersa “I gjati” simulon e aktron. Problemet që nuk i zgjidh drejtësia “e reformuar”, i zgjidhim vetë me kallashin që lan hesapet, duke bërë vetëgjyqësinë, si në kohën e Kanunit të Lekës. Sa larg kemi shkuar në kohërat e kaluara! Sa shumë i jemi larguar Evropës! Ky është rezultati i keqqeverisjes 8 vjeçare dhe nostalgjisë enveriste, edhe pse Rama flet për suksese imagjinare çdo ditë. Kështu fliste edhe Enveri.
Pasi ka arritur të ketë në dorë të gjitha pushtetet, mediat, për të qënë mbi ligjin, për përfitim personal dhe fuqizim të pushtetit të tij, nuk ka mbetur pas Enverit. Tashmë, ia dimë huqet. Ai bën çmos për të kontrolluar gjithçka.
Pseudorilindasit varrosën çdo shpresë për të pasur demokraci, për të ndertuar shtet dhe përdhosën çdo dinjitet njerëzor. Na mashtruan, na vodhën e na grabitën ekonomikisht, duke na vrarë shpirtërisht e moralisht. Nē anën tjetër, duke promovuar antivlerat, vranë nderin që të jetojë turpi.
Prandaj i kemi rrogat kaq të vogla dhe rreth gjysma e pensionistëve paguhen nën minimumin jetik. Fukarallëk e maskarallëk. Po patronazhistët , nuk janë si spiunët e asaj kohe? E shikoni sa shumë ngjani me baballarët?! E katranosët në çdo drejtim. Popullit ia shtuat brëngat e dertet. Jeni klikë sunduese.
Sloganet: “Shqipëria që duam”,” Policia që duam”etj. tingëllojnë aq hipokrite, qesharake e cinike sa edhe qëntë e rrugëve i bëni të qeshin. Edhe atëherë kishte slogane si: “Çfarë do populli bën partia.” Por ndodhte e kundërta.
Kjo vërtetohet duke parë se ku jemi me lirinë, drejtësinë, ekonominë, sigurinë, borxhin, integrimin, korrupsionin, tenderat sekret, PPP-të dhe inceratorët, që mbajnë erë rilindje. Shohim një polici politike që i shërben pushtetit, që merret me trafik droge, që shkel ligjet çdo ditë.
Çudia me këtë lloj politike, demokracie apo shkelje ligjesh duket edhe më e madhe, kur e dimë se monitorohemi edhe nga Bashkimi Evropian e të tjerë.
Sipas asaj që ka ndodhur, institucionet nuk na duhen më. Ato i shqyen dhe i kapën me bekimin e nderkombëtarëve. Këta të fundit janë të interesuar vetëm për stabilokracinë. A nuk i kishim kështu institucionet edhe në diktaturë? Ata që e kanë jetuar atë kohë, e dinë mirë. Pseudorilindasit nuk e dënojnë të kaluarën komuniste, nuk shkëputen dot nga ai mentalitet e mënyrë sundimi. “Naltgjatësia” e tij mendon se është i pagabueshëm, si gjitholog, se ka të drejtë në gjithçka thotë e bën, se zotëron idetë më gjeniale njerëzore , se është i pazëvënsueshëm dhe i përjetshëm. Tamam sundimtar diktatorial e oriental.
Tek ne është instaluar modeli i antivlerave. Populli jeton i lumtur në mizerje.
Kështu ndodh e do të ndodh, kur i beson njeriut që e ke provuar dhe e di se nuk vlen. A nuk është si të blesh përsëri gomarin që ke shitur para do kohe , sepse kishte defekte të pariparueshme? Dhe vazhdon e krekoset pa asnjë arritje, pa asnjë meritë të qënësishme. Enveri jeton midis nesh, edhe pse e dinim të vdekur. O turp, ku e ke skuqjen e fytyrës!
Duhet të zgjohemi e të bashkohemi për të reaguar fuqishëm ndaj së keqes që na ka zënë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.