Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Bajram Begaj, duke u shprehur se qëndrimi publik i këtij të fundit është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Bardhi tha se Presidenti përdori një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.Në pamundësi për të mbajtur fjalën e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të kaosit të Rithemelimit, Presidenti Bajram Begaj e dha përmes një konference nga Presidenca mesazhin që duhet të kishte drejtuar në seancë plenare.Ai u shpreh se çelja e punimeve të sesionit të ri të Kuvendit, ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë. Në fjalën e tij Begaj pati një apel ndaj partive politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Reagimi i plotë nga Bardhi
Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur tia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!