PO VJEN NJË LIBËR NDRYSHE !

0
Mark Simoni Mund të jetë një imazh i 1 person
Lexova librin e Zija Vukës, dhe me sugjestionoi.
Unë mendoj se jeta ime ka kaluar nëpër libra të mirë, dhe tërë kjo letërsi më ka kolauduar saktë jo vetëm regjistrin e leximit, por dhe kulturën e letërsisë. Ndaj sugjestioni tek unë ndodh rrallë. Me atë çka di, mund të them me bindje se ky libër, është ndër 10 librat më të mirë të disiplinës së analizës letrare dhe historisë së letërsisë shqipe, që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar, me Gaetano Petrotën e këndej.
Ardhja e këtij libri është nga ato lajmet që fillon me: Po vjen libri filan, nderim! Janë si ato ngjarjet historike, kur mbahet fryma, ka pak qetësi, deri sa deklamohet se çfarë po ndodh.
Parë nga një këndvështrim dinamik, them me bindje se Libri “Labirintet e Fjalës” i Zija Vukajt nuk është libër Biblioteke, por tekst tavoline, libër pune, përherë në lëvizje, në referencë, në dinamikë, në diskutim, që duhet ditur patjetër, që duhet këndu vazhdimisht si një kanu, si një këshillues dhe rrëfyes. Mendoj se biblioteka, si një gjest arkivues, e bën apatik librin, e nxjerr në pension, ia ngushton dinamikën, e vë në gjumë, i jep një kënd honorifik dhe e mbështet në qosh të panteonit. Këto patjetër që nuk janë pak, por pjesa aktive e diturakëve të letërsisë kanë nevojë për librat referencial e kulturologjik. Njerëzit me predispozita, të kujdesshëm dhe me pretendime kërkojnë nëpër bashtenat e dijes të mësojnë pa rreshtur. Libri i Zija Vukajt është pra njëri prej këtyre lloj librash.
Madje ky libër e orienton lexuesin të kuptojë që letërsia nuk është një fushë irracionale, mbushur emocionesh dhe fantazishë, hamendjesh dhe ndjenjash pa cak, trillesh gjithëfarë sojit, por mbi të gjitha është disiplinë rregullash, edhe shkencë kanonesh, është dhe art racional. Dhe kjo i jep zotnillek kësaj fushe kaq të bukur e të shenjtë, që mrekullon e sugjestionon këdo, dhe nuk e lë të zdërhallet dhe të keqpërdoret. Zija Vuka me veprën e tij na jep në mënyrë serioze argumetat e të qenit shkencë e disiplinë të letërsisë. Libri i tij, është manual korrekt, i këtij argumenti.
Ky libër është një akt dhe gjest i esesë së shkruar në nivele shumë të larta, me një raport shumë harmonik mes artit të të shkruarit me frymëzim dhe estetikë, dhe studimit të thellë, serioz, konseguent, të thellë, të veçantë, që autori i ka bërë temave të ndryshme.
“Gjuhën e harruar” të Erik Fromit e kam lexuar me një frymë. Dhe tashti, pas kaq e kaq kohësh librin e Zija Vukajt, po me të njëjtin intensitet, me po të njëjtën kënaqësi, atmosferë leximi, ndjesi të mira dhe të thella. Ky është ai stili i artikulluar mirë i rrëfimit dhe i kumtit të Vukajt, që as nuk ta bën tekstit një letërsi të zvangur dhe pa emocion, dhe as t’i bën studimet e tij, rrëfime të mërzitshme akademike. Vetëm raporti i këtyre dy stileve e bën jo vetëm të lexueshëm me admirim librin, por edhe e familjarizon aq bukur dhe lehtë lexuesin me temat shkencore dhe studimore.
Të marrësh në analizë substancën e profileve më interesante të përsonaliteteve të letërsisë, (as më pak e as më shumë), por ke marrë në analizë pjesën më pikante të letërsisë. Këtë bën libri i Zija Vukajt, duke na dhënë në dorë magmën e asaj që letërsia jonë ka më të rëndësishme.
Nga gjithë çka thashë, jam i bindur se edhe ky libër i ka dhënë emrit të Zija Vukajt një status të epërm, duke e bërë edhe bart, edhe misionar, edhe dorzanë të letërsisë dhe autorëve të saj, që ka asistuar gjithë pjesën më të ndritshme dhe të shenjtë të letërsisë sonë të bukur.
Urime mik i ditur!
(Shënim: Kjo është PARATHENIA ime për librin “Labirintet e fjalës”, të Zikja Vukajt. Një variant më të zgjeruar do ta lexoni së shpejti në shtypin e ditës.)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.