NAMIK SELMANI – POEZI
Nuk jam sonambule
Nuk jam zonja sonambule që lëviz korridoreve me mister.
Nuk do më shihni diku pëllëmbë mbi pëllëmbë shtrënguar.
Për të therur qoftë dhe një zog të vogël në një festë
Ju lutem, të gjithëve që të ma merrni thikën në duar!
Nuk jam gruaja sonambul në semaforë dritëndezur.
Edhe pse kam kaq shumë nevojë të eci, të kalëroj.
Asnjë dritë nuk ma tregon udhën e gjatë, të pashkelur
Mes ngërçit të dhimbjes as petalen e lules s’e shijoj.
Nuk jam vogëlushja që ecën në brigje në Vjosë
Të vërë ca xixëllonjëza në faqe e në ballë
Po prapë, kur pas diellit troket agimi syngrohtë,
Kujtoj se në livadhe ka ferra, gurë dhe zambakë.
Sikur të më takonte diku Shekspiri i mençuruar
Pas rrëfimit tim ëndërror do ta rindizte skenën\
-Besomë, mjeshtër, nuk jam si sonambulja e verbëruar
Të tjerë mëkatarë ma kanë vjedhur pranverën.
Kristalimit të zemrës do i jap dritë migjeniane
Të më bëhet si flakadan për atë dritën e zbehtë
Si sonambule moderne kërkoj zjarr në vulkane.
Me drojen e një mëkati të pabërë asnjëherë.