Një Nga Birrat Kryesore Evropiane Rezulton Me Copa Xhami Në Brendi

0

AgroWeb raporton se shqetësimi serioz ka të bëjë me ekzistencën e copëzave të thyera të qelqit në brendësi të shisheve. Foto: Flickr

Një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të birrës AB InBEV njofton të gjitha tregjet e Europës dhe Amerikës për probleme të kufizuara por serioze me një nga birrat e saj më të eksportuara.

AgroWeb.org raporton se shqetësimi serioz ka të bëjë me ekzistencën e copëzave të thyera të qelqit në brendësi të shisheve.

Sistemi i Alarmit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Bashkimit Evropian, përveç tregjeve të Europës Perëndimore, ka njoftuar edhe tregjet e Europës Lindore dhe tregun e Greqisë për prekje nga probleme të mundshme.

Sasitë e birrës të prekura nga problemi me copëzat e qelqit janë të markës së njohur Stella Artois, e cila importohet edhe nga tregu shqiptar.

Sasitë e birrës problematike kanë datë skadence vitin 2019. Stella Artois njoftoi sot tërheqjen vullnetare të një numri të kufizuar të Stella Artois 330ml shishe jeshile.

AgroWeb.org ju fton të klikoni këtu për njoftimin zyrtar të tërheqjes.

Sipas prodhuesit, problemi është i kufizuar në shishet e pakthyeshme të prodhuara nga një nga furnizuesit e saj. Shishet ngjyrë kafe të Stella Artois nuk janë problematike.

Alarmi ka të bëjë me defekte në paketimin e shisheve 33cl që mund të shkaktojë shkëputjen e copëzave të vogla të xhamit që mund të bien në birrë.

Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit të Ushqimit, FASFC, është e informuar për problemin.

Prodhuesi i Stella Artois ka lajmëruar zyrtarisht gjithashtu edhe partnerët e vet të eksportit që ndodhen në disa vende të tjera të prekura nga sasitë problematike të birrës në Bashkimin Evropian.

Këto vende janë Greqia, Malta, Qipro, Portugalia, Polonia dhe janë njoftuar me qëllim marrjen e masave të duhura parandaluese.

AgroWeb.org ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet zyrtare shqiptare në lidhje me sasitë potenciale të birrës Stella Artois që hyn në Shqipëri dhe Kosovë.

Çfarë thotë kompania që prodhon birrat e prekura?

“Siguria e konsumatorëve tanë është prioriteti ynë numër një. Si një masë paraprake, po tërheqim një numër të kufizuar të shisheve të gjelbër të Stella Artois,” tha Jean-Jacques Velkeniers, President i Evropës Perëndimore në AB InBev.

“Kjo tërheqje nuk ka ndikim në shishe ngjyrë kafeje Stella Artois, të cilat janë të zakonshme në Belgjikë, pasi shumica e shisheve të gjelbërta janë për eksport.”

Njoftimi i kompanisë synon të qetësojë tregjet e Belgjikës dhe Hollandës, ndërkohë që shqetëson tregjet drejt të cilave Stella Artois me shishe të gjelbër eksportohet fuqishëm.

AgroWeb.org njofton se konsumatorët që janë të shqetësuar për shishet e 33cl, mund të kontrollojnë kodet e sasive në fjalë në faqen e internetit www.ab-inbev.be.

Nga e marta në mëngjes, konsumatorët dhe klientët mund t’i kontrollojnë kodet e tyre në stellaartoischeck.expertinquiry.com për të identifikuar nëse kanë sasi birre potencialisht të prekur.

Kodet mund të kontrollohen në etiketën e zezë të prapme të shishes së gjelbër të Stella Artois 33cl. Në këtë link gjeni njoftimin zyrtar të kompanisë prodhuese./AgroWeb.org

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.