NUK DI ME CILËN KËNGË TË TË ZGJOJ

0
126
Shefqet DIBRANI
Serenadë pranë dritares të të këndoj
Syhejl Havolli, NËN RIGAT E DASHURISË, poezi, botoi LENA – Prishtinë 2022, faqe 124. ISBN 978-9951-29-154-5Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Poezia për dashurinë jo vetëm se është pasion por ajo le të mbetët uverturë për rifreskim të shpirtit dhe të ndjenjës. Lirika për dashurinë siç pohon poeti janë serenadë, janë këngë që kapërthuren nëpër dhëmbë, ato mbeten të pastërta në virgjërinë e tyre, kurse si pasion na bëhet sikur janë zbuluar nga poeti Syhejl Havolli, dhe me tërë pastërtinë shpalosen nga sirtarët e shpirtit dhe ndjnjës duke reflektuar mirësi dhe etikë qytetare, shpeshherë si rigë shiu në verë dhe ashtu të lëngshme depërtojnë gjerë në gjakun e poetit, të cilit liriat pikojnë dashuri të zhurmshme, duke ia trazuar pasionin në çdo sekondë të jetës.
NËN RIGAT E DASHURISË
Ti nuk më mungon
Por hyn si shiu i verës
Në plasat e tokës në diell
Në gjakun tim rigon
Dashuri të zhurmshme
Sa të ma nxjerrësh gjumin
Në çdo sekondë
Territ të bubullimave të mia
U jep lëng e jetë
Me shtrydhjen e zemrës
Në buzët e çara
Faqe 5.
Syhejl Havolli, në një varg poezish i rikthehet dashurisë familjare, fëmijëve të vet, dhe kur i shkruan të bijës Blertës, poeti tregon se “Secilën ditëlindje/ Bashkë e kemi festuar/ Faqe për faqe/ Zemër për zemër”, pastaj kur ajo i mungon, prindit poet i mungon “një ditëlindje” më pak në rritën e fëmijës, megjithatë prindi edhe nga distanca dëshiron: “O Zot/ Vetëm ti i di/ Dëshirat e mia/ Faleminderit!”, (poezia VETËM TI I DI, faqe 6), dhe kjo nëkuptohet vetëvetiu. Ndërsa pa të birin Blerimin, i cili është mërgimtar në Norvegji, për poetin “U zvogëlua Evropa që kur ike ti”, se mbase Kosova dhe shtëpia gjithësesi mbetën shumë të vogja, prandaj poeti-prind shkruan: “Dhe unë ty të vogël të mbaj në gji/ Ani që tash unë jam në Jug e ti/ Dritë bën mes mjegullnajave atje në Veri”, (poezia UNË NË JUG TI NË VERI, faqe 7), andaj prindi mbetet gjithmon i ngashëruar për të, kurse ai edhe “Në pikë të verës rigon vetëm dashuri”. Me këtë motiv të ndjenjës prindërore dhe sidomos me admirimin poetik për sukseset e saj, poeti i kushton vargje të përjetuara thellë, edhe bijës tjetër Bulzës, të cilën siç përthehen rrezet e dritës nëpër xhamin e dritarës, ashtu lirika e Syhejl Havollit ndjehet dhe përjetohet nëpër tingujt e pianos:
ME RREZE QËNDISUR
Tingujt e pianos jehojnë deri në qiell
Zgjuan hënën dhe yjet bashkë me diell
Sonte do të këndojmë shumë gjatë
Për sukseset tua në këtë natë
Zëri Yt më josh deri në mëngjes
Bashkë me shikimin që yjet i lë ndez
Për zërin e ëmbël dhe trupin shtatlartë
Nga qielli zbriti një yll në ballë dhuratë
Të gjithë qenkan bukur stolisur
Për sukseset tua me rreze qëndisur
Ç’mrekulli është, kënaqësi e paparë
Ngre dolli Ti Buzëqeshja ime e zjarrtë
Faqe 8.
Nëpër poezitë e librit NËN RIGAT E DASHURISË, të Syhejl Havolli, veçmas motivi për familjen janë vargjët më të spikatura, e kjo ndjenjë përjetohet edhe në poezinë kushtuar „NANËS SIME EMINE“, për të cilën poetin malli e ka marrë andaj, shkruan: „Të të shoh, lotët s’më lënë, më rrjedhin si lumë/ Kur lotët ndalen, sytë më vezullojnë të artë“, sepse „Të gjithë oj Nanë të donin shumë/ Me duar të plasaritura na mikloje në gjumë“, dhe nëna si nëna „Kurrë nuk dukej e rraskapitur/ Djersa nga balli në gji asaj i ka pikur“, (faqe 11.) Ndërsa dhembja që gufon si bari në pranverë, mund të përjetohet tek poezia kushtuar të vëllait tashmë i shtangur si gur?!…
MELODI E GJALLË
Të ftoja për ndeje çdoherë
Stinë vere, aromë lulesh plot erë
Vëlla, vitet po ngrysen atje nën dhé
Buzëqeshja më rri strukur mbi re
Erdha tek varri me një elegji
Përmallshëm me lot e duar në gji
Unë mbi dhé ti si gur
Emri yt s’harrohet kurrë.
Faqe 25.

SHOQATA KULTURORE “SALI MANI” STREH E ARTIT DHE KULTURES
Pavarësisht motivit të dhembjes dhe mallit që ka për të dashurit e vet, poeti arrin t’i shmanget për një çast, për të nxjerrë lirika me motiv shumë të pasur, dhe si dashuri e përkryer nuk duket të jetë vetëm ndjenjë, parasegjithash është kulturë dhe edukatë, prandaj te ky motiv dallon esenca e përpjekjes dhe dëshira për të jetuar, natyrisht edhe për të dashuruar. Kjo metaforë e transformuar në një pamje tjetër, jeta ka kuptim vetëm nëse je i dashuruar: „Njerëz shumë jetojnë/ Për të dashuruar“ ndërsa „Të tjerë dashurojnë/ për të jetuar…“, (faqe 16.), që duket të jetë një formë e gotës “gjysëm e zbrazët” dhe asja gotës tjetër e cila është “gjysëm e mbushur”, gjithsesi poeti mbetet gjithmon i plotë, qoftë në gotën me verë mbushur, e qoftë në prizmin e motivit për të dashuruar, përkatësisht për të jetuar.
MOS MË PYET
Asnjëherë mos më pyet a të dua shumë
Edhe në natën e gjatë që s’kam fare gjumë
Dua ta pres mëngjesin dhe rrezet pak nga pak
Dashurisë sonë asnjëherë s’do t’i vëmë kapak
Jam yll drite në net të vona deri në mëngjes
Ëndrrat më të mira s’t’i prishi, kam kujdes
Nuk di me cilën këngë të të zgjoj
Serenadë pranë dritares të të këndoj
Po t’i këndoj të gjitha pa përtim
T’i përjetojmë me vrull e shumë gëzim
Asnjëherë mos më pyet a të dua shumë
Edhe në natën e gjatë që s’kam fare gjumë
Faqe19.

REVISTA FJALA PERHERE FJALA JUAJ
Poezia në fjalë është njëra nga lirikat më të realizuara brenda këtij libri, madje poezi antologjike. Për të satën herë dashurisë i bie deri në fund poeti, dhe asaj i rikthehet nga fillimi, përjetim dhe ndijim lirik, për të mos i rënë syshi. Këto motive të dashurisë poeti në forma të tjera, dhe parë nga këndvështrime të tjera i ka materializuar edhe në vargje të tjera: “S’dua të nisem për udhëtim/ Je malli im në refrenin tim/ Unë mbi re, ti si diell/ Fytyra jote, ndrit në qiell”, (poezia ME TY JAM, faqe 23.) Andaj ky përjetim artistik zhvillohet nga poezia në poezi duke përjetuar emocione inkurajuese të cilat na thonë se poeti është dashuruar për të jetuar, e këto motive i shohim edhe në poezitë : “Ti je dita ime”, “Natën vonë”, “Pritja”, “Pa titull, pa adresë, pa drejtim”, “Ta hangsha zemrën”, “Vizatova zemrën tënde”, “Të përqafoj me hije”, “Atje ku mbjell lule dashuria”, “Thirrja e poetit”, “Amaneti im”, “Eu dashni eu”, “Ti je gjithkund”, e ndonjë tjetër, në të cilat përveç motivit lirik aty këtu ndeshim nuanca të sarkazmës, çortimit por edhe të vesit patriotik, pasi siç dihet, poeti Syhejl Havolli, është pjesë e elitës që as ky nuk i shpëtoi dhunës dhe inkuzicionit të diktatit të shovinizmit serb. Këtë motiv, më së mirë e ilustron poezia “Letër nga burgu”:

ROZAFA KLUBI LETRARE ME I RI NE SHKODER
LETËR NGA BURGU
Falmi buzët
Fëmijët
Dua t’i puth në ballë
Falmi sytë
Dua t’i shoh
Duke buzqeshur
Falmi duart
Ata
T’i përqafoj
Falmi këmbët
Hapin tua përgjoj
(Mars 1981, dhoma nr. 10)
Si përfundim, jam shumë i sigurt se përmbledhja me lirika NËN RIGAT E DASHURISË, edhe sikur poeti të mos kishte libra të tjerë, e ka bërë poetin Syhejl Havolli të njohur, dhe të mos harrohet kurrë, sepse poezia e tij përveç lirikës së dashurisë ka edhe lirizëm specifik, veçmas kur trajton motivin social i cili brenda këtij libri duket thërmi poetike, dromcë për ta kompletuar si duhet mozaikun e gjithmbarshëm të librit dhe të poezisë që shkruan Ai.
St. Gallen, 03 korrik 2023.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.