NJË HISTORI ME (DHE PA) INTERVISTA, TV E GAZETA…

0
127
Vangjush Saro  Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Qasja në shtyp – gazeta a TV – me shkrime, por sidomos në biseda e intervista, është pjesë e rëndësishme e karrierës së çdo krijuesi profesionist. Ato të prezantojnë ty, por nëse janë bindëse, ndihmojnë edhe publikun, zgjerojnë kufijtë e informacionit dhe ato kulturore në veçanti, hedhin dritë mbi problematika që mund të jenë në hije, etj. Komunikimi përmes mediave nuk është pasion ose qëllim në vetvete; është një detyrim ndaj opinionit publik dhe enteve. Natyrisht, intervistat dhe bisedat sjellin edhe përvoja vetjake; dhe mirë është që ato t’u flasin njerëzve për diçka që e vlen.
Me këtë sy i kam parë dhe i shoh gjithnjë marrëdhëniet me shtypin. (E para ka qenë një intervistë te Hosteni, fillimi i viteve ‘80. Më pas, disa përballje me shtypin, për të ardhur te një intervistë e gazetës Mësuesi në fillim të viteve ‘90, pastaj të tjera te Ballkan, Sot, Zemra Shqiptare, Telegraf, Obelisk, etj. Ndër intervistat e rëndësishme së fundi, ishin ato në RTSH 2 dhe Flasshqip.ca (2022) kurse qasjet në Top Chanel, ABC News, Report TV, RTSH Korça, TV Prizreni, etj. mbeten gjithashtu episode në karrierë.)
Ne kemi nevojë për mediat; dhe ato gjithashtu për ne. Është e vërtetë, jo çdokush ‘përzgjidhet’ e, po ashtu, nuk të përzgjedhin gjithnjë. Të jesh apo jo në to, këtu ndikojnë një sërë faktorë; dhe nuk është as për t’u mburrur, as për ta nënvleftësuar (si detyrim dhe shprehje të karrierës letrare apo çdo fushe tjetër). Por përtej detyrimit, si dhe interesave vetjake, ne gjithaq jemi të obliguar të vëzhgojmë e të shprehemi pa le si shkon kjo dukuri… Bisedat dhe intervistat bëjnë diferencën kur protagonistët janë të duhurit dhe nuk u mungon modestia e drejtpeshimi në atë çfarë thonë. Mendoj, kështu duhet ta cilësojnë edhe vetë mediat zhanrin në fjalë dhe protagonizmin në të, pavarësisht presionit të gjithanshëm e prirjes ‘për audiencë’ e për të tërhequr me çdo kusht (e me çdo çmim) publikun.
Në fakt, ka një pamje në rritje të botës së medias e veças TV: shumë asi, pastaj teknikë cilësore, programe të pasura, dokumentarë e filma që e vlejnë, edhe shumë biseda e intervista klasi (për çka po flasim). Megjithatë, ‘politikat’ në këtë fushë lënë për të dëshiruar. Dhe problemi sa vjen e bëhet më i rëndë. Jo rrallëherë, zhanri në fjalë, pra bisedat nëpër studio dhe intervistat katandisin sikur muhabete kafenesh, në mos kuplarash… Në to, shpesh ka llafe dhe jo fjalë; ka mburrje, bërtitje, përfytje. Për më tepër, shumë prej TV-ve janë në qiellin e shtatë. (E them këtë sepse në atë vend, nga njëra anë njerëzit po hanë kokat për një pëllëmbë tokë e po vriten për një fjalë goje e duke përmendur (sikur ligjin) zakonet dhe kanunin, kurse nga ana tjetër një shumicë hiqen si të ishin fillimi i botës dhe i gjithçkaje.) Shpesh u jepet hapësirë personave që nuk kanë çfarë të ofrojnë për publikun, përveçse snobizmin e tyre. Në ekran po shihen gjer edhe psikopatë, manjakë, njerëz që mund të vetëquhen artistë a filozofë por janë një mjerim i vërtetë. Drejtues emisionesh që ‘vdesin’ për t’u shtirur ‘modernë’, rrinë me orë të tëra duke dëgjuar koketa buzëfryra e budallenj që s’i njeh as vendi, pa le më rajoni e bota. Jo rrallëherë, shpërfaqen mendime të ‘vyera’ nga njerëz që (për fat të keq) edhe mund të kenë shkalluar… Edhe kolegë të respektuar ndonjëherë flasin veresie, ose përpiqen t’i shkojnë pas moderatores apo moderatorit në përpjekjet qesharake për të rritur shikueshmërinë, qoftë edhe duke sakrifikuar etikën, profesionin, më në fund edhe veten… (Duke u moshuar, njeriu fillon e humbet; kjo s’do të thotë se ekrani duhet t’i diskretitojë të ftuarit, as edhe veten.)
Sigurisht, ata që kanë në pronësi TV-të mund të sjellin në publik ç’të duan e ç’të ketë rruga. Në çdo vend të botës, mediat, TV-të shfaqin teprime e kapardisje, mbajnë anë, bëjnë edhe shkelje. Çështja shtrohet që te ne, ashtu si në çdo temë tjetër, kjo kërcet keq fare. Publiku i gjerë pret tjetër; krijues, botues, sportistë, biznesmenë, fermerë, mësues, të tjerë në profesione të ndryshme, njerëz me arritje, duan të shikojnë e të shikohen nga mediat e TV-të në aspektet më të mira. Si, sa e çfarë, kjo është punë mjeshtërie e shpirti.
Lexohemi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.