NËN DIELLIN E CAPRIT E SORRENTOS

0
137
Nga Ndue Lazri-Shënime udhëtimi-May be an image of 7 people and outdoors
Tek i afrohemi me traget ishullit të Caprit, duke parë ata shkëmbinj të thepisur që bien thikë përmbi det, më duket sikur nga çasti në çast do të dëgjoj këngën e sirenave, atë këngë që dëgjoi Uliksi gjatë aventurës së tij të gjatë nëpër Detin Mesdhe. Legjendat thonë se ai arriti deri në Siçili e deri në gjirin e bukur të Napolit.  May be an image of 2 people and sky   E disa nga shkëmbinjtë pranë Positanos dhe ata të ishullit të Caprit i konsiderojnë si vende ku sirenat me trup gjysmë femre e gjysmë shpendi (të tjerë i përshkruajnë gjysmë femër e gjysmë peshk) u ngrinin grackë marinarëve për t’i magjepsur me këngën e tyre e për t’i tërhequr drejt fundit të sigurtë. Madje diku pranë Marinës së Vogël në Capri ekziston Shkëmbi i Sirenave. Thuhej se në këta shkëmbinj rrinin tri sirena, njëra prej të cilave këndonte, kurse dy të tjerat u binin flautit dhe lirës. Kurse studiuesi Servio shkruante se ato ishin thjeshtë prostituta që shkatërronin jetën e marinarëve.
Sidoqoftë, sirena o jo, Capri ka qenë tokë e kolonizuar nga grekët. Madje edhe për emrin e tij disa e interpretojnë në greqisht, duke e lidhur me prezencën e derrave të egër, kurse disa me prezencën e dhive të shumta. Ndaj edhe amfiteatri i veprës së Homerit, Odisea, shtrihet deri në këto anë.May be an image of 10 people and outdoors
Ky ishull i bukur, disi i egër me shkëmbinjtë e thepisur e majemprehtë dhe me bimësinë karakteristike mesdhetare, ka qenë përherë i lakmuar përgjatë historisë dhe i pushtuar nga grekët e romakët, nga spanjollët, anglezët e francezët dhe nga vetë mbretëria e Napolit që kërkonte ta mbante përherë nën dominimin e vet. Në një poezi thuhet:
“I vogël është ishulli,
por dikur qe rival i Romës,
i denjë për të pritur perandorë”.
Jo më kot dy nga perandorët romakë, Augusto e Tiberio e zgjodhën edhe si vend për të banuar, duke ia shkëputur Napolit e duke e vënë nën sundimin e Romës. Perandori Tiberio jetoi këtu për dhjetë vjet. Madje nga dy malet e Caprit, njëri quhet Monte Solaro dhe tjetri Monte Tiberio. Dy perdandorët ndikuan në ngritjen e shumë vilave luksoze, me stil e mobilim perandorak. Tiberio e kishte kthyer Shpellën e Kaltër, një nga magjitë turistike të ishullit, në banjon e tij personale, ku lahej vetëm ai. Sot aty hyjnë me mijra turistë vetëm për të parë atë lojë të habitshme të dritës dhe të ujit pa prezencën e dritës, duke i dhënë ujit dhe pareteve të shpellës ngjyrë të kaltër.May be an image of 2 people, tree and outdoors
Mbase historia e ishullit pak u intereson turistëve që vijnë nga gjithë bota, ku të shumtë janë personalitete të larta të politikës, artit, kuturës, letërsisë, kinemasë, që i shikon gjatë gjithë stinëve të vijnë të pushojnë apo të bëjnë shoping nëpër dyqanet e shumta të modës.
Kemi ardhur me miqtë tanë, shkrimtarin kosovar Rexhep Hoti e bashkëshorten e tij, Mina, gazetare e Televizionit të Kosovës, për të vizituar ishullin e bukur. Ndërsa dy miqtë tanë preferojnë të shetisin në qendër të ishullit, apo më mirë në atë pjesë që quhet Capri, unë e Moza zgjedhim të ngjitemi në pjesën tjetër të ishullit që quhet Anacapri. Rruga me autobus të vogël është gati e frikshme, por panorama e detit gjatë ngjitjes është e mrekullueshme. Vila të shumta të fshehura mes gjelbërimit e bëjnë edhe më të bukur udhëtimin. Anacapri është një qytet i vogël dhe i bardhë mes ullinjsh e agrumesh, me rrugë të ngushta, plot dyqane, ku hyjnë e dalin një mizëri turistësh nga e gjithë bota. Ai ndodhet disa metra mbi det, në këmbët e Monte Solaro (Malit diellor).May be an image of 2 people and outdoors
Me Mozën marrim linjën e teleferikut, që çon në majë të malit. Është një udhëtim zbavitës, ku secili ulet në karriken e tij të varur mbi kavon e çeliktë. Linja është e ulët, pak metra nga toka dhe lëvizja është e avashtë. Kalojmë mbi çati e oborre shtëpish, ku shikohet qartë çdo gjë. Madje aty-këtu të duket se në kalim e sipër mund të zgjasësh dorën e të këpusësh ndonjë fik, portokall apo frut tjetër nga oborret. Në oborrin e një shtëpie duken statujat e vogla të Borëbardhës dhe shtatë xhuxhave. Diku tjetër një vogëlushe ka harruar kukullën e saj.
Ngjitemi në majë të malit dhe prej atje pamja është mahnitëse. Aty shikohet ishulli i rrethuar nga çdo anë me një det të kaltër. Nga një anë është gjiri i Napolit, me qytetin që shtrihet në formë harku pranë ujrave e nën malin e Vezuvit. Në këmbët e malit vullkanik janë Ercolano e Pompei, qytetet që u shkrumbuan e u kthyen në gërmadha nga shpërthimi i fuqishëm i vitit 79 pas Krishtit. Më afër ishullit është gadishulli i bukur i Sorrentos dhe më tej Costiera Amalfitana me bukuritë e saj të pakrahasueshme. Në anën perëndimore duken ishujt e Ischias e Procidas. Nuk di nga ta hedhësh vështrimin më përpara. Turistët e shumtë bëjnë foto pa fund, të cilat janë kartolina të vërteta e të bukura.May be an image of 1 person and outdoors
Zhgënjyes është vetëm lokali i ndërtuar në këtë pikë, që është një ndërtesë e rëndomtë e pa pikë shijeje. Nëse poshtë në Anacapri e Capri ka lokale nga më luksozet, nuk arrijmë të kuptojmë se si në këtë pikë të lartë ndodhet një lokal kaq skarco.
Zbresim poshtë e shetisim nëpër udhët e Caprit. Këtu lëvizet me vështirësi nga turistët e shumtë. Dyqanet luksoze të firmave më të shtrenjta të modës janë plot me njerëz që bëjnë shoping. Zbresim gjatë një rruge që çon drejt detit, andej nga janë tre shkëmbinjtë panoramikë, që i quajnë faraglione. Nën një blerim të dendur ndodhet hoteli Quisiana, ku kanë ardhur shumë personalitate të botës, por edhe shkrimtarë e artistë. Këtu në vitin 1906, pas daljes nga burgu në San Pietroburg erdhi në azil politik shkrimtari rus Maksim Gorki. Vepra e tij ishte e njohur për banorët e Gjirit të Napolit, prandaj kur zbriti nga makina bashkë me gruan e tij të dytë, aktoren Maria Andrejeva, një turmë e madhe admiruesish e rrethoi dhe makina nuk lëvizte dot. U detyruan ta bëjnë në këmbë rrugën deri në hotel nën brohoritjet admiruese të turmës. May be an image of 1 person, standing and outdoors  Në këtë hotel Gorki qëndroi pak kohë. I ardhur në nëntor me mendimin për të ndenjur deri pas Krishtlindjeve, ai u dashurua me tokën e Caprit dhe qëndroi këtu për 7 vjet, i strehuar në vilën Spinola e në vila të tjera që iu afruan. Këtu ai priti shumë miq të tij që vinin nga Rusia, si artistët Bunin e Shaljapin. Por mbi të gjitha, për dy herë, pati një mik të veçantë, atë që do të bëhej udhëheqësi i revolucionit të Tetorit, Vladimir Iliç Lenin. Kishin ardhur edhe Llunaçarski, Bogdanov, Plehanov e të tjerë. Midis ndeshjeve të shahut, ku ishin të pasionuar sidomos Gorki e Lenini dhe diskutimeve të zjarrta politike, pikërisht nga ky ishull hidheshin edhe disa nga tezat e revolucionit që do të shënonte fatet e një të gjashtës së globit tokësor.May be an image of 1 person, standing and body of water
Gorki punoi këtu për shumë vite. Këtu i dha dorën e fundit romanit “Nëna”, që do të shënonte themelet e metodës së realizmit socialist, kaq shumë e urryer jo vetëm në perëndim por edhe nga gjithë artistët antikonformistë në botë. Shkroi librin e bukur “Përrallat e Italisë”, ku ai dëshmon dashurinë për këtë vend. Shkroi edhe librin e suksesshëm “Vepra e Artamanovëve” e të tjerë.
Por Capri do të njihte edhe një shkrimtar tjetër të madh, ardhur në azil politik nga Kili, poetin “Pablo Neruda”. Ai punoi e jetoi këtu për disa kohë bashkë me gruan e tij, Matilden. Shtëpia e tij tanimë është bërë muze e ndodhet në një taracë të bukur përballë shkëmbinjve faraglione. Për kohën e qëndrimit të tij në Capri është realizuar edhe filmi i bukur “Postjeri” me aktorët e shquar Filip Noirete, Massimo Troisi e Maria Grazia Cuccinotta.May be an image of 1 person, tree and outdoors
Por për Caprin ka shkruar edhe Gëte, në shënimet e udhëtimit nga Gjiri i Napolit.
Vazhdojmë shetitjen në rrugicat e bukura mes pishash e pemësh të shumta dekorative, mes lulesh e skulpturash të shumta që zbukurojnë hotelet e vilat luksoze. Diku ndeshim qendrën e parfumeve të Caprit “Carthusia”. Është një qendër e madhe prodhimi dhe shitjesh të parfumeve që prodhohen kryesisht nga lulet dhe bimësia e ishullit. Një pjesë e mirë e kësaj qendre është e gdhendur brenda në shtatin e malit. Kazanë të mëdhenj prej bakri, si ata për prodhimin e rakisë, por më elegantë, janë të ekspozuar edhe në ambientet e jashtme. Në ta ziejnë bimët nga pikojnë pastaj parfumet e rralla që mbajnë markën e këtij ishulli. Një nga më të mirët është parfumi “Lulet e Caprit”, me fragranza shumë delikate. Aty mund ta porositësh parfumin të personalizuar e natyrisht nuk mund të mungonte edhe porosia me emrin e Mozës mbi shishen e parfumit Lulet e Caprit. Është dhuratë në Ditëlindjen e saj.
Më tej gjendemi përpara një lokali shumë të bukur me një tarracë që hapet mbi det. Marrim nga një pije freskuese dhe shijojmë panoramën e mrekullueshme që shpaloset përpara syve.May be an image of indoor
Pasi bashkohemi me Rexhepin e Minen marrim tragetin dhe kthehemi në qytetin e Sorrentos. Thuhet që dikur në prehistori Capri ishte i bashkuar me gadishullin e Sorrentos, më vonë u ndanë nga ujrat e detit, si rezultat i lëvizjeve të tokës nën forcat e saj të errëta. Edhe Sorrento shpalos një bukuri të rrallë, sidomos po ta shikosh nga deti. Ai ngrihet mbi një brez shkëmbor që bie për dhjetra metra thik mbi det. E atje në buzë të shkëmbit nxjerrin syrin dhe shtatin e tyre hotele e vila të shumta e luksoze. Ngjitemi nëpër shkallët e pjerrëta që çojnë nga deti në sheshin “Torquato Tasso”. Poeti i shquar ishte pikërisht nga ky vend, ndaj edhe sheshit më të bukur i është vënë emri i tij. Edhe Sorrento është i ndërtuar nën pemë limonesh e portokallesh. Këtu limonët janë shumë të mëdhenj e shpesh kokrrat peshojnë më shumë se një kile. Sorrento prodhon një nga llojet më të preferuara të pijes së limoncelos.
Nga sheshi “Torquato Tasso” hyjmë në mjediset e Grand Hotel Exelsior Vittoria. Një kopsht i mrekullueshëm me lloj-lloj pemësh e lulesh, me serrën e luleve dhe atë të portokalleve, me pishinën e bukur, me ambientet e brendshme ku gjithçka shkëlqen nën një ndriçim përrallor, me tarracën që shikon direkt mbi det nga e cila soditet një perëndim magjik dhe pamja e Napolit në muzg nën atë dritë herë të artë e herë të përskuqur që merr Vezuvi. Më duhet ta ndjek Mozën që duket sikur më fshihet herë nën një pemë, herë nën një skulpturë e herë mes lulesh shumëngjyrëshe, e mahnitur nga panorama.May be an image of 3 people, people standing, outdoors and text that says "RES MERY 948 Y"
Është një hotel që në rrjedhën e viteve ka patur mysafirë të shquar që nga kurorat mbretërore të Anglisë e të Spanjës, Gjermanisë e Austrisë, Suedisë e Skocisë e deri tek Katerina e Madhe e Rusisë. Pastaj personalitete si Ronald Regan, Rockfeller e Guglielmo Marconi (çmimi Nobel në fizikë), artistë si Jack Lemmon e Sofia Loren, kompozitorë si Xhuzepe Verdi, Rikard Vagner (që përfundoi këtu operan “Parsifal”), shkrimtarin e filosofin Frederik Niçe e të tjerë.
Secili ka lënë këtu gjurmët e veta e ka marrë me vete kujtime nga më të bukurat. Por më shumë emri i këtij hoteli lidhet me emrin e këngëtarit të famshëm të lirikës italiane e botërore Enrico Carruso, që kishte këtu suitën e tij derisa vdiq, si dhe me emrin e Lucio Dallës, që krijoi këngën e famshme “Carruso”. Lucio, i pasionuar pas barkës, kishte ardhur një mbrëmje në portin e Sorrentos. I ishte prishur barka e ndërsa mjeshtrit po punonin ta riparonin, ai i kërkoi dikujt laps e letër, u ngjit tek pianoja që ndodhet në një nga ambientet e hotelit e brenda natës shkroi tekstin e muzikën e asaj kënge që është bërë e njohur në gjithë botën. Pianoja, nga tastet e së cilës dolën tingujt e asaj kënge është akoma aty. Dhe ne bëjmë foto pranë saj, siç bëjmë foto edhe në tarracën e bukur e në lulishtet e hotelit. Sot hoteli frekuentohet nga manjatë e njerëz të pasur, kryesisht të sferave të biznesit. Dhomat më të lira këtu shkojnë rreth 800 eura nata per person, kurse suitat janë mbi 2000 euro. Ndërsa lokali në tarracë e restorantet frekuentohen edhe nga turistë të zakonshëm.
Gjithnjë më ka ngjallur kuriozitet emri i një plazhi të vogël sekret që mban emrin Banjo e mbretëreshës Giovanna. Një plazh i rrethuar me shkëmbinj, me një hyrje të rezervuar dhe i paarritshëm nga sytë e njerëzve kureshtarë. Mbretëresha quhej Giovanna II d’Angio-Durazzo. Pikërisht ky mbiemri që përmban emrin e qytetit të Durrësit më kishte bërë kureshtar. Mësoj se ajo ka lindur në vitin 1371 në Zarë të Kroacisë (ku dihet që ka ekzistuar gjithnjë edhe një komunitet shqiptar) dhe prindërit e saj ishin çifti mbretëror Carlo III d’Angio Durazzo dhe Margherita Durazzo, që kanë mbretëruar në Napoli. May be an image of skyGiovanna ka qenë mbretëreshë për shumë vite dhe rreth saj ka shumë histori e legjenda që e tregojnë si një grua libertina, të dhënë shumë pas qejfeve e jetës intime, që i ndërronte meshkujt thuajse çdo natë.Madje shkojnë deri atje sa thonë që ajo i thërriste djemtë në dhomën e saj, pastaj i vriste dhe i hidhte nga dritarja në një gropë të thellë me ujë, ku i hanin krokodilët. Por ka edhe studiues që e tregojnë një mbretëreshë të përkushtuar ndaj fronit. Gjithësesi, serioze apo libertina, banjoja me emrin e saj është akoma atje në Sorrenton e bukur dhe mbiemri i saj i lidhur me Durrësin mbetet akoma një mister.May be an image of 1 person, standing and outdoors
Pasi bëjmë foto edhe me perëndimin e bukur të Sorrentos, me mbresat e një dite shumë të bukur e me shenjat e lodhjes që fillojnë të ndihen, ecim drejt hotelit tonë në Salerno, për të marrë drejtime të reja të nesërmen nën diellin e jugut të bukur të Italisë. Ndërsa makina çan përmes agrumesh brigjeve shkëmbore, në mendje më vijnë vargjet e Bajronit që pat shkruar pikërisht këtun në Sorrento në poezinë për Torquato Tasson:
Nuk do të ecim më duke u vërtitur
kaq vonë nëpër natë,
edhe nëse ka më pak dashuri,
hëna shkëlqen njësoj si më parë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.