Negociatat/ Bundestagu jep “PO” me kushte për Shqipërinë. Cilat janë ato?

0
288

Grupet parlamentare të Bundestagut gjerman, CDU/CSU si dhe SPD, kanë autorizuar ditën e sotme qeverinë federale që të mbështesë çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Por, për këtë vendim, grupet parlamentare kanë theksuar edhe kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë para marrjes së përgjigjes nga Këshilli Europian.

Grupet e majta dhe të djathta të parlamentit gjerman, kanë bërë të qartë që procesi i integrimit të Shqipërisë nuk mund të hedhë hapa para pa zgjidhur fillimisht krizën politike.

Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që menjëherë të bëjnë çdo përpjekje për të kapërcyer sa më shpejt këtë krizë përmes dialogut politik, sepse përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të bëhet në mënyrë të konsiderueshme më e vështirë.

Po ashtu, grupet parlamentare gjermane, kërkojnë që të sqarohet menjëherë legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.

Parlamentarët gjermanë kanë konstatuar edhe mungesën e dënimeve përsa i përket krimeve zgjedhore. Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri  tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën.

Dokumenti i hartuar nga CDU/CSU si dhe SPD nuk përcakton një datë konkrete për konferencën e parë të anëtarësimit dhe këtu fillojnë kushtet, që nisin me vënien në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për të vijuar me reformën zgjedhore.

Të merret vendim  për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE / ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5.9.2019.

Kushtet shtohen për mbajtjen e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapjen e kapitujeve të parë të negociatave, ku kërkohet:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar.

– Fillimi i procedimeve  penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar.

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.