NË VEND TË NJË URIMI, BOGËJANVE DHE TË GJITHË ATYRE QË FESTOJNË SHËN MHILLIN KISHA E BOGËS NË UDHËKRYQET E MOTMOTEVE

0
212
NGA NDUE BACAJ  NDUE BACAJ MERR VLERSIMIN “QYTETAR NDERI” I MALËSISË SË ...
Kisha që shohim sot në Bogë i kushtohet SHËN MHILLIT. Kjo kishë si dhe të tjerat në Malësi e Shqipëri është një mrekulli e rindertuar , apo më sakt e ringjallur pas stuhisë së ateizmit komunist të viteve 1967-1990. Kisha e Bogës “fatësisht” gjatë stuhisë ateiste nuk u shkatërrua, por u tjetersua në magazinë , furrë buke ose diçka tjeter. Kjo kishë ka një histori rreth 400 vjeçare ndërtimi e rindërtimi aty ku është sot, në Preçaj (qëndër e fshatit). Sipas një relacioni që i dërgohej Romës në vitin 1669.., mësohen edhe emrat e misioneve, kisha e Bogës drejtohej nga Misioni i Kastratit i cili i ishte besue at Giuseppe da Orvieto, i ndihmuem prej fra Pacifico i fshatit të Bogës , përfshinte , sadoqë jashtë juridiksionit vet , fshatrat e Kosanës dhe të Koçiqit, ”nënshtrua osmanëve” dhe atë të Bogës që nuk i lante haraç sulltanit. …1. Ndërsa nga një relacion i Dioqezez së Shkodres i vitit 1745 mësojmë se kisha e Bogës bënte pjesë në famullinë e Shkrelit. Kjo kishë ishte larg nga Bashieta (Bzheta) e Sipërme dy orë e gjysëm (me këmbë N.B.) , numronte 39 shtëpi katolike me 267 frymë. Kisha e famullisë i kushtohej Shna Prenës…2. Siç shihet gjatë shekujve të më vonshëm (e deri sot) kemi të bëjmë jo me ndërtime të reja, por kemi të bëjmë me rindërtime të kishës së Boges ndër mote e shekuj… Këtë histori rindërtimesh e verteton edhe një studiues i huaj që është marrë me hartat e Kantelit dhe Koronelit të shekullit XVII, i cili rikonfirmon ndërtimin e Kishës së Boges para shek.XVII, dhe se kjo kishë ishte e ndërtuar në qëndër të bajrakut të Boges, në Preçaj…3. Nga një relacion i vizitës baritore të vitit 1756 të ipeshkëvit Pal Kampesi mesojmë se Boga kishte 30 shtëpi me 129 banorë të rritur dhe 210 femijë. Kisha i kushtohej Shna Prendes, ndërsa famulltari që kryente sherbesat fetare në këtë kishë ishte Anton Logoreci .4. Sipas disa gojdhënave (që mund të gjendën edhe sot , fillimi i XXI) kjo kishë deri në fundin e shek.XVIII i kushtohej Shna Prenes , ku kremtimi i Shna Prenes si festë më shumë i ngjante një feste për bjeshkatarët.. Por pas vitit 1801 kisha i kushtohet Shën Mhillit , që njihet edhe si kryenëgjëlli mbrojtës i miqëve. Festa e Shën Mhillit në Bogë (si dhe kudo që kremtohet), fillon natën e 28 shtatorit dhe vazhdon ditën e 29 shtatorit. Ferliqet , gostitë e ndryshme, por mbi të mikpritja e veçantë që gjindët në shtëpiat e bogëjanve janë një mrekulli e ruajtur prej shekujsh, ndaj shpesh kremtimi i kësaj feste i “identifikohet” si Shën Mllilli i Bogës.. Duke u bazuar edhe në të dhënat e regjistrimeve të pushtuesve osman të viteve 1485 , 1582 e vijim mesojmë se banorët e Bogës kanë qënë gjithnjë besnik të pa lekundur të besimit Kristian –Katolik, ndaj shumë vendime apo usulle (siç quheshin ndër kohë), që janë marrur në favor të këtyre trojeve, janë marrë pikrisht te kisha e Bogës.. Për të vertetuar sado pakë nga këto evenimente historike e jetike me mjaftë aromë civiliuese Europerendimore , po kujtoj se Boga ( si Malësia e më gjërë) edhe në kushtet e një shteti pa shtet (pasi ai otoman ishte pushtues e hileqar) kishte gjetur forcë e mendje për të organizuar kuvende apo usulle për të vendosur rregull e qetësi në vendin e vetë, si dhe per të ruajtur vlera të përbashkëta që ju ai kishte falur Zoti. Një usull i till u muar me datën 15 dhjetor të vitit 1906, i cili përbëhej nga shtatë “pika”që në përgjithësi kanë të bëjnë me rregullimin e mardhënieve në mes banorëve pa dallime trashigimie e hierarkie (derë bajraktari ,vojvode apo gjobari), ruajtjen e bashkëjetesës e harmonisë në mes bogëjanve në zbatim të kanunit të rregulluar me usulle e marrveshje , si dhe në caktimin e rregullave kur me dalë në Okol (bjeshkë verore …) etjer , por edhe vendosjen e gjobave per ata që nuk zbatonin apo shkelnin Usullin… Miratimi i këtij Usulli ka në fund “nënshkrimet” : bajraktari Losh Sokoli (vulë), Nikë Prekë Leka (vule) , Nikë Shyti ; Gjobar : Mash Pllumi , Lekë Martini , Zef Toma , Lekë Micani , Gjon Martini ,Tomë Gjoni , Gjergj Kola , Dedë Elezi , e Maç Prela (9 gishtrinjë e një vule).5. Po nga ky burim (dokumenti nr.14 , fq.184-185 i librit sipercituar), mesojmë se Bajraku i Bogës me datën 28 tetor 1907 bënë edhe një Usull tjetër të rëndësishëm për ngushtimin e gjakmarrjes , duke bua (ndjekë) vetëm shtëpia –shtëpinë, madje në usull thuhet me ba vaki me u nda dy vellazen dje e sot , e me vra vellau dikë në bajrak të vet , ai vella që u nda mos me u fshehë për gjak aspak, dhe ba me dasht bile mund të shkojnë me varros të vramin…

REVISTA FJALA URON GEZUAR SHEN MEHILLIN!

Nëse shkelej ky usull parashikoheshin masa shumë të forta ndëshkimore etjerë.. Këtë Usull apo me sakt Vendim e nënshkruajnë : Bajraktari -Losh Sokoli (vulë ), Vojvod- Zef Prekë Leka (vulë), Nikë Shyti (vulë). Duhet të theksojmë se vendimet janë të gjitha të shkruara , madje edhe të arshivuara nga autoritetet shtetërore të asaj kohe në Shkodër. Një ndihmë të madhe në këto kuvende ku merreshin vendime apo usullet siç i quanin atëherë jepnin famulltarët e kishave katolike perkatëse , ku këta famulltarë përgatitnin infrastrukturen e kuvendeve dhe shkruanin usullet… Perveç shumë usulleve apo vendimeve një eveniment me vlera që lidhet me Kishen e Boges është edhe ngritja e flamurit kombëtar me 5 prill 1941 nga kleriku antifashist, patrioti Pater Leke Luli, i cili në shenjë proteste kundër pushtuesit fashist në prani të treqindë malsoreve do të valviste flamurin e Gjergj Kastriotit (pa shenjat e liktorit..), në oborrin e Kishës së Bogës… Në Bogë (në fisin Ulaj) kanë lindur dy vëllezërit shembull të binomit Fe dhe Atdhe : At Marin Sirdani (1887-1962) dhe At Aleksander (Lekë) të cilët perveçse ishin patriot e klerik të mirë, ishin edhe studiues e historianë. Atë Marinin diktatura e burgosi e persekutoi, por ai na ka lënë veprat e tij me vlera.. si : Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar , Françeskanet në Shqipni dhe shqiptarët katolik në lamë të Atdhetarisë , Skenderbeu mbas gojdhenave etjer… Dom Aleksander Sirdani (1903-1948), edhe ky perveçse ishte një klerik e patriot i dalluar , ishte edhe etnograf , historian , mbledhes folklori dhe fjalëve të rradha e të urta , si dhe një poet i ëmbel. Diktatura komuniste pasi e arreston i merr shpirtin pa gjyqë në “Mat’hauzin” e vogël të Koplikut në vitin 1948. Trupin as sot nuk dihet se ku ja kanë hellur , ndërsa veprat e tija janë vjedhur nga sahanlepirsit që diktatura i gradoi deri me tituj Profesor… Sot Boga dhe kisha e saj janë krenarë me keta bijë të vet , që janë nderuar nga pushteti domokrat lokal i ish komunes Shkrel , ndërsa Dom Aleksandri ( Dom Leka) është edhe njeri ndër 38 martiret e kishes Katolike të shenjtëruar nga Selia e Shenjtë (Vatikani).. Boga sot në regjistrin e gjendjes civile (të njesisë administrative Shkrel) ka të shënuar rreth 500 banorë , të gjithë të besimit katolik. Nga Boga ndër shekuj janë larguar edhe dhjetra familje apo qindra banorë që kanë shkuar per të jetuar brenda trojeve të Malësisë e Shqipërisë, por edhe në Europë e deri në Amerikë. Boga me organizimin e vjetër shoqëror ka qënë njeri ndër katër bajrakët e Kelmendit , ndonse në organizimet kishtare dhe ushtarake thuajse vazhdimisht i është bashkëngjitur Shkrelit. Boga ndër mote ka qënë vend i mrekullueshem klimaterik i “ndërtuar” nga dora e Zotit , dhe mrekullitë e ropit (njeriut). Këtë e dallon çdo vizitor shqiptar dhe i huaj , por unë mendova të “zgjedhë” për të cituar një studiues dhe historian të më shumë se një shekulli më parë, Theodor Ippen, i cili ndër të tjera do të shkruante : “..Një Pamje të bukur ka …fshati me kishë i Bogës … Këtu lugina hapet në një fushë (rrafshnaltë..N.B.) të vogël me lendina që të prehin syrin , kanë bukuri edhe malet… Udhëtari që vjen në Bogë ka për të parë me interesë kryqet e drujta mbi varrezen që rrethon kishën e fshatit… Perveç gdhendjeve në dru, sheh në to një zbukurim të çuditshëm ; në krahun vertikal edhe në cipet e krahut anësorë janë gëdhendur në dru tre zogj në madhesinë e një mudhibardhe , ose mëdhenje. Ky zakon vjen pa dyshim nga ndonjë besim popullorë…6. Është interesant se edhe sot pas më shumë se njëqindë viteve (kur Bogen e kishte vizituar Ippeni) , mund të konstatohen këto “zbukurime” interesante në varrezat e Bogës, (ndonse zbukurimet sot janë më moderne e bashkohore) , ndërsa kisha dhe varret rreth saj janë po aty dhe po ato…të cilat ruajnë me “konservatorizëm” një histori me vlera besimi e qytetrimi me kahje gjithmonë nga perendimi…

GËZUAR SHËN MHILLIN, BOGËJANVE DHE TË GJITHË ATYRE QË E FESTOJNË.
REFERENCAT:
1.Italo Sarro , Kontribut për historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme shek.XVII-XIX ,fq.27-28, botime Franceskane ,Shkodër , 2015.
2.Nevila Nika ,Dioqeza e Shkodres gjatë shek.XVIII , sipas dokumenteve arkivore ,fq.156.
3.Ermanno Armao ;Vende , kisha ,lumenjë , male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore ,fq. 49.
4.Italo Sarro , po aty , fq.59.
5.Kahreman Ulqini ,Struktura e Shoqerisë Tradicionale Shqiptare ,fq.182-184,dok.nr.13 ,marrë nga arkivi i muzeut historik Shkoder..
6.Theodor Ippen ,Shqiperia e Vjeter…fq.26.
7. Vrojtime dhe trashigimi gojore të mbledhura nga autori N.B.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.