NË KOPSHTET E SISSIT NË MERANO

0
331

Nga : Ndue Lazri

Treni u nis nga stacioni i Vienës përmes një mjegulle të dendur vjeshte. Dukej sikur vetë mjegulla donte të maskonte këtë tren në të cilin udhëtonte një udhëtare jo e zakontë. Mbase vetëm ndokush nga drejtuesit e hekurudhave e dinte që në atë tren udhëtonte e maskuar vetë perandoresha e Austrisë, Elizabeta, e thirrur nga të gjithë me dashuri princesha Sissi. E shoqëruar nga 102 vetë të personelit të saj, ajo kishte marrë rrugën drejt Italisë me një impenjim jo të zakontë familjar. Vogëlushja 2-vjeçare Marie Valerie ishte e sëmurë rëndë nga mushkëritë dhe jeta e saj ishte në rrezik. Vetë mjekët më të shquar vienezë e kishin këshilluar ta dërgonte në një vend me klimë të përshtatshme që mund ta shpëtonte jetën e vogëlushes, duke i këshilluar qytetin e vogël të Meranos, në gji të Alpeve në Alto Adige, apo Tirolin e Jugut,siç e quanin ata.
Ishte kjo arsyeja që perandoresha kishte ndërmarrë atë udhëtim nëpër të ftohtin e vjeshtës. Ishte 16 tetor i vitit 1870. Treni, pasi kaloi ultësirën përreth Vienës, do të shtegëtonte luginave përmes malesh të lartë ku kishte rënë dëbora e parë, për të çarë pastaj në zemër të Alpeve, duke kapërcyer Brenerin për të zbritur drejt Meranos. Kavalieri Moritz Von Leon, që ishte bërë pronar i kështjellës Trauttmansdorff, duke e blerë atë nga konti Joseph i Stirias, ishte lajmëruar me kohë për këtë mysafire të jashtëzakonshme dhe i kishte përgatitur të gjitha dhomat që do të okuponte perandoresha me personelin e saj dhe vogëlushja me dadon që përkujdesej për të. Edhe mobilimi ishte bërë sipas shijes dhe rangut të perandoreshës Sissi. Për të ishte përgatitur gjithë krahu jugperëndimor i katit të dytë të kështjellës. Të gjitha dhomat e këtij krahu dhe sidomos dhoma e gjumit e kërkuar posaçërisht nga perandoresha kishin pamjen më të bukur mbi luginën dhe pejsazhin malor përreth. Kurse në krahun juglindor, andej nga ndihej edhe më mirë ajri i dobishëm për vogëlushen, ishin përgatitur 3 dhoma për Marie Valerie e dadon e saj. Diku në mes ishte përgatitur edhe një zyrë e posaçme telegrafi, nëpërmjet së cilës perandoresha lidhej thuajse çdo ditë me Vienën dhe bashkëshortin e saj, Franc Jozef.
Këtu Sissi kaloi muaj të tërë, gjatë të cilëve dilte vazhdimisht shëtitje përmes shtigjesh të ngushta përmes gjelbërimit, mes kodrave e në shpatin e malit përballë. Një shteg i veçantë, që më vonë u quajt “Sentiero di Sissi” (Shtegu i Sissit), e çonte atë që nga kështjella deri në qendër të qytetit të Meranos, të cilin perandoresha e pëlqente shumë. Pikërisht aty ku mbaronte shtegu dhe fillonte qendra e qytetit, sot është Parku i Sissit në Merano, në mes të të cilit ndodhet edhe një statujë e perandoreshës bukuroshe.
Vizitat e perandoreshës (ishin 4 gjithsejt, disa prej të cilave zgjatën me muaj) e veçanërisht shërimi i vogëlushes Marie Valerie e bënë këtë qytet të ketë një njohje ndërkombëtare dhe të vizitohet çdo vit nga qindra mijëra turistë.
Për herë të fundit perandoresha do të vinte në vitin 1889. Përsëri prag dimri. Por këtë radhë nuk ishte më ajo Sissi e qeshur e gazmore dhe nuk e kishte shkëlqimin e dikurshëm të saj e as dëshirën të dilte shetitje si dikur. Buzëqeshja e saj ishte shuar, bukuria e saj ishte mbuluar me veshje të errëta dhe në vend të emrit Sissi banorët vendas filluan ta thërrisnin “donna in nero” (gruaja me të zeza). Sapo kishte vdekur djali i saj Rudolf dhe ajo kishte ardhur këtu për të mbytur sadopak zinë që kishte mbuluar familjen perandorake e “për të kujtuar ditët dhe kohët e lumtura që kishte kaluar këtu”, siç do të shkruante vetë perandoresha. Edhe vetë moti këtë radhë sikur ishte në harmoni me gjendjen e saj shpirtërore. Mot i keq, i mvrenjtur e shumë i ftohtë, që e detyroi perandoreshën pas 6 javësh nga ardhja, të merrte udhën e kthimit për në Vienë.
Emri, vizitat dhe dashuria e Sissit për këtë qytet i sollën jo vetëm famë, por edhe zhvillim ekonomik Meranos. E nëqoftëse sot kemi këtë qytet aq tërheqës të ngritur përgjatë rrjedhës së lumit që zbret nga malet, është pikërisht lidhja me këtë emër e figurë të shquar.
Kështjella Trauttmansdorff mori shkëlqim të ri me zgjerimet dhe restaurimet që u bënë. Edhe kur u kthye në muze krahinor të turizmit, ambientet ku kishte banuar Sissi, dhomat, afreskat dhe objektet e saj personale u ruajtën origjinale siç kanë qenë dhe turistët që e vizitojnë mund t’i shikojnë një nga një. Fotot e imazhet e Sissit të ndjekin ngado. Në shkallaren e bardhë të hyrjes prej mermeri është një pllakë e bukur ku janë gdhendur portretet e Sissit e Franc Jozefit, me një shënim në gjermanisht që kujton qëndrimet e perandoreshës këtu në vitet 1870-71 e 1889. Ndërsa në shkallë perandoresha e bronxtë duket sikur është ulur posaçërisht për të përshëndetur vizitorët dhe simpatizantët e saj.
Të shumta janë shtigjet nga shetiste perandoresha. Në shumë nga ato shtigje janë statuja të saj të punuara me shije e me domethënie, mes gjelbërimit e luleve në shpatin e malit, apo e zhveshur mes ujërave në mes ujvarave të vogla që derdhen në basenin ujor në qendër të parkut.
Pikërisht, duke ndjekur itinerarin e këtyre shtigjeve, është ngritur parku me një sipërfaqe prej 12 hektarësh, që njihet me emrin Kopshtet e Sissit, ose kopshtet e kështjellës Trauttmansdorff. Në të vërtetë në kohën e Sissit kopshtet nuk kishin atë pamje që kanë sot. Pronarët e kështjellës në kohë të ndryshme kishin filluar ndërtimin e tyre, por lulëzimi i tyre i vërtetë, siç është sot, u bë kur kaloi në pronësi të provincës Alto Adige, pas vitit 1977. Kopshtet përfunduan së ndërtuari në vitin 1991 dhe janë hapur për publikun në vitin 2001. Bukuria e tyre e rrallë, shtrirja e tyre përmes taracash e shtigjesh të gjelbra në pjerrësinë e malit, pasuria bimore me pemë e lule të sjella nga të katër anët e globit, ndërtimi me aq shije i ujvarave e ambienteve ujore e bënë atë shpejt një pikë tërheqëse për turistë nga e gjithë bota dhe në vitin 2005 është shpallur Parku më i bukur i Italisë, kurse në vitin 2006 parku nr.6 në Europë.
Bashkë me Mozën, mbesën time të dashur Lori,tek e cila jemi mysafirë në Trentino dhe djalin e saj fantastik,Matteo, ashtu si qindra e qindra turistë të tjerë hyjmë të vizitojmë këto kopshte që të mahnisin me bukurinë dhe shumëllojshmërinë e bimëve e të luleve që has në çdo hap. Kopshtet janë konceptuar si të thuash në 4 ndarje të mëdha. Në atë që quhet “Boschi del mondo” (Pyje të botës) ka pemë e bimë të sjella nga lindja e largët. Ka prej tyre që kanë arritur këtu para 150 vjetësh. Në pjesën tjetër të quajtur “Giardini del sole” (Kopshtet e diellit) ka bimësi e lule karakteristike mesdhetare. Në pjesën e kopshteve ujore dhe me tarraca ka lotuse, zambakë e shumë bimë të tjera uji apo lule të përshtatshme për terren malor, kurse në pjesën e pejsazhit të Alto Adige ka bimësi e lule të territorit lokal. Shtigjet përplot me vizitorë gjarpërojnë thuajse të padukshme mes pemëve dhe ngjitja në një nivel 100 metra më lart nga pika e hyrjes deri tek ballkonet paronamike të varura në ajër, bëhet pa u ndjerë. Vende vende lulet u ngjajnë tapeteve shumëngjyrëshe. I një tërheqjeje të veçantë është Kopshti i të dashuruarve, i ndërtuar me harqe plot ngjyra. Poshtë çdo harku, fjalët “të dashuroj” janë shkruar në gjuhë të ndryshme të botës. Në secilin prej tyre çiftet e të dashuruarve ndalen e bëjnë foto. Diku në mes të këtij kopshti është edhe një bust i vogël i Sissit. E kush mund të jetë simbol i dashurisë më shumë se sa perandoresha bukuroshe austriake? Gjithë kopshti është i ndërtuar me detaje,simbole, skulptura e shkrime shumë romantike që i përshtaten temës së dashurisë.
Kalojnë mbi 5-6 orë pa kuptuar midis këtyre bukurive të rralla e në dalje ke dëshirën t’i kthehesh edhe një herë nga e para. Por më poshtë është qyteti tërheqës i Meranos, tak i cili kemi qenë vitin e kaluar, por çdo kthim të mbush me mbresa të reja.

* * *
Vizita në Kopshtet e Sissit ishte një mbyllje spektakolare e ditëve shumë të bukura që kaluam në zonën e Trentinos në mikpritjen e mbesave të mia Vera e Lori Ndreca. Lori na ofron mikpritjen në apartamentin e saj në një zonë të freskët të Roveretos, që na duket një luks i vërtetë pas vapës së madhe në Bolonjë. Djali i saj 4-vjeçar, Matteo, është shumë i dashur e shumë inteligjent dhe nuk na ndahet asnjë çast. Ai na tregon se ëndërron të bëhet astronaut dhe,përveçse i di gjithë emrat e planeteve, di të thotë edhe cili është planeti më i madh, cili është më i vogël, cili është planeti me unaza etj. Në një moment, pas darke, e ëma i thotë: -Matteo, dielli ka shkuar të flerë, është koha që të flemë edhe ne. Dhe ai na mahnit me përgjigjen e tij: -Mama, dielli nuk fle,se nuk është qenie e gjallë e nuk ka nevojë për gjumë. Ai ka shkuar të ndriçojë gjysmën tjetër të tokës…
Mbesa tjetër, Vera, me bashkëshortin e saj,Walter dhe djalin Alessio kanë shkuar me pushime diku më lart, në një lagje të vogël karakteristike, Giazera, në bjeshkët mbi Rovereto. Ata na ftojnë ditën tjetër në atë shtëpi të vogël por të bukur si shtëpi kukulle. Pimë nga një kafe në barin e vetëm që është aty dhe pastaj ngjitemi akoma përpjetë bjeshkëve, në një malga (vendverim për tufat dhe barinjtë), ku hamë drekë në një lokal ku çdo gjë është bio dhe prodhim vendi. Bëhet fjalë për prodhime blegtorale të freskëta. Madje është një fërgesë e veçantë që bëhet vetëm me djathin e atij mëngjesi. Diçka e paprovuar ndonjëherë në jetë. Edhe polenta e gjithë asortimentet e tjera janë prodhime të vendit.
Prej aty, Walter me Jeep-in e tij na bën një xhiro nëpër një rrugë sa të vështirë aq panoramike, rreth majave e kullotave alpine, atje ku bagëtitë i lejojnë vetes luksin të ushqehen me majat e barit dhe ku mund të ndeshesh fare lehtë në kaproj, derra të egër e kamoshë.
Të nesërmen në darkë në shtëpinë malore të Walterit e Verës do bashkoheshim edhe me nipin tim, Palin, dhe bashkëshorten e tij,Vitoren, që kanë ardhur nga Milano. Ndërsa një ditë më vonë, në qendër të Roveretos, bashkë me Lorin do shkonim për një kafe tek miqtë tanë, Miltjadh Ziu e Gjovalin Gjergji. Milto na thotë si me shaka:-Rrini pa frikë se Rovereto është një zonë ku aktualisht numuri i të infektuarve me Covid19 është zero, ndonëse këtu janë kuruar të infektuarit e gjithë zonës së Trentos.
Ishin ditë intensive, në shijimin e bukurive alpine, në shoqërinë e njerëzve tanë e të miqve të dashur që dinë t’i bëjnë të gjitha momentet të bukura.

Ndue Lazri.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.