RESMI OSMANI – TREGIM
Atë pasdite korriku,edhe pse dielli ishte në të perënduar, i nxehti nuk kishte rënë. Në pemët e parkut të liqenit, nuk dridhej asnjë gjethe. Dëgjohej kënga ujem e gjinkallave dhe bulkthave. Shëtitorja ishte e populluar nga ata, që donin t’i shpëtonin vapës, por edhe nga vrapues e vrapuese dhe nga gjindja e moshave të ndryshme që barisnin ngeshëm, duke përtypur fara, kokoshka apo misra të pjekur dhe duke tjerrur biseda sa për të shkuar kohën. Shumë syresh, kishin nxjerrë shëtitje qentë, që shpesh i tërhiqnin të zotët osh pas kapistrave duke trembur fëmijët dhe gratë. Albani, me kutinë e klarinetës nën krah, po çapiste për në vendin e tij të zakonshëm: Te stolat nën hijen e pishës së madhe. Në njerin nga stolat ishte ulur një çift i moshuar, tjetri ishte i lirë. Për mirësjellje u kërkoi leje nëse mund të ulej. Ata i buzëqeshën mirësisht. I thanë se vetëm po çlodheshin dhe pas pak do të ngriheshin. Albani hapi kutinë e klarinetës, mbërtheu pjesët, pastaj e vuri mbi gjunjë. Kutinë e hapur e uli përdhe para vetes. Burri i stolit tjetër I hodhi sytë me kërshëri. Djali, i veshur me pantallona të shkurtëra dhe këmishë të lehtë, vinte i dobët, i hajthëm, fytyrëhequr, por i hijshëm, me mjekër të rrallë e të butë si push dhe flokë të gjatë të ndarë anash. Në pamjen e tij të qetë, vihej re një trishtim i lehtë, një brengosje, që e bënte të dukej i përmalluar, disi i përhumbur e i papërqëndruar.
-Jeni muzikant?-e pyeti burri.
-Ende jo. Jam student i vitit të fundit në Universitetin e Arteve. Vij këtu pasditeve, në freskinë e parkut dhe luaj meloditë, që më pëlqejnë. Dashamirët e muzikës më darovisin me ndonjë lek. Si t’ua them? Edhe ushtrohem, edhe punoj. Në një pamundësi tjetër, kjo është puna ime, kuptohet pak e ndryshme nga ajo që njerëzit janë mësuar ta quajnë punë! Ç’ti bësh, – psherëtiu ai- Gjithkush përpiqet me të vetën!
Burrit i erdhi keq. Djali duhet të ishte hollë nga ekonomia dhe nuk e pyeti më për gjë tjetër. U ngritën, i uruan djalit ditën e mirë dhe u larguan për të vijuar shëtitjen e tyre.
* * *
Albani ndjehej fillikat. Kishte muaj, që ishte ndarë me Borën, apo më saktë që Bora u nda prej tij. Nuk po arrinte të mësohej me këtë ndarje, që i kishte mbetur në shpirt si plagë e hapur, që dhembte, që e bënte të vuante braktisjen dhe vetminë. Një boshllëk, që sado përpiqej, nuk e mbushte dot. Ditët dukeshin të gjata dhe netët pa fund. Kishte humbur shijen e jetës. Ajo i përfytyrohej kudo . Pamja e saj , ishte dhembje shpirti e pafashitur dhe mall ronitës. Sado që përpiqej, nuk e fshinte dot nga kujtesa dhe vetëdija.
Që në vegjëli ishin rritur bashkë. Familjet e tyre jetonin ne të njejtin pallat. Kur ishin në kopshtin e fëmijëve, ai i ndukte gërshetat,luanin e qeshnin. Në shkollë uleshin në të njëjtën bangë. Vitet shkonin dhe të dy, që ishin duke u rritur, nisën ta ndjenin disi ndryshe, si një kërkesë shpirtërore nevojën për të qënë bashkë. Shkauan në Liceun Artistik, ai për instrumentist ajo në balet. Ajo lidhje e gjatë, e afërt, në dukje vëllazërore e si pa të keq, vetiu u kthye në një ndjenjë tjetër. Rinia e ktheu në dashuri. Ai kishte pyetur veten: “ E mirë? Sa s’thuhet. E dashur? Shumë. E bukur? “Ishte mësuar aq shumë me pamjen e saj, sa s’dinte si ta quante, por nga mënyra si e shihnin djemtë, duhej të ishte e bukur. U këmbyen puthjet e para, fytyrat u mbuluan me purpur, u tha fjala magjike”Të dua”, me zë të drithëruar. Ishte një dashuri e përmbajtur, e qetë, me ëmbëlsi ndjenjash e përkujdesje . Duheshin. Jeta ishte e bukur. Jetonin për njeri-tjetrin, me përkujdesje e miklime, me plot ëndrra, në botën e bukur e fantastike të artit, me tinguj, lëvizje e harmoni. Dukej se ishin bërë për njeri – tjetrin. Kështu ishte deri para disa muajsh .
Bora e kishte braktisur për një tjetër.
Mori klarinetën. Gjishtat e hollë prekën tastet, tingujt e parë dolën si një psherëtimë, si një frymëmarrje dihatëse, si shushurimë ere në gjethe, si çurku gurgullues i ujit nga burimi. Tingujt fluturuan si fluturat në erë dhe si të zëna për dore, pushtuan hapësirën duke hedhur vallen e tyre me ritëm të shtruar e të përmalluar. Ishte melodia “Mall”, që fluturonte në kërkim të dashurisë së humbur. Melodia rridhte vetiu, mendja e tij u kthye prapa, dy vite më parë.
Kishin zënë një dhomë me qera në bregdet. Në mbrëmje vonë, të dy dolën në terracë. Nata ishte e kthjellët, qielli i larzuar nga yllësitë e pafundme, hëna ende s’kishte dalë. Nga bregdeti vinte pshertime e përmalluar e dallgëve, që puthnin bregun e aty shuheshin.
– Sonte ti do të luash për mua, – i tha ajo me të folurën e saj nazike.
-Kurse ti do të kërcesh për mua- i tha ai.
Ashtu bënë. Albani mori klarinetën. Kur tingujt e melodisë u përhapën në natën e qetë, Bora, e zbathur, në majë të gishtave, hodhi hapat e parë, të ngadaltë, të lehtë, me kokën pas,me shikim nga yjet dhe duart që lëkundeshin lehtë, sikur donin të kapnin qiellin. Mandej hapat u shpejtuan, trupi u hepua anash, pastaj paksa përpara, një rrotullim i lehtë dhe përsëri çape lozonjare. Ishte e lehtë si era, si flutur, e buzëqeshur. Ajo vallzonte për të, nën çatinë e qiellit, nën dritën e yjeve, me shoqërimin e shushërimës së valëve. Albani e la klarinetën dhe i mrekulluar ju afrua. Ajo vazhdonte të vallëzonte. Kur iu afrua më pranë, ajo bëri një kërcim të beftë dhe ai e priti para krahëve. Ajo iu var në qafë. Ai ndjeu ermirimin e trupit të saj. Ishte trofeja e tij. Ashtu para duarve, hyri në dhomë dhe e uli butësisht në shtrat. Iu dhanë njeri-tjetrit me ashk, me pasion, por përkëdhelshëm dhe ëmbëlsisht. Ishte një natë e paharruar. Lindja e hënës i gjeti të përqafuar, teksa u gëzoheshin hireve të tyre.
-Shihe hënën, – i tha ai- Ajo lindi për ne, që të na e zbukurojë këtë natë.
Dolën përjashta me rrobe banje. Ishte mesnatë. Nga larg vinin ritmet e vrullshme të diskove. Deti kishte veshur rroben e endur me dritë hëne. Bora hyri e para në ujë.
-Shiko, – i tha ajo – Po lahemi me dritë hëne, vëri re piklat e ujit në trup si ndrijnë!
Ai e lagu me ujë e ajo fërgëllonte dhe gugiste, i qepej pas trupit dhe e puthte ëmbëlsisht. Ishin vetëm me njeri-tjetrin, me detin, hënën, yjet qiellin. Notuan sa u lodhën, pastaj dolën në breg. Ai e puthi midis gjokseve. Ishin të njelmët, me aromën e jodit dhe leshterikëve. Shkuan në dhomë dhe bënë përsëri dashuri. Nxorën një shtrat në terracë dhe aty, të mbuluar nga kupa e yllësuar e qiellit dhe të nanurisur nga ninulla që ua këndonte deti, bënë gjumin e ëndrrave, që thuhet veç në përralla!
Bora e kishte braktisur. Tashmë ishte në krahët e një tjetëri.
Albani u përmend. Shetitësit, të shumtët të rinj, kishin mbajtur këmbët dhe dëgjonin melodinë. Kur ajo mbaroi ata e duartrokitën. I falënderoi me një përkulje të lehtë dhe nisi melodinë tjetër. Ishte “Kthehu në shtator”, e kompozuar nga Darlingu, pastaj Improvizoi nga “Sonata në dritën e hënës”, të Bethovenit dhe “Kohë vere”, më pas “Ëndërr dashurie”. Një stafetë melodish. Megjithëse miniatura, ato ishin kryevepra të paarritshme në llojin e vet. Mjeshtrat e mëdhenj i kishin kompozuar si përjetime vetjake. Edhe ata kishin dashuruar dhe i kishin dashuruar: Listi, i ëmbli dhe delikati Shopen, zemëraku dhe i vrullshmi Bet’hoven; Bahu babaxhan; Bizeja impulsive; Verdi gjenial, kishin dashuruar, kishin përjetuar ditë të paharruara parajsore, por edhe zhgënjime, pabesi e braktisje. Gjithë këto përjetime , mjeshtrat e mëdhenj i kishin derdhur në tinguj, në melodi, që ishin sa tokësore dhe qiellore, plot mall, por edhe brengë. Shpesh zhgënjimi dhe pabesia e gruas te Bet’hoveni, ndjeheshin si një klithje dhe britmë patetike, si një shtërgatë shpirtërore. Për çudi edhe kur ndjenjat ishin të furishme, në to nuk ndjehej urrejtje. Urrejtja ishte e huaj për dashurinë. Po ai? Buzëqeshi hidhur që guxoi të krahasohej me ‘ta. Por edhe atij, të njëjtat ndjenja i molisnin shpirtin, trondisnin zemrën dhe turbullonin mendjen. Po ai a e urrente Borën? Jo. Në atë pështjellim ndjenjash kishte gjithçka, por jo urrejtje. Ndoshta një ditë edhe ai, do të kompozonte një melodi po aq të ndjerë, por tanipërtani, për vuajtjen e vet, ai merrte për melhem , balsam dhe ushqim shpirtëror, ato melodi, që ishin krijuar për ata, që ishin të përmalluar për dashurinë e humbur. Kjo ishte magjia e artit. Donte të bëhej pjesë e kësaj magjie.
Endi kishte hyrë në jetët e tyre, si një prrua i rrëmbyer që zbret nga mali dhe merr me turr gjithçka gjen përpara. Studionte për mardhënie ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut. Bora e njohu në njerin nga lokalet e natës të bllokut. Shtatlartë, pamjebukur, tërë gjallëri, i vrullshëm. Pinë koktejl të shtrenjtë, dëfryen. Endi shpenzonte pa kursim. E dëshiroi Borën që në shikimin e parë. Ai ishte nga ata tipa, që e arrijnë gjithmonë atë që duan. Gjatë vallzimit ai s’ia hiqte shikimin. I lavdëroi bukurinë. Bora nisi të qeshte ,ndoshta ai fliste nën veprimin e pijes, por edhe u miklua nga vardisja e tij dhe këmbyen fjalë fluturake. Ndaj të gdhirë, ai e mori me makinën e tij sportive, një “Ferrari” flakë e kuqe dhe e përcolli në shtëpi. Te porta e pallatit në atë gjysmë errësirë, ai e tërhoqi pranë vetes dhe e puthi vrullshëm e papritmas, sa Bora mbeti e hutuar. Për fund javë ai e ftoi të bujtnin në vilën e tyre të bregdetit dhe të nesërmen për një shëtitje në det me jahtin me vela të familjes. Bora ngurroi, por fitoi kërshëria dhe dëshira për një shëtitje detare me një jaht pasanikësh me vela. Duhet të ishte diçka romantike. Pas kësaj ajo u lidh me Endin. E bëri për vete jo vetëm me hijeshinë e bukurinë trupore, por edhe me vrullin, gëzimin, pasionin, me atë dritë që i buronte nga sytë e zez, zërin prej basi, që vibronte nga dashuria sa herë i fliste dhe dëshirën për ta jetuar çastin me gjithë bukurinë, për ta pirë kupën e jetës me fund. Me pozitën e familjes dhe arsimin, që po merrte, atë e priste një e ardhme e shkëlqyer në fushën e diplomacisë.
As vetë nuk dinte si ta spjegonte. U ndje ligsht midis dy djemve, midis dy dashurive, njerës që sapo filloi dhe tjetrës, që mbaroi, por që gjithsesi nuk mund të shuhej. Kishte qenë pjesë e qënies së saj dhe ndoshta tërë jetën, në nënshtresën e vetëdijes do të mbetej aty, si shkëmbenjtë nënujorë. Ajo nuk ishte hipokrite. Ndjente keqardhje dhe ligështohej, kur e mendonte se Albani tashmë ishte një histori e së kaluarës. Shkuan me Endin dhe ia thanë Albanit. Ai u shtang,u zbeh, nuk foli asnjë fjalë, ktheu krahët dhe u largua, si të kthehej nga një funeral. Dashuria kishte vdekur.
Pyeti veten: Përse? Ajo kishte jetën e saj dhe të drejtën për ta jetuar ashtu si e mendonte, si t’i dukej më mirë. Dashuria? Me sa dukej nuk mjaftonin vetëm ndjenjat dhe përkushtimi për ta mbajtur gjallë. Dashuria kishte nevojë edhe për një makinë sportive, edhe një jaht me vela të bardha, edhe për një vilë në bregdet, edhe për pushime në alpe dhe një vetësiguri e mirëqënie afatgjatë. E bukur shpirtërorja dhe idealja, por e nevojshme edhe materialja. Jeta ishte praktike, duhej kërkuar më e mira e të mirave. Këtë kishte bërë Bora. Kishte gjetur te Endi, ato që ai nuk mund t’ia jepte. Nuk ishte e para, e kishin bërë dhe do ta bënin dhe shumë të tjera apo të tjerë pas saj.
Teksa ai luante meloditë e tij, kishte rënë muzgu. U ndezën dritat. Shëtitësit ishin rralluar dhe shëtitorja e parkut po boshatisej. Albani i ndau pjesët e klarinetës. Mori nga këllëfi një grusht me monedha, që do t’i mjaftonin për një picë dhe një birrë, dhe e mbylli kutinë. Të nxehtit ishte platitur, frynte një puhizë e lehtë dhe e freskët. Dritat e dobëta, nuk arrinin ta shpërndanin muzgun. Para se të çohej për të ikur, teksa ishte duke soditur lojën e hijeve dhe të dritës dhe fluturat e natës, këto dashnore të dritës, që silleshin rreth llampave, ndjeu t’i tingëllonte së brendshmi një melodi e panjohur, me ritëm të ngadaltë, si një psherëtimë, si gurgullimë ujrash, si fërfërima e gjetheve nga puhiza e erës, por gjithësesi e bukur.
Mbase ky ishte ai që e quajnë frymëzim. Nxori fletoren e pentagramit, shkroi sipër titullin”Malli i dashurisë” dhe si në ethe, aty nën dritën e zbehtë të fenerit të rrugës, në stolin e parkut, filloi të hidhte notat. Kur e mbaroi, e këndoi lehtë me zë. Ndjeu ngazëllim dhe lehtësim. Ishte kompozimi i tij i parë.
Më pas, gjeti një tekst të bukur të poetit Xhevahir Spahiu. Kënga përfundonte me vargjet:
Pranvera do të vijë
Dhe lulet e dashurisë do të çelin përsëri!
Këngën e paraqiti në Top-Fest. E këndoi një e re e talentuar. Pati sukses të bujshëm dhe qëndroi në krye të këngëve për muaj me radhë.