Nga :Zana Taho
Lufta në këtë pjesë të globit i dha frytet e saj. Politika nuk është e shëndetshme aty ku mbillet luftë e jo paqe, aty ku derdhet gjak i pafajshëm e ku mungon dashuria. Nga politika nuk po mësojmë atë që vlen, por atë që nuk vlen. E ndërsa shpirti mbushet nga padrejtësitë, nga vrasjet dhe zullumi njerëzor, pjesa tjetër e globit që mendon se nuk e ka fatin të përjetojë efektet e kësaj tragjedie njerëzore, po e humbet konceptin e të jetuarit në dashuri vëllazërore.
Lufta shkakton atë mizori që bëhet mësim për breza në vite e shekuj. Këto vite mizorie kanë shërbyer për të kuptuar dhe bërë dallimin mes luftës dhe paqes.
Në Afganistan, liderët udhëheqës kanë shpalosur konfliktin në vend të gjuhës së marrëveshjes. Ky konflikt brenda vetes, ka thurrur zinxhirë që kanë lidhur burra e gra, fëmijë e pleq, bija dhe nëna të pambrojtura. Këta zinxhirë i kanë tërhequr fort pas vetes ato politika, që nuk shpien askund, veç mirëqenies personale të atyre që kanë urdhëruar vrasje dhe masakra të pashembullta në historinë e këtij vendi. Paqja e këtij vendi nuk shëmbëllen me dritën, pasi errësira e mendjeve që drejtojnë dhe manipulojnë kolona shtypëse të reshtuara në rradhët e tradhtisë, ditën e kanë shndërruar me natën, e cila ka sunduar për vite duke errësuar logjikën, arsyen, epiqendra e të cilave ka qenë në lindjen e mendimit për jetën.
Sot jemi përballë një rezultati, i cili shpalos mënyrën e politikave që udhëhoqën këtë vend për vite me rradhë. Rezultati nuk është fitimprurës. Të shpallurit fajtorë dhe fitimtarë, nuk kanë marrë medalje nderi. Të qënët fajtor nuk ndëshkohen, e të qënët fitimtar nuk vetëdeklarohen. Por rezultati i kësaj beteje, është i shkruar tashmë në histori. Kemi përballë dy klika të ashtuquajtura luftëtarë të lirisë, si asaj kombëtare dhe asaj pseudokombëtare. Pseudokombëtarizimi quhet rrezik për vendasit, të cilët duhet të ruajnë besimin, se në vendin e tyre tashmë duhet të mbillen rrënjët e lirisë dhe të demokracisë. Por ky pseudokombëtarizim, këto rrënjë nuk i ka mbjellë në kohën e duhur, ndaj edhe rezultati është i patjetërsueshëm. Nuk mund të mbillen rrënjë të kalbura dhe të thara, e ndërsa ata që quhen luftëtarë të lirisë së kombit të tyre, trumbetojnë rrugëve “fitoren” e kësaj lufte, dhe vetëshpallen si sovrani që fitoi betejën me ndihmën e Allahut. Por Allahu i tyre nuk udhëhiqet nga njeriu. Zoti i Gjithëpushtetshëm është Zoti i paqes, e cila rrënjën e lirisë nuk e ka të dëmtuar nga dorë njeriu.
Të manipulosh politikën në kurriz të popujve të pafajshëm, për t’u pasuruar në emër të titujve personalë, është dëshmia më e qartë e shkeljes së çdo ligji të formuluar dhe të shkruar në Kushtetutën e çdo kombi. Politikat e mbrapshta janë të destinuara të falimentojnë në emër të tradhtisë. Dështimi i tyre është pasqyra ku duhet të shohin fytyrat e tyre politikanë peshkaqenë, që lundrojnë në ujra të cekta e jo të thella. Fati i tyre është dështimi nga cektina e mendjes së mbrapshtë.
Çdo komb lirinë e ka shkruar me gjak, e ky gjak tregon për pafajësinë dhe mbrapshtinë. Lëkura e politikanit nuk është mburojë për shpirtin e tij. Me këtë lëkurë, nuk mund të mbulojë papastërtitë e veprës së mbrapshtë.
Kjo luftë u mbyll pa sukses. I vetmi “sukses” që mund të vetëshpallet nga njeriu, është dalja në pah e politikës manipulative, e cila duhet të bëhet mësim si për të shkuarën ashtu edhe për të ardhmen e çdo kombi që e meriton jetën në paqe dhe liri!
ZANA TAKO 19.08.2021