Nga:Binak Ulaj
Në kuadër të Ditës së Krijimtarisë Letrare dhe Shkencore për Plavën e Gucinë, në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj, më 31.7.2021, u shënua 85- vjetori i lindjes së akademik profesor Rexhep Qosjes.
Në këtë manifestim, që përplotësonte aktivitetet kushtuar 40-vjetorit të Demonstratave të vitit 1981, u dha një recital me pjesë të zgjedhura nga veprat e profesor Qosjes kushtuar Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
Me atë rast, ashtu siç ishte ideuar, u zhvillua një bashkëbisedim me bashkatdhetarët e profesor Qosjes ku u fol për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe për gjendjen përtashme politike gjithëkombëtare.
***
Ja disa pjesë nga vlerësimet e mia për akademikun e shquar.
Vëllezër e motra, miq dhe vlerësues të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosjes,
Është gëzim dhe nder i veçantë për mua që, së bashku me ju dhe me profesorin tonë emërndritur, ta shënojmë 85- vjetorin e lindjes së tij.
Vepra të shumta letrare, vepra të artit muzikor dhe të artit figurative dhe atij pamor, u janë kushtuar gjeneralëve të luftërave çlirimtare, por ja, ndodh edhe e kundërta- Gjenerali i luftës dhe i paqes, Kudusi Lame, ia ka kushtuar një vepër vëllimore monumentale profesor Qosjes, në të cilën, ndër të tjera shkruan: “ Filozofia e Qosjes ka dhënë prova të pakontestueshme të saktësisë së mendimit parashikues dhe të ideve vizionare.”
Një vlerësim i tillë i gjeneralit Lame, nuk është i rastësishëm. Jo ! Duke qenë ushtarak me përvojë profesionale, pjesëmarrës në Luftën e UÇK-së, syrit dhe vëmendjes së tij nuk do t’ i shpëtojë qëndrimi dhe veprimtaria e personaliteteve të politikës dhe të artit në Kosovë. E, profesor Qosja, me punën e vet krijuese mendore e shpirtërore, letërsisë , historisë dhe kritikës së letërsisë, polemikës dhe publicistikës politike e shoqërore, veçmas publicistikës dokumentare shqiptare, i ka dhuruar mbi pesëdhjetë vepra të botuara, një numër i të cilave janë përkthyer në disa gjuhë kryesore të huaja. Së shpejti do ta kemi në dorë edhe ditarin e tij, të nëntin më radhë.
Temë kryesore në veprat e Qosjes është fati i popullit tonë, i popullit të pambrojtur siç e quan ai, përpjekjet dhe lufta e tij për liri, lufta kundër dhunës dhe të keqes.
Se me çfarë përkushtimi janë shkruar gjithë këto vepra, të denja edhe për një institucion të mirëfilltë shkencor, mësojmë nga jetëshkrimi i profesorit, i cili nuk kursen as shëndetin e vet, as përkushtimin e pazëvendësueshëm ndaj familjes së vet. ‘’ Nganjëherë lexoj e shkruaj deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, pa ditur për të shtune, të diele a festa… Çdo ditë e kaluar pa shkruar më bëhet si një copë e shqyer e mishit të trupit që më sjell dhembje’’- shkruan ai. Dhe, të gjithë këtë, jo për një javë, muaj, apo për një vit, por për afro shtatë dekada. Është kjo dëshmi e përkushtimit dhe e sakrificës, ndoshta të pashembullt, në krijimtarinë letrare e shkencore te ne.
Duke e njohur me dekada dhe nga afër profesor Qosjen, e them me plot bindje se, për krijimtarinë voluminoze e të përkryer letrare e shkencore të tij, rol të pazëvendësueshëm ka pasur bashkëshortja e tij, Shpresa, veterane e arsimit, pa mirëkuptimin dhe përkujdesjen e saj ai nuk do të bëhej krijues emërmadh çfarë është .
***
Mendje e formuar nga leximi i veprave të shkrimtarëve me famë botërore, nga studimi i vëmendshëm i rrjedhave letrare dhe i teorive letrare botërore , por edhe i pasionuar pas leximit të veprave të filozofëve të mëdhenj të antikitetit e këndej , të cilët i quan të perëndishëm, Qosja sjellë një frymë të re, moderne, çfarë nuk ishte hasur më parë në letërsinë dhe studimet letrare shqipe. Përveç kësaj fryme, ajo që e karakterizon veprën e Qosjes, veçmas prozën e tij, është përzgjedhja dhe shtjellimi i temave të ndaluara, për të cilat askush nuk kishte guxuar të shkruante më përpara. Romani ‘’Vdekja më vjen prej syve të tillë’’, është romani i parë në letërsinë shqipe, i cili trajton temën e dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, të ushtruar nga organet e UDB-së jugosllave.
Trajtimi i kësaj teme në një kohë kur një vepër e tillë mund t’ i kushtonte me jetë, është dëshmi e guximit intelektual e moral të Qosjes. Temë e tillë nuk ishte trajtuar më parë as në llojet e tjera të artit në ish- Jugosllavi, tani të ndjerë.
Dhuna është temë qendrore edhe në romanet ’’ Një dashuri dhe shtatë faje’’, ’’ Nata është dita jonë’’ dhe në vepra tjera. Romani ‘’ Bijtë e askujt’’ trajton temën e viktimizimit të individit nga organet e sigurimit të shtetit totalitar. Romani i fundit ‘’Të fshehtat e treguara’’ është roman postmodern, me shumësi formash tematike që përplotësohen artistikisht dhe estetikisht.
Të këqijat që e përcjellin jetën shoqërore që nga lashtësia e deri sot, siç janë smira, xhelozia, urrejtja e, veçmas dhuna e paraqitur si humanizëm, janë përmbajtje e dramave “Beselam pse më flijonë”, “Sfinga e gjallë” dhe “Vdekja e një mbretëreshe”, “Mite të zhveshura”…
Përveç krijimtarisë letrare, profesor Qosja është studiuesi më i dalluar dhe më gjithëpërfshirës i historisë së letërsisë shqipe. Vepra e tij “Historia e letërsisë shqipe”, e botuar në tri vëllime, “Porosia e madhe”, “Asdreni- jeta dhe vepra e tij” janë kryevepra të kësaj fushe.
Kritika letrare e tij kundër skematizmit, anakronizmit, folklorizmit, kiçit në art , është shprehje e vetëdijes së tij të lartë kritike. ‘’ Morfologjia e një fushate’’ është vepra kritike dhe polemike e cila do t’ i trazojë keq , për periudhë jo të shkurtër , mendjet e krijuesve provincialë, servilë të të pushtetshmëve, por edhe të politikanëve me bindje të rrënjosur jugosllaviste.
Autoritet me kulturë të gjithanshme shkencore dhe me vetëdije të lartë atdhetare, profesor Qosja krijimtarinë e vet mendore intelektuale ia kushton edhe publicistikës dhe shkrimit të veprave dokumentare. Vepra publicistike e dokumentare e Qosjes shtjellojnë tema për veprime e ngjarje historike vendimtare për fatin e popullit shqiptar. Vetë titujt e këtyre veprave tregojnë për përmbajtjen që kanë. Ja disa prej këtyre titujve: “Populli i ndaluar” (botimin e kësaj vepre në Nju Jork, të përkthyer në gjuhën angleze, e ka financuar bashkatdhetari, Rexhep Vuçetaj), ‘’ Strategjia e bashkimit kombëtar”, “Çështja shqiptare- historia dhe politika”, “Shqiperia dhe Kosova”, “Demokracia e shpërdorur”, “Pushteti i korruptuar”…
Demonstratat e vitit 1981, UÇK-ja dhe profesor Qosja
Me kërkesat politike të Demonstratave të vitit 1981 dhe me botimin e veprave publicistike të Qosjes, fillon dejugosllavizimi i mendimit politik shqiptar në Kosovë. Vlen të theksohet se Qosja ishte intelektuali më i përgatitur dhe më i përgjegjshëm që ishte në gjendje të ballafaqohej me intelektualët shovinistë serbë. Paraqitjet e Qosjes në përfytje me ta, ishin të argumentuara dhe, si të tilla, të pakontestueshme shkencërisht.
Përveç polemikave me intelektualët kundërshqiptarë serbë, malazez, maqedonas, me shkrimet publicistike Qosja do të jetë zë i fuqishëm kundër veprimeve të dëmshme, çintegruese edhe në të dy krahët e atdheut tonë, në
Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, veprime këto prej të cilave, mjerisht vetje të caktuara publike, nuk kanë hequr dorë as sot e kësaj dite. Krijimi i një gjuhe të dytë standarde dhe i kombit të ri kosovar është shembulli më tipik i çintegrimit dhe më dëmsjellës për popullin shqiptar. “Të gjitha të këqijat na kanë ndodhur se kemi qenë popull i ndarë dhe atdhe të copëtuar’’- konstaton Qosja.
Qëndrimi i profesor Qosjes ishte i njëjtë me pikëpamjet e shprehura me veprat e tij letrare e shkencore. Ai kishte vlerësim të lartë meritor e të paluhatshëm për rininë studentore e shkollore, veçmas për pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. “Asgjë nuk mund të shkruaj pa pasur parasysh idealin e tyre për të cilin ata nuk ngurrojnë të flijohen”- shkruan Qosja dhe shton “- Po të mos ishin të rinjtë tanë me të cilët Serbia, Jugosllavia dhe zbatuesit e politikës së tyre në Kosovë, po i stolisin burgjet e Kosovës, të Serbisë, të Bosnjë Hercegovinës, të MaqedonIsë, Malit të Zi, madje edhe të Kroacisë ( unë do të shtoja, edhe të Sllovenisë, ku e kanë vuajtur dënimin jo pak të burgosur politikë shqiptarë, ndër ta edhe bashkëveprimtarë të mitë), do të mund të quheshim popull pa qëllim historik. Të rinjtë tanë po na e shpëtojnë fytyrën para brezave të ardhshëm.”
Përveç rolit vendimtar të demonstratave të vitit 1981, shkrimet e profesor Qosjes dhe intervistat e tij dhënë mediave të huaja, do të jenë zë i pazëvendësueshëm vendimtar për aktualizimin e çështjes së Kosovës në botë. Zëri i Qosjes ishte zëri më përfaqësues i inteligjencës shqiptare në Kosovë. Mjerisht, një pjesë e kësaj inteligjence dhe e klasës politike do të bien në provimin historikë duke u deklaruar kundër demonstratave, kundër kërkesave të drejta të tyre, duke i quajtur kundërrevolucion, kualifikim ky me pasoja tepër të rënda për popullin shqiptar. Deklarim të tillë Qosja nuk do t’ ia lejojë vetës, ndonëse do t’ i kushtojë me largim nga pozita e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, me ndalimin e botimit dhe të financimit të shkrimeve të tij, me qëllim që ta mënjanojnë nga jeta kulturore e publike. ‘’ Si t’ i quajë armiqësore demonstratat që përfaqësojnë përkushtimin më të madh atdhetar ndaj Kosovës.’’ arsyetonte ai.
Qosja nuk është shkrimtar që shkruan me porosi, gjë që është bërë dukuri e shëmtuar e përditshmërisë sonë. Sot, me para, porositen e shkruhen monografi, madje edhe vepra letrare, ku hiperbolizohen njerëz pa kurrfarë meritash, me të kaluar të dëmshme, madje kundërshqiptare. Mbrojtës i shëndetit moral në veprat letrare e shkencore, Qosja kritikon ashpër veprimet e tilla, ngase është i vendosur ta thotë të vërteten e, me këtë, ta ruajë edhe ndërgjegjen e vet. E, ruajtja e ndërgjegjes ka bërë që profesor Qosja ta ruajë shëndetin moral, kusht ky për ruajtjen edhe të shëndetit trupor e shpirtëror.
Me formimin e UÇK-së Qosja do të vë të gjitha aftësitë e veta mendore në shërbim të propagandimit dhe mbrojtjes së luftës së drejtë të saj. Paraqitja e tij në Kongresin e SHBA-ve, në Këshillin e Bashkimit Evropian, veçmas shndërrimi i shtëpisë së tij në zyrë, ku pret dhe përcjellë politikanë dhe diplomatë të shumtë botërorë, do të ketë ndikim të pazëvendësueshëm në informimin e drejtë të opinionit të jashtëm për luftën e UÇK-së. Qosja do të mbrojë UÇK-në, jo vetëm nga shpifjet e qarqeve politike, kulturore e mediat e Beogradit, por edhe nga klasa politike shqiptare, e cila shpresonte se liria e Kosovës do të vinte duke u lutur përtokas. Qëndrimi i vendosur i Qosjes, që Delegacionit të Kosovës në Rambuje duhet t’ i printe përfaqësuesi i atyre që e bënin luftën, pra përfaqësuesi i UÇK-së, ashtu siç edhe u bë, ishte qëndrim i drejtë dhe largpamës.
Duke i mbetur besnik misionit të tij për vetëdijesimin e popullit dhe duke qenë zë i qëndresës vepruese, edhe sot Qosja shkruan e kritikon ashpër dukuritë që cenojë rëndë ndërtimin e shtetit demokratik, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Republikën e Kosovës. “Për demokracinë kritika është shumë më e shëndetshme se lavdërimet”- konstaton ai.
Pak fjalë për gjuhën e veprave të Qosjes
Qosja i kushton kujdes të jashtëzakonshëm gjuhës. Para se t ‘ i publikojë shkrimet e tij, ai do t’ i lexojë e rilexojë nga disa herë, ndaj mendimet e tij dalin aq të sakta dhe të ngjeshura. Përveç kësaj Qosja ka krijuar shumë fjalë, togfjalësha e nocione të reja, ashtu siç vepronin edhe rilindësit tanë, traditën e të cilëve e shpie më tej. Në veprën e Qosjes ka shumë aforizma, dëshmi kjo e përvojës së tij krijuese e jetësore. (Më vjen keq që për shkaqe familjare nuk kam arritur ta mbaj premtimin dhënë profesorit për të shkruar e publikuar një studim për thëniet aforistike e fjalët e reja n verat e tij letrare e publicistike.)
Ja disa sosh të pa analizuara : aminues, hiçkushi, gjithëçkabërës, kurrëkushnjeri, konjukturist, llafehane, makthndjellës, nënbishti, satrapizëm, saharishte, shunddrejtues, ujar… i,e çjerizuar, i çgjuhësuar, i ishulluar, i kiçerizuar, i shtazërishëm, i fushëmarrëzisë…çnjerizoj, pushtetoj, papagallizoj, servilizoj…çetnikçe, diktaturshëm, policorisht, urrejtsshëm…defatorët e Serbisë, diskutues biseksual, errësirë mendore, hudum politik, kiç atdhetar, koncert politik, mendje katërkëmbëshe, sjellje e përtokshme pluhërishte politike, politikë blegtorale, skalpim politik, rrufjan politik…
Aforizma: Atdhetarizmi është ndjenjë e përhershme ose nuk është fare; Populli po kërkon liri, liria po kërkon popull; Populli e ka stolisur gjoksin e tij me medalje e dekorata e ai e stolisë gjoksin e popullit me gënjeshtra e mashtrime; Çdo qëllim i madh është njëkohësisht qëllim afatgjatë; Edhe budallai kur hesht është i mençur; Gjithmonë kapelat bien për tokë kur të zotët përkulen shumë; Sa më vogël aq më shumë i do fjalët e mëdha; Kemi heronj në varre e karagjozë në politikë; Vetëm idiotëve s’ u dhemb askund…
Në njërën prej veprave të tij Qosja shkruan : “Nuk i kushtoj rëndësi ditëlindjes. Dhe kurrë s’i kam kushtuar. Jam lindur rastësisht- ka mundur të mos lindem.”
Po! Sikur mos të lindej Qosja, kultura shqiptare do të mbetej pa një gjeni krijues.
Dhe të kthehem përsëri të gjenerali. Asnjë luftë çlirimtare në kohëra moderne nuk është fituar pa bashkëveprimin e gjeneralëve të luftës dhe të gjeneralëve të mendjes.
Gjenerali i mendjes, profesor Qosja e ka përmbushur misionin e vet intelektual jetësor, ndaj na mbetet t’ i urojmë të ketë edhe më tej shëndet fizik e mendor për ta përplotësuar misionin e tij dhe përjetuar Rilindjen e tretë- atë të Bashkimit kombëtar!