Ligji/Ndryshon për drejtorët e shkollave, emërimi, ulja në detyrë dhe shkarkimi i drejtuesve në shkolla

0
263
FJALA PER ARSIMIN

Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat tashmë janë zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, përcaktojnë se si do të emërohen, do të ulen në detyrë ose shkarkohen drejtuesit në shkolla. Konkurrimi i hapur do të jetë forma se si do të veprohet për përzgjedhjen e drejtuesve të shkollave në arsimin parauniversitar publik. Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat tashmë janë zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë përcaktojnë se drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Ndërsa nëndrejtori do të emërohet nga titullari i institucionit publik arsimor parauniveristar përkatës po ashtu pas propozimit të dy kandidatëve, që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë fituar të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”, si dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar.Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve për drejtimin e institucionit arsimor. Në asnjë rast, drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike. Ulja në detyrë e një drejtori shkolle do të bëhet në rastet kur pas vlerësimit vjetor të performancës nga ana e institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, rezulton me performancë jo të kënaqshme. Për drejtorin pezullohet marrëdhënia e punës dhe efektet financiare deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente në rastet kur: gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të ligjit për arsimin parauniversitar në vend. Janë tetë shkeljet e përcaktuara ndaj të cilave do të veprohet me shkarkimin e drejtorit në një shkollë të arsimit parauniversitar në vend. Shkarkimi do të ndodhë kur ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale, apo të një vepre penale që dënohet me burgim.

E njëjta masë do të merret, për parregullsi ose dobësi të theksuara në menaxhimin e shkollës përkatëse. Drejtori do të shkarkohet edhe kur ka rast të përsëritur të shkeljeve për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur nga Komisioni i Disiplinës “Paralajmërim për largim nga puna”. Kjo masë do të jepet edhe kur faktohet se drejtori ka kryer shkelje të procedurave të zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe/ose të Maturës Shtetërore, ka organizuar ose ka lejuar gjatë procesit mësimor pjesëmarrjen e mësuesve apo të nxënësve në veprimtari partiake ose ka marrë pjesë në to. Edhe për rastet kur konstatohet se pas emërimit, drejtori bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike do të merret vendimi për shkarkimin e tij. Performanca e dobët e shkollës do të jetë një tjetër kriter shkarkimi. Përfundimi i marrëdhënies së punës së drejtorit bëhet në këto raste: jep dorëheqjen, mbush moshën e pensionit, me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave, si dhe kur merret masa disiplinore e largimit nga puna. Drejtori dhe nëndrejtori kanë të drejtë të dëgjohen nga titullari i institucionit përkatës para se të merret njëra prej masave të mësipërme.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.