LIBRI: ” DHE SHKRETËTIRA DO TË LULËZOJË” , NJË MESAZH BESIMI,SHPRESE,JETE DHE NDRYSHIMI NË JETËN E BANORËVE TË BLINISHTIT DHE TË FSHATRAVE TË ZADRIMËS.

0
78
JAK RROZHANIPërshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Ishte nëntori i vitit 1992,kur Don Antonio Sciarra,prift famullitar,drejtor,i Caritasit të Avezzano-s,u nis drejt Shqipërisë me traget. Zona e Lezhës,do t’i dukej më familjare Don Antonios,pasi sipas tij,i ngjante edhe gjeografikisht zonës së Marsikës nga vinte vetë,ku krahasonte fushën e Zadrimës,me pllajën e Fucinos,apo malin e Velës,me Gransason e Marsikas. Me vendosjen në Blinisht,Don Antonio e kuptoi fare mirë,se duhej patjetër,që të gjente mënyra për t’u vënë në kontakt me banorët dhe për të bërë realitet me punë konkrete,me idetë dhe vizionin e tij për të sjellë besimin,shpresën dhe ndryshimin,për të cilat njerëzit e këtij fshati e të zonës së Zadrimës kishin shumë nevojë. Kjo gjë i dha frymëzim thirrjes së brendshme për t’u nisur drejt këtij misioni,ku thirrja e brendshme drejt misionit,shkon përtej thirrjes së përkushtimit meshtarak,është e një shkalle më të lartë përkushtimi,është vepra e Shpirtit të Shenjtë. E përshkruar mjeshtërisht dhe realisht nga autorja e librit: ” Dhe shkretëtira do të lulëzoje”- Don Antonio Sciarra-Memuaristikë. Botimet Jaku,2022,me autore Brikena Lazri,që e ka njohur nga afër dhe ka bashkëpunuar me Don Antonion,si bijë,intelektuale dhe fisnike nga Blinishti i Zadrimës,ekonomiste e zonja,studiuese,përkthyese etj. -I jam pafundësisht mirënjohëse këtij njeriu,që diti aq mirë ta “imitojë” Jezusin, duke e vënë tërësisht jetën e vet në shërbim të njerëzve,ai bëri të lulëzojë shkretëtirën,që gjeti mes nesh. Ishte një shkretëtirë besimi,ishte një shkretëtirë e mbuluar me varfëri,ishte një shkretëtirë e pashpresë,ai u vendos në Blinisht,në kodrën e vdekur,për të cilën thonin,se nuk prodhonte asgjë,veç dardhave të egra,shkruan në këtë libër të arrirë,shkrimtarja, studiuesja dhe përkthyesja e njohur,Brikena Lazri. Por,aty,Don Antonio ndërtoi një “katedrale”,e mbushur me lule,pemë,ullinj e monumente,ndërtoi shtëpinë e vet,ambulancën,serën,zdrukthtarinë,punimet artizanale,ndërtoi rrugë,infrastrukturë,kurse dhe shkollë profesionale,oratorinë…Këmbanën e Paqes,Misionarët e Paqes etj. duke sjellë kudo ndryshimin,zhvillimin dhe shpresën për një jetë më të mirë e më të begatë. Dhe këtë ai e tregoi me vepra konkrete e jo me fjalë e premtime boshe,duke sjellë ndryshimin,një realitet të prekshëm në çdo familje të Blinishtit e të fshatrave përreth,me mesazhin: se ky vend është i bekuar dhe mund të bëhet i bukur,mjaftonte angazhimi dhe kontributi i secilit prej nesh për ta bërë jetën më të bukur,më të gëzueshme dhe me mirëqenie,me punë,kontribut dhe djersë.ZADRIMA | Dioqeza e Sapes Don Antonio dëshiroi të prehej mes banorëve dhe besimtarëve të Blinishtit,ku shërbeu me devocion,përkushtim e humanizëm per 20 vite,duke fituar respektin dhe mirënjohjen e thellë nga ata,i bindur se këtu qëndron shpirti i tij,këtu gjeti prehje dhe qetësi trupi i tij,pas gjithë asaj pune kolosale e sfilitëse në oborrin e kishës së bukur të Shën-Shtjefnit në Blinisht e të martirëve te fesë katolike: Fausti dhe Dajani,ku qëndrojnë madhështorë sipër derës në hyrje të kësaj kishe që e ndërtoi me aq përkushtim dhe dashuri,duke u dhënë mundësi banorëve dhe besimtarëve të misionit,që ta vizitojnë në çdo kohë edhe varrin e tij,si vend peligrinazhi dhe përjetësie,gjest dhe mision fisnik,që solli shpresë,ndryshim, zhvillim dhe humanizëm në çdo familje të Famullisë së Blinishtit,të fshatrave të saj dhe të zonës së Zadrimës,që i janë mirënjohës për çdo të mirë që bëri për ta,duke mos i braktisur kurrë e duke u dhënë mundësinë,që t’ia shikojnë fytyrën e t’ia kujtojnë veprat e mira që bëri në shërbim të tyre e t’i shprehin mirënjohjen e respektin e thellë për të dhe të marrin mirësi,dashuri,paqe e miqësi prej tij,përgjithmonë,përjetësisht…siç ishte dhe mbeti jeta dhe vepra e madhe dhe e pavdekshme e tij në shërbim të besimit dhe të njerëzve.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.