KUR NJOHA KATËR POETË…

0
124
Nga Xhahid Bushati  Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
-kujtime
Në vitin 1973 në Shkodër, në vendlindjen time njoha njëherësh brenda një dite, sigurisht, në orare të ndryshme katër poetë: Petrit Rukën, Vasil Tabakun, Vojsava Nelon, Vasil Deden. Ishte në të hyrë vjeshta dhe pemëve rrallë dëgjohej kënga e zogut. Shumica, tufa-tufa kishin mërguar apo përgatiteshin për mërgim…
Ata nuk e njihnin Shkodrën. Mund të kishin lexuar për të. Kishin lexuar nga krijimtaria e autorëve shkodranë me emër. Ndoshta ndonjëri prej tyre, nga leximet, njihte edhe shumë tradita mirëdashësie shkodrane. Që nga ajo ditë e në vazhdim, ata çdo ditë do të bëheshin “shkodranë”. Shumë shpejt, jo vetëm në Shkodër por edhe në Tiranë, në qarqet letrare, do t’u dëgjohej zëri përmes botimeve në gazeta e revista. Shumë shpejt në qytetin tim, ata do të bëheshin personazhe të nderuar e të respektuar; në një qytet, siç ishte Shkodra me tradita e risi letrare, krijimtaria e tyre ishte e çmueshme e plot vlera. Këtu, nisi burimi i krijimtarisë së tyre, ndaj dhe dita-dita përmendeshin me nderim nga qytetarët shkodranë. Shumë shpejt Petriti, dy Vasilët dhe Vojsava me individualitetet e tyre poetike do ta pasuronin poezinë shqipe me një frymë të re jetësore, po aq dhe dashurore.Petrit Ruka
Ne ishim pothuajse të një moshe. Studionim në fakultetin Gjuhë shqipe e Letërsi (atëhere në ILP 3-vjeçar të Shkodrës, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”). Vërtet ishim në grupe të ndryshme, por na bashkonte rrethi letrar i Institutit me drejtues pedagogun e palodhur Hasan Lekaj, na bashkonte rrethi letrar i Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut” me drejtues shpirtnmirin dhe të kulturuarin Nard Bushati, na bashkonin veprimtaritë e ndryshme kulturore-artistitike, bisedat, kafetë, diskutimet, leximet e poezive… etj., etj.
Duke kujtuar ato vite me erëmalli studentor, më shfaqet Petriti që ishte një këngëtar i lindur dashurie me atë të qeshurën e tij të bukur dhe rinore. Vargjet e tij trokisnin ëmbël në zemrat njerëzore. Më kujton një varg i Fernando Pessoa, i cili thoshte “Hyjnor është shpirti”. Dhe të tillë e kishte shpirtin Petriti. Pastaj më shfaqet Vojsava me brishtësinë e delikatesën e vargjeve nazike, ku “shëtiste” aroma e mëmësisë e kaltërsia e detit si një ëndërr e bukur. Pastaj më shfaqej Vasil Tabaku, ku shpirti i tij trazohej teksa shikonte padrejtësitë e jetës.Vojsava Nelo nderohet me çmimin e parë në festivalin e poezisë në Sarandë E, kjo ishte arsyeja që poezitë e tij ishin të ngarkuara me metafora dhe epitete të guximshme. Në ato metafora fshihej zëri i tij që fliste për shpresën. Pastaj më shfaqej Vasil Dede, nga natyra paqësor, me sy ëndërrimtarë, me buzëqeshjen që s’e hiqte nga fytyra. Mendoj se ishte një shartesë interesante mes krijimtarisë së Dritëroit e krijimtarisë së Dhori Qiriazit. I mbrujtur shpirtërisht me bukuritë e fshatit, vizatues i kësaj poetike, lirik dhe stilist i përkorë, në fshehtësi të çdo poezie do të ndieje fluturimin e një thëllëze që fliste aq shumë… Ashtu si Petriti, edhe Vasili i recitonin me afsh poezitë e tyre, ku kishin vënë shpirtin, e shpirti i tyre fliste shumë…  Basha, mesazh për ndarjen nga jeta të publicistit Vasil Tabaku - ATSH -
I kujtoj me mall këta miq të mirë, ku gjatë viteve universitare, Shkodra iu bë ‘vendlindje’. E deshën Shkodrën! Aty morën fluturimin e parë të poezisë! Në këtë rrugëtim fluturimi i tyre qe i mbarë!
Petriti Ruka, Vasil Tabaku e Vasil Dede u ndanë nga kjo jetë në moshë të re, kur letërsia shqipe, veçanërisht poezia kishte shumë nevojë për fjalën dhe artin e tyre. Ndërsa Vojsava e mbrujtur me motive joniane i jep Sarandës magjinë e vargjeve të saj edhe sot e kësaj dite.Vasil Dede
Ata më falën miqësi të vërtetë. E, që, unë të mos jem i humbur, e të mos e humbas këtë pasuri të çmueshme që më falën poetët e talentuar, vendosa përmes kujtimeve të viteve të bisedoj me Petrit Rukën, Vojsava Nelon, Vasil Tabakun, Vasil Deden, dhe, ashtu siç thotë poeti i mirënjohur dhe i talentuar Vehbi Skënderi duhet të jetë “vazhdimi i një bisede”. Po, i një bisede, ku e kaluara është e tashmja e kujtesës.
Tiranë, 25.08.2023 – Shkodër, 26.08.2023

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.