Kulla Heroike e Gjon Dedës Vukel

0
2209

Duke shfletuar faqet e historisë të Malësisë, shohim se kanë ekzistuar disa kulla, në të cilat, janë shënuar faqe të lavdishmë të trimërisë së popullit shqiptar. Kullat e vjetra të ndërtuar gjatë shekujve XVII-XVIII, kanë qenë fole trimash dhe shtëpi baruti për armikun, që ka synuar të pushtojë e nënshtrojë trojet shqiptare të malësorëve kreshnikë.

Për këto kështjella, të ngritur gjatë shekujve nga pararendësit tanë malësorë, kanë shkruar shumë autor vendas dhe të huaj, udhëtar e kalimtar të rastit. Ata kanë dëgjuar nga afër historitë e banorëve të tyre e i kanë përcjellë me kujdes në shkrimet e tyre përshkruese, duke dëshmuar kësisoj historinë e larë me gjak e mbi gjak trimash të malësorëve.
Për malësorin kreshnik dhe sypatrembur Gjon Deda Vukel, gjithnjë liria dhe mikpritja, sipas traditës së hershme shqiptare ishte dhe është sot gjëja më e shtrenjtë. Ai dhe brezat mbas tij vijuan të ecin në rrugën e traditës atdhetare dhe patrotike të parëve të tyre.


Malësia jonë, ndër shekuj është shquar për figura të ndritur, që kanë bërë emër të mirë në të gjiithë krahinën, ku ata jetuan dhe vepruan, duke shkruar me armë në dorë histori të lavdishme për trojet etnike shqiptare. Për shkak të luftrave të njëpasnjëshme, kundër serbo malazezëve dhe PerandorisëIslame Osmane, shumë malësore të krishterë, u detyruan që të shpërngulen nga trojet e të parëve të tyre shumë shekullore e u vendosën në vende të ndryshme banimi, ku kishte vetëm shqiptarë. Kështu Gjon Deda, u detyrua nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe të shpërngulet në krahinën e Gusisë. Këtu malësori fisnik dhe trim Gjon Deda aty gjeti malësoret të besimit katolik e islam. Sipas të dhënave, që janë transmeruar brez mbas brezi, mendohet se Gjon Deda ka ardhur në Gusi rreth viti 1870.
Vëllezërit malësorë të zonës e deshtën e nderuan gjithmonë bashkëatdhetarin e tij të fshatit të tyre. Ai aty gjeti ngrohtësi, mikpritje dhe bujari tradicionale shqiptare. Gjon Deda ishte një burrë i hijshëm, i gjatë si lisat e maleve tona, i zgjuar për nga natyra, i urtë e i matur në biseda me malësorët, fjalëpakë, njeri i besës, trim si zana, bujar në shpirt e me zemër, dhe si gjithmonë një derë e njohur për mikpritje shqiptare etj. Ai ishte një punëtor i palodhur, ku me duart e tij të arta ndërtoi një kullë prej guri dy a tre katëshe me frenxhi,që ngjasonte me një kështjellë ushtarake të kohës, për tu mbrojtur nga pushtuesit ottoman e serbo malazezët.

Historikisht kulla e Gjon Dedës, ishte ndër kullat më të lashta, që u shpërngulën në kohën e luftrave otomane në vitin 1870 prej Vuklit të Kelmendit dhe u vendosën në trojet shqiptare në Gusi, ku sot është pjesë e Malit të Zi. Ky ishte një burrë dhe luftëtar trim prej derës trime dhe bujare që e njihte malësori dhe Malësia dhe të gjithë trojet e tjera shqiptare. Ajo ishte një derë patriotike, që luftonte kundër anmiqve shekullore otoman aziatik dhe rregjimit serbo malazez, që donin të gllabëronin dhe robëronin trojet e Arbërisë ndër shekuj. Në këtë vatër të atdhedashurisë, brenda mureve të kullës prej guri vendas lindën dhe u rritën me ndjenja atdhetare tre djem: Ded Gjoni, Gjergj Gjoni dhe Nikë Gjoni, të cilët natyrshëm ecën me besnikëri në rrugën e babait të tyre trim.

Ded Gjoni, ishte një burrë atdhetarë me ideale të mëdha për liri dhe pavarësi dhe njëkohsisht kundër rregjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai bashkëpunoi me burrat dhe figurat më të njohur të Malësisë, kundër komunizmit dhe ishte krahu i djathtë i patriotit kombëtar Prek Calit.

Deda, ka luftuar kundër komunizmit pa u trembur dhe ka qendruar në shpellat shekullore me 12 vetë të tjerë trima të luftarit të lirisë kelmendasit Prek Calit. Kur komunizmi i zuri rob në Kelmend, i zbritën trimat kelmendas nga Malësia për ti burgosur e dënuar në Shkodër. Rrugës duke ardhur prej Kelmendit, komunistët u bënë tortura të tmerrshme dhe shtarazake, ku i prenë trupin e tij. Në Leqet e Hotit, trimi Ded Gjoni me duar të lidhura i bjen ushtarit komunist në krah dhe e hedh prej shkëmbit poshtë, ku zhduket menjëherë në shkëmbijntë me humnera të thepisura të Leqeve të Hotit. Përfaqsuesi i Sigurimit të Shtetit Mehmet Shehu, me porosi direkt të diktatorit famkeq Enver Hoxha, jep urdhërin për të pushkatuar malësorin, trimin e idealistin e madh kombëtar Ded Gjonin në Rapsh të Hotit, kurse trimat e Kelmendit dhe shumë të tjerë më në krye Prek Calin të burgosën në qelitë e ftohta të qytetit Shkodrës.

Mbas dy ditësh trupin e Ded Gjonit e merr fshehtas natën nipi i tij prej Kastratit Zog Toma, por emri i vërtetë ishte Prel Toma.Ai trim, trupin e dajës së vet e çon në varrezat e Rapshës së Hotit dhe e varros me shumë respekt e lotë dhe dhimbje të madhe. Ai merr një gurë aty afër dhe shkruan fjalët se ky është varri i Ded Gjonit dhe e mbulon brenda në vorr.Shtëpia e Ded Gjonit ishte në synin e keq të diktaturës komuniste shqiptare dhe asaj malazeze.Po ashtu në atë vit edhe axha i Sokolit, malësori i ndershëm Gjergj Gjoni vritet prej diktaturës së egër komuniste, në fshatin Vermosh të Kelmendit në vitin 1945.Me rradhë komunistët fanatikë të Shqipërisë, bashkë me komunistët serbë bashkëpunojnë me njeri-tjetrin, për të shkatërruar shqiptarët e Malësisë së Kelmendit.Po ashtu një vit më vonë, axha me i ri i Sokolit, Nik Gjoni, që ishte një djalë i ri azgan e i hijshëm. Ai u fejuar me një vajzë prej Vishnjevet, dhe në vitin 1945 të cilin e burgosin në burgun e Gusis.Me daljen prej burgut në vitin 1946, politika serbo malazeze e ajo komuniste shqiptare, me një shok të tij të ngushtë prej Gusisë me origjinë shqiptare, duke shetitur nëpër qytet të Gusisë,nje komunist bashkëvendas shqiptar e vret në krahun e shokut të tij, dhe bie i vdekur në tokë.

Sokoli pasues i denjë i babait të tij Ded Gjonit.

Në familjen e Ded Gjonit ishin gjashtë fëmijë, tre djem dhe tri vajza. Ata mbetën jetima mbasi babai i tyre vritet në Rapsh të Hotit në Kelmend nga diktatura e egër komuniste. Nëna e gjashtë fëmijëve ishte Lenë Lulashja një grua fisnike prej Nikçit të Kelmendit.
Sokol Deda, ka lindur në Gusi, me 6 maj 1939, në një familje me tradita të hershme patriotike, kombëtare, dhe fetare. Sokol Deda, u rrit në Gusi edhe pse babai e kishte lënë jetim kur ai ishte 5 vjeçar. Ai qysh në fillim u rrit dhe edukua me tradita e zakone në atë kullë trimash legjendarë.
Sokoli e mbaron shkollën 8-vjeçare në Gusi. Ai punoj dhe jetoi me ndershmeri në Gusi deri në moshën 20-vjeçare me vëllezër dhe motrat e tij në familje.

Kështu duke e parë më kujdes situatën politike komuniste në Shqipëri dhe ashpërsimin e luftës së klasave në Malësi të Madhe dhe në veçanti në trevat heroike të Kelmendit, ai u detyrua me familje të braktis vendlindjen dhe muerën rrugën e vështirë të emigracionit në vitin 1960, duke shkuar në Kranje të Sllovenisë. Në Lublanë, ai filloi fakultetin e Artit, ku brenda disa vitëve mbaroi me sukses studimet e larta universitare. Ai u punësua në një fakultet të Lublanës. Aty u muer me hartimin e hartave gjeografike dhe arkeologjike.
Kështu Sokol Deda filloi një jetë të qetë e të lumtur, në një mjedis të ri jo shqiptarë, ku njerëzit me të cilët punonte dhe bashkëpunonte në fakultet e donin dhe e nderonin shumë, sepse ishte korret dhe i dashur me të gjithë intelektualët atje asokohe. Sokol Deda, ishte një djalë i hijshëm i zgjuar dhe bujar. Ai u martua në vitin 1969 me Gjysten e Zef Gjelosh Tomës, një vajzë e bukur fisnike, që vinte nga një derë e famshme e Trieshit e mirënjohur e Malësisë së Madhe.

Nga kjo derë e kreshnike, kanë dalur shumë burra të pushkës dhe pendës, trima dhe bujarë që ishin ndera dhe krenaria e Trieshit të Malësisë. Kështu nga kjo derë dolën trimat bujarë si: Mirash e Nikollë Ujkaj (Ivanaj) Dr. Mirash Ivanaj, Prof. Nikollë Ivanaj, që kanë punuar me përkushtim në Arsimin e Shqipërisë. Historikisht, kjo kullë legjendare ishte një vatër trimash, që ishte plot me trima luftatarë me 18 pushkë të varur në krah.

Në këtë kullë trime të Zef Gjelosh Tomës Ujkaj, ka qëndruar i fshehur Sokol Baci princi i Grudës për disa vjet, për të mos u kapur prej turqve dhe Krajl Nikollës të Cetinës.
Po ashtu në këtë kullë me emer ka lindur djali i Sokol Bacit, Kolë Sokoli Ivezaj, ndër figurat më të mirënjohura në Shqipërinë e Veriut. Sokol Deda, ra në syrin e Sllave e malazezëve komunist edhe në Slloveni. Në këtë situatë jo të këndshme për të, ai u detyrua me bashkëshortën Gjysten të emigroj për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,për një jetë ma të lumtur e ma të qetë, ku për herë të parë u vendos në New York.
Sëbashku me gruan e tij, fillojnë të punojnë e të jetojn ku krijuen një jetë të lumtur,ku nëpër mesin e jetës e të dashurisë krijuan familjen e tyre me tre fëmijë: Simoni, Nika dhe Gjoni.

Ata prej prindërve të interesuar për fëmijët e vet i regjistrojnë në shkollën e gjuhës shqipe,në kishën katolike në Bronx,duke nxitur ruajtjen e fesë e të parve tanë krishterë,kulturën amtare,gjuhën e bukur shqipe,zakoneve dhe traditave të bukura shqiptare, ku ishin pjesëtar edhe në Grupin Artistik Rozafati, pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në New York. Sokoli me bashkëshortën Gjysten mbas pesë vjetësh e blenë shtëpinë e vetë, ku shkuan për të jetuan në New Rochelle, Westchester në New York.

Sokol Deda,ishte një idealist e patriot i madh kombëtar, ka marrë pjesë në çdo aktivitet shqiptarë, ka demostruar kundër regjimin komunist në New York dhe Washington D.C., dhe gjithmonë me flamur kombëtar në dorë. Falë bujarisë së tij, ai ka kontribuar vazhdimisht për çdo nevoj që ka pasur kisha shqiptare e Zojës së Shkodrës, dhe kishat shqiptare në vendlindje, për rindërtimin e shkollave në vendlindje, për rindërtimin e rrugëve të shkatërruar dhe lenë mbas dore në vendlindje, për ndertimin e katedralës së re të Tivarit, që ndodhet mbi truallin e katedralës antike 900-vjeçare. Ai ka dhuruar ndihmë financiare për ndertimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, katedralën e Shën Palit në Tiranë,për riparimin e kishës e Shën Ndout në Gusi, ndihma për UCK-së, gjatë luftës çlirimtare së Kosovës etj.
Sokol Deda, ka marrë pjesë në simpozimin kushtuar arqipeshkvit imzot Pjetër Bogdanit në New York, të organizuar nga kisha katolike shqiptaro amerikane Zoja e Shkodrës New York, dhe është takuar dhe ka biseduar ngrohtësisht me shumë intelektual e përsonalitete të zgjuara, nga Universiteti i Prishtinës,Instituti Albanologjik, prof. dr.Ibrahim Rugova,me intelektualin të madh,prof. dr.Engjell Sedaj,prof.Arshi Pipën e me shume të tjerë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, që kanë vizituar kishën shqiptaro amerikane.



Sokol Deda Vukel,ishte dhe Nikoll Mark Vocrri, ishin të parët, që gjetën tokën e kishës me 12 hektarë, ku, sot është e ndertuar kisha katolike shqiptare.

Me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë, më vjetin 1993 Sokol Deda së bashku me Gjysten gruan e tij hyjnë në Shqipëri, ndalohen në qytetin e Shkodrës,ku muerën pjesë në ceromoninë madheshtore,në prak të vizitës historike në Shqipëri,Ati i shenjtë Gjon Pali II,dhe shën nanë Tereza,shëjtnesha dhe figura me e njohura në Botën njerzore, si mishërim i idealeve të krishtëra, dhe më pas me mbarimin e ceremonisë,Sokoli me bashkëshortën Gjysten nisën për në Kelmend, për të vizituar familjen dhe të afërmit e tij, që nuk i kishte parë prej shumë dekadash.

Sokoli, sëbashku me bashkëshortën Gjysten të nesërmën bënë vizitën tek nipi i vet në Kastrat të Prel Tomës për ti treguar vorrin e babës, ku, Prel Toma në fillimin e rrëzimit të komunizmit kishte shkuar tek vorret e Rapshës të Hotit, që e kishte punuar, duke i vendosur kryq në varrin e Ded Gjonit.

Idealisti i pa lodhshëm kombëtar e fetar në muajin janar të vitit 2000,Sokoli bashkë me bashkeshortën e nderuar Gjystën, merr pjesë në ceremoninë mallështore në hapjen e katedralës së Shën Palit në Tiranë.

Po ashtu në qershor të vitit 2000,Sokoli, ai ishte si përfaqsues i organizatës për ndërtimin e përmendores së Prek Calit në Shkodër. Më Sokolin moren pjesë djemtë Simoni e Gjoni,e shumë bashkëatdhetar të tjerë prej vendeve të ndryshme të krahinave shqiptare.

Kur shkoj Sokoli me bashkëshortën e vet Gjysten në vitin 2003, Sokol Deda i ndërtoi varrin e ri të babës të vet, që e kishte lënë jetim, kur ai ishte pesë vjeçar. Sot ky varr i ri ndodhet në varrezat e Rapshës së Hotit, në Malësi. Sokol Deda me familjen e vet me bashkëshortën Gjysten dhe me djemtë Simonin, Nikën, e Gjonin, me vëllezërit e me motrat, me kushërinj, me fisë e mbesa prej Gusiet dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2003, u bënë ceremonia e vorrit të ri të Ded Gjonit.
Aty morën pjesë me mijëra banorë, ku meshën për shpirtin e tij e çoi meshtari françeskan patër Prel Gjurashaj dhe meshtari tjetër dom dr. Nikë Ukgjini. Nga njerëzit atje u bë një ceremoni dinjitoze nderimi dhe respekti të thellë për këtë bir të denjë të Malësisë, gjë që doli në pah edhe nga fjalimet e rastit, që mbajtën njerëz dhe personalitet të ndryshëm asokohe. Mbas mbarimit të ceremonisë Sokol Deda i fton gjithë popullin në një hotel të mrekullueshëm në Kastrat të Malësisë së Madhe, ku qet bukën për shpirtin e babës së tij Ded Gjonit, sipas traditës shqiptare dhe malësorëve kreshnik. Për këtë ceremoni madhështore, kanë shkruar shumë gazeta shqiptare, shkrimtarë, personalitete, studiues të shquar, ndër të cilat mund të përmënden në gazetën “Koha Javore”, në gazetën “Zëri”, dhe për të njëjtën temë në gazetën “Besa.” vSokol Deda, u rritë krenar në odën e burrave të shquar të malësisë dhe derës të famshme të Ded Gjon Dedës,ku tradicionalisht është kultivuar brez mbas brezi me shumë respekt tradita e paster shqiptare,si një shqiptar e malësor fisnik dhe shumë atdhetar, Sokoli gëzonte respekt në të gjithë vëndet ku ai shkonte,sepse kishte besë, burrëri,trimëri,bujari, ndershmëri,ishte njeri i fjalës,nderit,respektonte kanunin e maleve tona kreshnike,ishte njeri i urtë dhe shumë i mënçur në zgjidhjen e problemave të komunitetit shqiptar. Sokoli e donte shumë gjuhën,kombin,flamurin,heronjt kombëtarë, miqët dhe dashamirët,zakonet dhe traditat e lashta shqiptare, ishte një idealist i madh me frymën e thellë patriotike kombëtare dhe fetarë, ai dëshironte bashkimin e trojave tona, në një Shqipëri të madhe e të re demokratike.Dhe eliminimin e dukjen e diktaturës komuniste nga trojet tona.

Ai kishte një zemër të madhe patriotike e heroike për të gjithë kombin shqiptar.Tashmë në panteonin e burrave të shquar të kombit shqiptar,një vend të merituar nderi dhe krenarie ka marrë patrioti i flaktë i lirisë e pavarësisë për çeshtjet shqiptare Sokol Deda,nderimi për të është vlerësim,për të gjithë familjen dhe krahinën e tij të dashur së cilës iu përkushtuar deri sa mbylli sytë.Sëfundi dua të them, se më këta burra në altarin e kombit shqiptar pasurohet historia,lartësohet dhe nderohet me shembuj konkret ngjyra e flamurit tone,rritet dhe madhështohet në liri simboli i përhershëm i shqiponjës dhe shqiptarizma e kulluar e bijve bashkëatdhetarë të Gusisë, e të Malësisë kreshnike.

Ky idealist i madh, ndërroi jetë me 4 maj 2017 në New York, ku në ceremoninë e varrimit të tij morënpjesë shumë burra të shquar dhe personalitete të gjithë vendeve dhe krahinave të ndryshme, që gjenden në shtetet e ndryshme në SHBA dhe më së shumti nga New York, Detroit, Florida, California, Gusi, Kelmendit dhe zonave të ndryshme të Shqipërisë. Sot trupi i tij pushon në paqë, në varrezat e New York.

Nga: Prof. Gjon Frani Ivezaj

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.