KU SHKOI SHENJTËRIA E SHKOLLËS?

0
106
Nga cikli “Ringritja e institucioneve”*
Vangjush  Saro    Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Në 8-vjeçare kisha një mësuese gjuhe që edhe sot e gjithë ditën e kujtoj: për shpirtin e saj, për zotësinë e saj në mësimdhënie. Drejtori i parë Llambi Minga (babai i gazetares Shirma Minga) ishte një zotëri dhe një nëpunës model. Drejtori që erdhi më pas dhe që çuditërisht i thërrisnin Xhona, kishte mbaruar matematikë; ishte ‘kampioni’ i seriozitetit. Pastruesja e shkollës qe një grua rome; e vrazhdë, por kishte jo më pak autoritet se mësuesit. Vinte herët, sidomos dimrit; pastronte korridoret, ndizte zjarrin në zyrën e Drejtorit, pastaj në Sallën e Mësuesve; kontrollonte nxënësit që bënin pastrimin në klasat përkatëse e, nganjëherë, i ndihmonte për të ndezur poret (stufat). Nxënësit i druheshin dhe përpiqeshin ta kishin mirë me atë. Ishte thjesht një sanitare; dhe ju e kuptoni ç’dua të them…
Gjimnazi “Raqi Qirinxhi” – një koleg tepër i anuar e u përpoq ta bënte pis emrin e dëshmorit, punë shqiptarësh kokëdaulle – kjo shkollë pra, thuhej se shkonte në vazhdën e Liceut të Korçës; edhe pse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, koha e trazoi edhe me kinezërira. Megjithatë, niveli i mësimdhënies, lidhja me sportin dhe artin, ishin kuotë. Atje jepnin mësim Vangjush Ziko e Niko Bello, që kishin mbaruar njëri në Rusi e tjetri në Francë; por qëndronin aq lart edhe Dhimitër Kaçadani, Nella Frashëri, Guri Pandeli, Bozhidar Marash, Bardhi Kreka, etj.
Në Fakultet (Histori-Filologji) jepnin mësim gjuhëtarë, shkrimtarë e studjues ndër më të spikaturit e kohës: Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Anastas Dodi, Remzi Përnaska, Jani Thomai, Fatmir Agalliu, Muzafer Xhaxhiu, Jakov Xoxa, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Nexhip Gami, Fatos Arapi, etj. Edhe ata që (në ato kohë) qenë më të rinj (Thoma Rrushi, Çapajev Gjokutaj, Gjovalin Shkurtaj,) ishin përzgjedhur mes studentëve të shkëlqyer, zotëronin kulturë dhe edukatë perfekte, ishin të paqortueshëm në çdo aspekt.
Tani… po të filloj me problemet e mëdha të Arsimit të sotëm, me të drejtë dikush mund të varë hundët. S’mund të them se nuk ka përparime ndërkohë që janë shtuar pafundësisht mundësitë për të ndjekur shkollën, programet pasurohen dita-ditës, literatura po ashtu, mësimi i gjuhëve të huaja bëhet normë, është zgjeruar fokusi i studimeve, etj. Por çfarë ndodhi? Ndërsa koha dhe mundësitë zgjeroheshin, Arsimi mori njëlloj tatëpjete, ngase sistemi krijoi nënsisteme (në çdo fushë); hynë në lojë porositë dhe anësitë partiake, lindën diplomat false, u shpikën ‘zarfat’. Sot ka asish ‘pedagogë’ që ngatërrojnë letërsinë ruse me atë sovjetike; mënyra se si shkruhet e flitet në rrjete, gazeta e TV, lë të kuptosh se kemi jo pak probleme me të mësuarit. (S’po hyjmë në hallet e vandalizmit dhe veseve të tjera të kohës.)
Po përse shkamë ‘nga tragjedia në operetë’ (mund të thosha duke cituar Konicën.) Kjo ndodhi sepse shkelëm me këmbë shenjtërinë e shkollës; institucionin e hodhëm në pellgjet e politikës; parimet dhe kulturën i ndërruam me revanshin; mësues e pedagog u bë dokushdo; tekstet i bën dokushdo; disa medie e TV pozojnë mediokritet e turpe dhe s’i ndal askush; edukimi dhe arsimimi vështrohen si gjërat e fundit që kemi për të bërë.
Unë them prapë se disa institucione duhen ringritur**. Shkolla më së pari.
………………………………………………………………………………May be an image of 12 people and people standing
*Foto: Me kolegë e nxënës pas premierës së pjesës time teatrale “Një copëz jetë” (Gramsh, fillim i viteve ’80)
**Me termin “Ringritja e Institucioneve” kuptoj kthimin në normalitet të komunikimit, etikës, besimit reciprok, kulturës e qytetarisë, kundër çdolloj banaliteti, mendjemadhësie e cinizmi që ka pushtuar jetën, politikën, institucionet, mediat, rrjetet. (Nuk guxon të thyesh një tabu – po themi në letërsi apo fusha të tjera – se menjëherë shëmtojnë turinjtë ndjekësit fanatikë të njërit e të tjetrit ndërsa pala përkundrejt do veç të linçojë atë apo këtë autor të spikatur. Sa për ne që s’jemi mësuar as të urrejmë, as të brohorasim vend e pa vend, ne përsërisim me modesti që rrahja e mendimeve është veç zhvillim e prosperitet.) “Ringritja e Institucioneve” mund të shihet prapë si thyerje tabuje nga koka të fiksuara keq e nga qeveri dhe institucione të lodhura rëndë. Por nuk kemi nga ia mbajmë, duhet… Lexohemi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.